E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje sekret me Greqinë për detin Jon

Shqipëria dhe Greqia janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për nëndetin e Jonit, një marrëveshje që përfshin të drejtat e eksplorimit për naftë dhe gaz, por qeveria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim konkret publik mbi këtë çështje. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, deklaroi të premten se është i kënaqur me mbylljen e negociatave me Shqipërinë mbi ndarjen e tabanit të detit Jon dhe zonave të tjera detare në rajon.

"Marrëveshja është plotësisht e bazuar në rregullat e OKB-së mbi ligjin e detit", deklaroi Karamanlis duke iu përgjigjur një gazetari në një konferencë për shtyp në Bruksel.

As qeveria shqiptare dhe as ajo greke nuk kanë dhënë shpjegime të mëtejshme për këtë marrëveshje. Problemi doli për herë të parë në vitin 2004, kur një kompani e vogël britanike fitoi një koncesion për kërkim nafte dhe gazi në bregun e Jonit pranë Sarandës. Në këtë çast, u zbulua se të drejtat territoriale të shfrytëzimit të tabanit të detit në ngushticën e Korfuzit dhe më gjerë mes bregut shqiptar dhe ishujve grekë, ishin të parregulluara me një marrëveshje. Sipas ligjit ndërkombëtar, Kanali i Korfuzit është i hapur për lundrim për të gjitha anijet, por e drejta e shfrytëzimit të tabanit të detit, ose më saktë, vija e kufirit mes dy vendeve qe e paqartë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rregulla për zgjidhjen e këtyre marrëveshjeve. Sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, vendet kanë të drejta ekskluzive ekonomike deri në 200 milje detare nga bregu i tyre, por këto të drejta mund të shtrihen edhe më tej në rast se tabani i detit është vijim i rajonit gjeografik të tokës. Kjo pjesë e ligjit ndërkombëtar lë shumë hapësira për interpretim, gjë që ka krijuar mosmarrëveshje deri në përplasje të armatosur mes vendeve të ndryshme. Por në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, duket se gjithçka është zgjidhur me mirëkuptim të plotë, me përjashtim të faktit se asgjë nga bisedimet që sollën marrëveshjen nuk është bërë publike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›