Bota flash/Lajmet më të fundit në politikë, aktualitet, ekonomi, kulturë
Gazeta Tirana Observer do të botojë çdo ditë rubrikën Bota flash. Në këtë rubrikë do të gjeni lajmet më interesante që kanë ndodhur në të gjitha anët e globit.
Zgjedhja e Papës, Konklava nis më 12 mars
Më 12 mars do të nisë procesi zgjedhor nga ku do të dalë emri i personit që do të udhëheqë Selinë e Shenjtë dhe gjithë besimtarët katolikë në të gjithë botën. Kështu vendosën kardinalët e mbledhur ditën e premte në Vatikan. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, At Federico Lompardi tha se 12 marsi do të nisë me meshën e posaçme (Pro Eligendo), që mbahet para nisjes së çdo Konklave. Pasditen e 12 marsit, të gjithë kardinalët zgjedhës do të mbyllen në Kapelën Sistine për të zgjedhur në fshehtësi të plotë emrin e Papës së ri. Procesi në 100 vitet e fundit nuk ka zgjatur asnjëherë më shumë se sa 5 ditë dhe as këtë herë nuk pritet të ketë proces të stërzgjatur, nisur nga fakti që Vatikani dhe besimtarët katolikë shpresojnë të keni emrin e Papës së ri para 17 marsit për të nisur ceremonitë për Pashkët. Numri i kardinalëve votues do të jetë 115 që do të thotë se për të patur një Papë duhen të paktën 77 vota. Të martën pasdite do të jetë tymi i parë. Nëse tymi do të jetë i bardhë, Konklava ka zgjedhur Papën, nëse tymi është i zi nuk është zgjedhur.
Trupi i Hugo Chávez pritet të balsamoset si Lenini
Venezuela zhvilloi dje funeralin shtetëror për presidentin e saj të vdekur Hugo Chávez. Në homazhe morën pjesë shumë krerë shtetesh dhe qeverish nga gjithë bota, veçanërisht nga Amerika e jugut dhe ishujt Karaibe. Ndër to merrte pjesë presidenti i Kubës Raul Kastro, ai i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Ndërsa nga gjithë liderët e Amerikës latine, nuk mori pjesë presidenti i Paraguajit për shkak se Venezuela nuk e njeh legjitimitetin e qeverisë së tij dhe presidentja e Argjentinës. Për shkak të pjesëmarrjes së madhe të njerëzve që kalojnë pranë trupit të tij, Chavezi do të qëndrojë edhe për shtatë ditë të tjera në Akademinë ushtarake në Karakas, pas funeralit. Pas përfundimit të ditëve të zisë së “komandantit të tyre”, sipas zevëndëspresidentit Nicolas Maduro, trupi i Chávez-it do të balsamoset dhe të vendoset në një arkivol prej qelqi, ku do të dërgohet më pas në Muzeumin ushtarak të Revolucionit afër Pallatit presidencial, që të shihet përjetësisht nga populli.
DSS: Daçiç është kryeministër
i rremë, Kosova është serbe
Në një deklaratë të zëdhënësit të DSS-së, Petar Petkoviç thuhet se, nuk është gënjeshtër kur thuhet se Kosova është serbe, ashtu siç ka thënë Daçiç, por gënjeshtër është kur thuhet se Daçiq mbron interesat kombëtare dhe shtetërore serbe. Daçiç në kuptim të plotë ka poshtëruar pozitën e kryeministrit dhe ai nuk e meriton që të jetë kryetar i Qeverisë së Serbisë. Pasi që Daçiç në fakt nuk udhëheq me qeverinë por nënkryetari i SNS-së, me të drejtë mund të themi se Daçiç është kryeministër i rremë, ka thënë Petkoviç. Kryeministri i Qeverisë së Serbisë, në një intervistë në revistën javore serbe NIN, ka deklaruar se për dhjetë vjet më radhë është gënjyer se Kosova është e jona.
Arrestohet dhëndri i Bin Laden,
gjykohet për konspiracion kundër SHBA
Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se Sulaiman Abu Ghaith do të dalë në gjyq nën akuzat për konspiracion për të vrarë qytetarë amerikanë. Kongresisti republikan nga Nju Jorku, Peter King, vlerësoi agjentët e CIA-s dhe FBI-së dje për kapjen Abu Ghaith-it kohët e fundit në Jordani. Një gazetë turke njoftoi se Abu Gaith u kap në një hotel luksoz në Ankara. Burimet thanë se ai u deportua më pas në Jordani, ku agjentë amerikanë të zbulimit e morën nën vërejtje. Zyrtarët turq refuzuan të komentonin për njoftimin e gazetës. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, tha se arrestimi i Abu Ghaith-it tregon se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të nxjerrin para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për sulmet më 11 shtator 2001.
SHBA: Senati miraton drejtorin e ri të CIAs
SHBA Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi kandidatin e Presidentit Barak Obama si drejtor të Agjencisë Qendrore të Zbulimit amerikan, këshilltarin e kundërterrorizmit, Xhon Brenën. Me 63 vota pro dhe 34 kundër mori fund një proces kontradiktor që u shty mes debateve të ashpra lidhur me përdorimin e avionëve pa pilot. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na sjell hollësi. Me më shumë se 30 vjet përvojë në çështjet e zbulimit amerikan, aftësia e Xhon Brenënit për të drejtuar CIA-n nuk u vu asnjëherë në diskutim. Në fakt, pjesa më e madhe e debateve lidhur me emërimin e tij nuk kishte të bënte fare me vetë zotin Brenan. Gjatë debatit për konfirmimin e tij muajin e kaluar, senatorët i bënë shumë pyetje Xhon Brenënit lidhur me goditjet e avionëve amerikanë pa pilot në Jemen dhe Afganistan. Në fillim të kësaj jave, republikanët kërkuan përgjigje nga administrata Obama rreth mundësisë së përdorimit të avionëve të tillë për të vrarë amerikanë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Kur Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder nuk e përjashtoi përdorimin e tyre, Senatori Rand Pol foli në Senat për 13 orë rresht të mërkurën për të shtyrë votimin për konfirmimin e zotit Brenën. Presidenti thotë se nuk kam vrarë njeri deri tani. Ai vazhdon më tej duke thënë se nuk synoj të vras amerikanë, por mund të vras. Nuk është kjo e mjaftueshme? A jemi ne të kënaqur me këtë përgjigje? Republikanë të tjerë e kritikuan Senatorin Pol. Senatori Xhon Mekein e quajti qesharake edhe sugjerimin se presidenti mund të angazhojë avionë pa pilot për të vrarë shtetasit amerikanë në situata jo emergjente. Pak para votimit, Senatori Pol tha se ishte i kënaqur me një letër që kishte marrë nga Prokurori i Përgjithshëm Holder, në të cilën ai shpjegon se në fakt presidenti nuk ka autoritetin të përdorë avionët pa pilot për të vrarë ndonjë amerikan që nuk është i angazhuar në luftime në tokën amerikane. Agjencia Qendrore e Zbulimit amerikan kishte mbetur pa drejtor që kur Dejvid Petreas dha dorëheqjen vitin e kaluar, fakt që u vu në dukje nga kryetarja e Komisionit të Senatit për Zbulimin, Dajen Fainstain. Para se të shërbente si këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për kundër terrorizmin, zoti Brenën kishte patur një karrierë të gjatë në Agjencinë Qendrore të Zbulimit amerikan që kishte filluar në vitin 1980.