E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, të ardhurat në rënie në janar

Buxheti i shtetit shënoi rënie të të ardhurave fiskale gjatë janarit 2009 në krahasim me planin, gjë që ndodh për herë të parë në shumë vjet, bëhet e ditur nga të dhëna të Ministrisë së Financave.

"Në fund të muajit janar 2009, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 23.2 miliardë lekë ose rreth 4.15% më pak se parashikimi. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 21.4 miliardë lekë ose 5.5% më pak se parashikimi", thuhet në buletinin e përmuajshëm ekonomik të Financave të publikuar së fundmi.

Gjatë viteve të shkuara të ardhurat e buxhetit në muajt e parë të vitit kanë tejkaluar planin me 5-10% për shkak se në këtë periudhë paguhen taksat vjetore të biznesit të vogël. Rezultatet e janarit nxjerrin në pah ngadalësimin e ekonomisë së vendit dhe pasqyrojnë gjerësisht rënien e volumit të tregtisë së jashtme gjatë këtij muaji.

Rezultatet e janarit vënë në diskutim të gjithë planifikimin financiar të qeverisë për vitin 2009. Qeveria ka bazuar llogaritë e veta në rritje reale 6% dhe rritje nominale prej 9% të ekonomisë. Për rrjedhojë, plani i të ardhurave është llogaritur të rritet me 15% këtë vit, shifër kjo shumë jorealiste, po të marrësh parasysh krizën financiare globale. Pas tkurrjes së të ardhurave, qeveria do të detyrohet të marrë masa për të zvogëluar shpenzimet, por ekspertët thonë se për këtë çështje ka shumë pak hapësirë për të manovruar. Qeveria ka planifikuar të rrisë borxhin e brendshëm me 41 miliardë lekë këtë vit, por nga rezultatet e deritanishme, gjetja e këtyre parave në tregun e brendshëm bankar po rezulton një proces i vështirë. Pavarësisht se interesat e bonove të thesarit kanë arritur në maksimumin shumëvjeçar prej 9.2%, bankat nuk kanë mbuluar të gjithë kërkesën e qeverisë për borxh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›