LAJMET ME TE FUNDIT NGA BOTA
Irani padi ndërkombëtare kundër
filmit Argo dhe Hollywood-it
Filmi Argo, fitues i çmimit Oscar si filmi më i mirë dhe një sërë çmimesh të tjera, përfshirë ato Bafta që iu dorëzua regjisorit të tij, Ben Affleck si regjisori më i mirë, mund të jetë në qendër të një padie ndërkombëtare të ngritur nga Irani. Argo flet për përpjekjet e agjentit të CIA-s, Tony Mendez për nxjerrjen gjallë nga Irani të 6 pengjeve amerikane të bllokuar në Teheran gjatë asaj që njihet si kriza e pengjeve në vitin 1979, kur protestat popullore rrëzuan regjimin e Shah-ut dhe vendosën Republikën Islamike. Shtypi në Iran flet për një padi kundër gjithë Hollywood-it dhe kinemasë amerikane ku baza do të jetë Argo. Teherani pretendon se filmi nuk jep një tablo reale të situatës në Iran dhe se ka deformuar faktet historike. Agjencia e lajmeve FARS shkruan se dhënia e çmimit Oscar për Argon ka qenë një vendim i frymëzuar politikisht dhe si provë për këtë përmend dorëzimin e çmimit nga Zonja e Parë të Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama. Përfaqësuesja ligjore e Teheranit në padinë që mund të ngrihet brenda pak javësh, pritet të jetë avokatja franceze, Isabelle Coutant-Peyre, e bërë e famshme për martesën e saj me terroristin venezuelian, Ilich Ramirez Sanchez, i njohur ndryshe si Carlos Çakalli.
Thaçi përgënjeshtron Nikoliçin
se Prishtina ka lëshuar pe
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili pas takimit të martën në mbrëmje me shefen e diplomacisë evropiane, baroneshën Catherine Ashton tha se Prishtina ka lëshuar pe dhe është pajtuar që të ndryshojë ligjet dhe Kushtetutën. Beogradi ka kërkuar autonomi me autoritet legjislativ dhe ekzekutiv për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por kjo kërkesë vazhdon të refuzohet nga Prishtina, e cila pajtohet që komunat serbe të kenë asociacionin e tyre, por jo të kenë kompetenca legjislative dhe ekzekutive. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, raportoi të martën para deputetëve të kuvendit të Kosovës për takimet në Bruksel. Dëshiroj të sqaroj para jush se deklarata e mbrëmshme e Nikoliçit përveç që tregon papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, një gënjeshtër e kulluar. Ju e dini që ata humbjet gjithmonë i shpallin si fitore, tha kryeministri Hashim Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se asociacioni i komunave serbe për të cilin pajtohet Prishtina është plotësisht në pajtueshmëri me kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
Falkland voton sundimin britanik, vetëm 3 vota kundër
Njerëzit që jetojnë në Ishujt Falkland votuan për mbetjen nën sundimin britanik. Rezultatet e referendumit dyditor të ishullit treguan se 98 për qind kanë votuar që të mbesin nën Britani. Vetëm tre votues kanë votuar kundër qëndrimit nën Britaninë e Madhe. Rreth 92 për qind të 1 mijë e 672 qytetarëve me të drejtë vote, kanë marrë pjesë në referendumin, i cili është hedhur poshtë nga Argjentina, e cila konsideron se Islas Malvinas, siç i quan Ishujt Falkland, janë pjesë e territorit të saj kombëtar që janë marrë nga britanikët 180 vjet më parë. Qeveria Britanike mirëpriti rezultatin dhe nxiti të gjitha vendet që të pranojnë dhe të respektojnë dëshirat e popullit të këtij ishulli. Të dy shtetet kanë zhvilluar një luftë të shkurtër, por të përgjakshme për ishujt në vitin 1982. Argjentina thotë se i ka trashëguar këto ishuj nga kurora spanjolle në vitin 1767 dhe se këto ishuj ishin zaptuar nga Britania në vitin 1833.
Tina Turner, thjesht më e mira
E ka shijuar suksesin për dekada të tëra që kur u bë e famshme në fillim të viteve 60, por kjo nuk do të thotë që Tina Turner nuk është më e vlefshme për kopertina revistash. Revista Vogue nuk e ka pasur kurrë protagoniste kryesore këngëtaren amerikane dhe ka vendosur që për herë të parë ta fotografojë në moshën 73-vjeçare. Edhe pse është shumë më e vjetër se shumica e modeleve të kopertinave, Tina Turner duket e mrekullueshme në versionin gjerman të revistës. Tina Turner bëhet kështu femra më e vjetër që ka pozuar për revistën Vogue. Më parë rekordi mbahej nga Meryl Streep, kur pozoi për versionin amerikan të revistës në moshën 62-vjeçare, vitin e kaluar. Tina Turner ka shitur rreth 200 milionë albume gjatë karrierës së saj dhe ka fituar 4 çmime Grammy. Tina Turner është tërhequr nga jeta publike në vitin 2009 dhe aktualisht jeton në Zvicër me partnerin e saj Erwin Bach.
Procesi
Vatikan, nis votimi për Papën e ri
115 kardinalët me të drejtë vote janë mbyllur dje në Kapelën Sistine ku do të zgjedhin në izolim dhe sekret të plotë emrin e Papës së ri që do të udhëheqë Vatikanin dhe gjithë besimtarët katolikë në mbarë botën. Rreth orës 17:20 të pasdites së djeshme u shqiptua Extra Omnes, ose ndryshe të gjithë jashtë që nënkupton nisjen e procesit të votimit për zgjedhjen e Papës së ri. Prej shekujsh zgjedhja e Papës së ri ka qenë një prej riteve më misterioze dhe të panjohura, e këtë herë duket se Selia e Shenjtë ka marrë masa më të forta për të shmangur daljen e çdo lloj informacioni. Gjithë këto ditë çdo kardinal gjatë lëvizjeve ka qenë i shoqëruar nga dy punonjës të xhandarmërisë së Vatikanit. Me fillimin e Konklavës kardinalet do të kontrollohen në hyrje dhe në dalje. Por masat më të rrepta janë marrë për të ndaluar komunikimin e tyre nëpërmjet mjeteve të reja të telekomunikacionit dhe mesazhet e tyre në rrjetet sociale. E gjithë zona e Kapela Sistine dhe e Santa Martës, ku do të jetojnë kardinalët, është izoluar nëpërmjet një lloj kafazi të Faradejit, një sistem që bllokon çdo valë elektromagnetike. Kontrolli i valëve bëhet edhe nga pajisje të vendosura mbi disa automjete lëvizin vazhdimisht në kopshtet e Vatikanit. Asgjë nuk duhet të hyjë nga jashtë ose të dalë, as nga ana vizive, jo rastësisht edhe dritaret e Kapeles Sistine janë errësuar. Kohëzgjatja e Konklavës nuk dihet saktësisht, por ajo që është e sigurtë është që Kardinalët do të votojnë 4 herë në ditë deri në momentin e kur një emër merr dy të tretat e votave. Zgjedhja ose jo e Papës do të komunikohet nëpërmjet ngjyrës së tymit që do të dalë nga oxhaku çdo ditë. nëse ngjyra e tymit është e bardhë nënkuptohet se besimtarët katolikë janë bërë me një Papë të ri, ndërsa nëse ngjyra e tymit është e zezë, kardinalët nuk kanë mundur të zgjedhin emrin udhëheqës.