E Shtunë, 31 Tetor 2026

22 marsi, kremtohet dita botërore e ujit

Data 22 mars është shpallur prej vitit 1992, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si dita botërore e ujit, ditë në të cilën në shumë vende të botës organizohen aktivitete, me synim ndërgjegjësimin e opinionit për mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin racional të burimeve ujore. Sipas statistikave, në botë vetëm 3% e ujit është i freskët, ndërsa 97% ndodhet në dete dhe oqeane. Po ashtu, vetëm 1% e ujit që ndodhet në tokë është i pijshëm. Situata në fushën e ujërave në nivel ndërkombëtar paraqitet mjaft problematike. Sipas statistikave, 18% e popullsisë së botës nuk kanë akses për ujë të pijshëm të pastër dhe 40% nuk kanë akses për shërbime kanalizimesh. Deri në vitin 2030, pothuajse gjysma e popullsisë së botës do të jetojë në zona, ku do të ketë mangësi akute në furnizimin me ujë, rezulton nga raporti i OKB-së, që u bë publik ditët e fundit, gjatë punimeve të Forumit Botëror të Ujit në Stamboll. Autorët e raportit bëjnë thirrje për përmirësimin e menaxhimit të krizës, shkaktare të së cilës janë kryesisht ndryshimet klimatike dhe shtimi me ritme të shpejta i popullsisë që shoqërohet dhe me shtimin e kërkesës për energji. Këto janë vetëm disa nga faktorët që po e vënë gjithmonë e më shumë në vështirësi burimin e shtershëm me ujë të pastër të botës. Sipas raportit të OKB-së, vitet e ardhshme, sidomos në vendet në zhvillim, mangësitë akute në furnizimin me ujë do të bëhen gjithmonë e më shumë pjesë e realitetit. Raporti thotë se sfidat që shtrihen përpara janë të mëdha, por jo të pakapërcyeshme. Për këtë kërkohet marrja urgjente e masave, si investime në infrastrukturë, në konservimin dhe në skemat e riciklimit të ujit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›