E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota festoi Vitin e Ri

Milarda njerëz në të gjithë botën pritën vitin e ri me fishekzjarre dhe festa nëpër rrugë, por edhe në mesin e masave të larta të sigurisë.

Dhjetra mijë vetë brohoritën kur topi tradicional shumëngjyrësh i kristaltë ra në Times Suqare në Nju Jork duke shënuar fillimin e vitit 2010 dhe të një dekade të re të këtij shekulli.

Qyteti ishte nën masa të larta sigurie pas përpjekjes në ditën e Krishtlindjeve për të hedhur në erë një avion që zbriti në qytetin amerikan të Detroitit.

Në Londër më shumë se 200 mijë vetë kishin mbushur brigjet e lumit Tamis për të parë manifestimin me fishekzjarre në rrotën e madhe të quajtur Syri i Londrës, përballë ndërtesave të parlamentit dhe nën tingujt e orës Big Ben.

Më parë rreth 120 mijë vetë ngritën dolli në Sheshin e Kuq në Moskë dhe dëgjuan fjalë inkurajuese nga presidenti Dmitri Medvedev, megjithëse vendi është në një krizë të rëndë ekonomike.

Në Spanjë, që mori presidencën e radhës të BE-së në mesnatë, mijëra vetë morën pjesë në një shfaqje dritash dhe muzike në sheshin qendror të Madridit Puerta del Sol ku ishte projektuar në një ndërtesë një imazh gjigant i flamurit të BE-së.

Ora e parë e vitit të ri u prit me fishkezjarre e festa nëpër rrugë e lokale në qytetet e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë.

Festa globale filloi në Paqësorin Jugor - në Australi rreth 1,5 milion vetë ndoqën në Molin e Sidnejit, manifestimin tradicional të fishekzjarreve nga Ura e Molit të Sidnejit. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›