E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota, nën kthetrat e mashtruesve

Mbikëqyrësit amerikanë të tregjeve financiare janë të shqetësuar për shtimin dramatik të "skemave piramidale" të mashtrimit financiar në SHBA gjatë muajve të fundit, njoftoi dje gazeta britanike "Financial Times".
Pas zbulimit të mashtrimit të stërmadh të Bernard Madoff, i cili pati krijuar gjatë viteve të shkuara një skemë piramidale që hëngri 50 miliardë dollarë dhe tronditi të gjithë botën, hetuesit e krimit ekonomik në SHBA thonë se brenda këtij viti "disa qindra skema piramidale mund të zbulohen".

Bart Chilton, një komisioner në organin mbikëqyrës të tregtisë së mallrave dhe kontratave të së ardhmes, tha se "po zbulonin më shumë mashtrime se kurrë më parë" në të gjitha segmentet e tregjeve financiare.

Që nga janari i këtij viti, mbikëqyrësi ka denoncuar 15 raste të dyshuara për mashtrim, ndërkohë që gjatë të gjithë vitit 2008, kishte pasur vetëm 13 raste të denoncuara.

Mashtrues po zbulohen në të gjithë Amerikën. Shumica janë skema të "vogla" piramidale që përfshijnë investime në rendin e 50 milionë dollarëve, por fenomeni është shumë shqetësues për shkak se dhjetëra mijëra amerikanë kanë dalë sakaq të humbur nga mashtrimet ndërsa besueshmëria e institucioneve të tjera financiare në vend po ulet me shpejtësi. Tani çdokush që ofron përfitime në përqindje dyshifrore shihet si një mashtrues i mundshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›