E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota, detyrimi që ka për Somalinë

Kur shpërtheu dhuna në kryeqytetin e shkatërruar të Somalisë, këtë verë, cinikët e quajtën "biznes si zakonisht". Edhe një herë, ata thanë se somalezët luftues ishin të mbështjellë në një luftë të pakuptueshme midis klaneve, e se komuniteti ndërkombëtar duhet t‘u qëndrojë larg. Nuk mund të pajtohesha më. Ne jemi në një udhëkryq kritik, këtu në Somali, dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të përfshihet në plotësi. Kjo nuk është një luftë klasike civile, por një përpjekje e financuar nga jashtë për të përmbysur një qeveri legjitime dhe të njohur.

Presidenti Sharif Sheikh Ahmed u zgjodh nga një Parlament i zgjeruar posaçërisht që të përfshijë anëtarë të opozitës, të cilët dëshiruan të përfshiheshin në procesin paqësor të ndërmjetësuar nga OKB-ja. Ahmed, i cili e udhëhoqi Mogadishun në vitin 2006 nën Unionin e Oborreve Islamike, ka marrë pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nëpër samite të Unionit Afrikan e Ligës së Shteteve Arabe. Në të kundërtën, ata të cilët e sulmuan Mogadishun në muajin maj janë ekstremistë pa ndonjë axhendë të përbashkët, përveç faktit që duan të marrin pushtetin me dhunë. Ata përfshijnë individë që janë në listën e anëtarëve të Al-Qaedës dhe talebanëve, listë e përpiluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, disa qindra luftëtarë me përvojë nga rajone të tjera të Afrikës, si dhe arabë e aziatikë.

Teksa bota po përqendrohet gjetkë, grupe të ekstremistëve të huaj po përpiqen të marrin kontroll mbi një shtet me pozitë strategjike. Somalia e ka bregdetin më të gjatë në Afrikë dhe kufizohet me rrugë ndërkombëtare detare, si dhe me fuqitë rajonale, Kenian dhe Etiopinë. Somalezët dhe të tjerët duhet të pyeten nëse këta luftëtarë të huaj po luftojnë për një administratë më të mirë, paqe dhe vende pune, apo po e përdorin Somalinë për ta shtyrë programin e tyre të përhapjes së dhunës ndërkombëtare.

Kërcënime aq të mprehta ndaj qeverisë legjitime të Somalisë duhet të jenë shqetësuese. Në prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi grusht shtete të tilla; Unioni Afrikan bëri prononcime të ngjashme në samitet e vitit 1999 dhe 2000, dhe shumë shtete kanë folur kundër grusht-shtetit ushtarak që ndodhi së fundmi në Honduras. Autoriteti Rajonal Ndërqeveritar për Zhvillim ka marrë udhëheqësinë për përkrahjen e qeverisë së Ahmedit, dhe SHBA-ja, Franca e Norvegjia janë në mesin e shteteve që e kanë dënuar përpjekjen për të përmbysur qeverinë. Mirëpo, kredibiliteti i OKB-së dhe i të tjerëve kërcënohet nëse qëndrojnë anash dhe lejojnë një përmbysje të tillë në Somali.

Kur e vizitova Ahmedin tani vonë, pashë çfarë përpjekjeje të jashtëzakonshme po bënte qeveria e tij. Zyrtarët po organizojnë një administratë efektive, e cila po punon për popullin. Por si mund të mbrohen kundër sulmuesve vetëvrasës, si ata të cilët e vranë ministrin e Sigurisë, që ishte shumë i aftë, së bashku me dhjetëra civilë të tjerë në maj? Kundërshtarët e tyre po vazhdojnë ta ndryshojnë "justifikimin" për dhunën e vazhdueshme. Për shembull, një grup kishte thënë se synimi i tyre i vetëm ishte largimi i ushtarëve të Etiopisë nga Somalia. Këta ushtarë ikën në fillim të vitit, mirëpo këta somalezë ende e vrasin popullin e tyre, duke krijuar një qark të ri të vuajtjes, zhvendosjes dhe dhunës.

Si mund të ndihmojë komuniteti ndërkombëtar? Republikani nga SHBA-ja, Donald Payne, ka theksuar: "Një qeveri e fuqishme është kyçe për paqen në Somali... dhe neglizhenca e vullnetshme tashmë nuk është një opsion". Një samit në Bruksel, në muajin prill, mblodhi me miliona zotime për forcat e sigurisë së Somalisë, por këto para do të marrin shumë kohë derisa të materializohen. Unioni Afrikan ka dërguar ushtarë paqeruajtës, të cilët kanë nevojë për pajisje më të mira, kushte të përmirësuara jetese dhe përkrahje logjistike. Shtetet që mund ta japin këtë ndihmë në mënyrë direkte, duhet ta bëjnë këtë menjëherë. Të tjerët, së paku, mund t‘i japin ndihmë popullatës që po vuan. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka qenë i qartë se do të veprojë kundër atyre, të cilët përpiqen ta pengojnë procesin paqësor dhe të krijojnë anarki. Po përpilohet një listë për komitetin e sanksioneve të OKB-së.

Por nuk janë vetëm ideologët. Disa biznesmenë kanë fituar shumë nga konflikti i vazhdueshëm. Ata, të cilët i përkrahin ekstremistët, qoftë nga besimi apo në ndjekje të profitit, mund të goditen në kuletat e tyre. Disa po punojnë në Kenia, Kongo dhe Sudanin Jugor, por ata dihen. Ata udhëheqës ekstremistë, të cilët i kanë dërguar familjet jashtë vendit, teksa shkatërrojnë jetë të pafajshme këtu, duhet të kuptojnë se këta anëtarë të familjes nuk do të jenë të mirëpritur më. Fatkeqësisht, analistët, të cilët e kanë kumbuar kambanën e vdekjes për qeverinë somaleze gjatë viteve të fundit, po e shtojnë krizën. Shumë "ekspertë" tregtojnë thashetheme, shpesh të përhapura nga somalezët, të cilët fshihen rehatshëm hoteleve të Najrobit, duke sugjeruar se ky është "sulmi i fundit". Raporte të tilla e tmerrojnë popullatën somaleze dhe ndihmojnë ekstremistët. Qeveria në Mogadishu vazhdon të theksojë zotimin e saj ndaj procesit të paqes, dhe është e hapur ndaj të gjithë somalezëve, të cilët dëshirojnë të promovojnë kthimin e paqes dhe stabilitetit në shtetin e tyre.

Është gjerësisht i pranuar fakti që paqja në njërin nga konfliktet më të gjata të kontinentit do të kërkojë dialog të vazhdueshëm, ashtu sikurse u bë gjatë Marrëveshjes për Paqe të Djibout-it, që u ndërmjetësua nga OKB-ja. Situata në Somali duhet ta shqetësojë komunitetin ndërkombëtar. Me ndihmë, ky konflikt mund të marrë fund si luftërat e tjera të brendshme, të cilave nuk u është parë fundi, por të cilat, në fund janë shuar. Nëse qeveria somaleze ia arrin të mbahet, nuk do të mund t‘i zgjidhë të gjitha problemet përnjëherë; ende do të ketë pirateri, rrëmbime dhe vrasje të planifikuara. Por komuniteti ndërkombëtar do ta ketë një partner të besueshëm në Mogadishu, i vendosur për paqe dhe dialog.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›