E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT, diplomat e reja "zbardhen" këtë javë

Modeli i diplomave që ofron Universiteti i Tiranës, sipas sistemit të Bolonjës, pritet të miratohet javën e ardhshme.

Burime zyrtare të UT-së bëjnë të ditur se miratimi i diplomave, në bazë të ndryshimeve të përcaktuara, do të kryhet në datën 25 mars, në mbledhjen e radhës së senatit. Mësohet se pas përcaktimit të modelit konkret të diplomës së re, ajo iu shpërnda edhe studentëve, të cilët dhanë sugjerimet e tyre mbi elementet grafike shtesë.

Specialistët e Universitetit të Tiranës pohojnë se përveç elementeve të reja që kanë shtuar fakultetet, diplomat do të përmbajnë detyrimisht stemën e Republikës së Shqipërisë, emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë që e lëshon, emërtimin e institucionit përkatës, emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit, vendin, datën e lindjes, emërtimin e diplomës, datën e mbrojtjes së tezës së diplomës, numrin e amzës, matrikulimi i studentit, numrin e diplomës, datën e lëshimit të diplomës.

Në mbledhjen e senatit të UT-së pritet të diskutohen edhe çështje të tjera, si shqyrtimi i vërejtjeve të ministrit të Arsimit për projektstatutin e UT-së, zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit të Etikës së Universitetit, miratimi i marrëveshjes me Universitetin e Torinos në Itali etj.

Sipas burimeve të UT-së, në këtë mbledhje pritet edhe rishqyrtimi i udhëzimit "Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë", shqyrtimi i propozimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Sociale për ndarjen e Departamentit të Filozofisë dhe Sociologjisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›