E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tanket izraelite tërhiqen nga Rripi i Gazës

Konflikti Përplasja ka qenë më e përgjakshmja që nga lufta e Gazës në vitin 2008

Trupat dhe tanket izraelite janë tërhequr nga Rripi i Gazës, deklarojnë dëshmitarët, duke i dhënë fund sulmit në zonën e qeverisur nga Hamasi pas përplasjes së armatosur, që çoi në vdekjen e dy ushtarëve izraelitë dhe të një militanti palestinez. Bëhet fjalë për episodin më të rëndë të shënuar në 14 muajt e fundit. Procesi i paqes në këtë zonë duket sikur u frenua pas vendimeve të Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja në Jerusalemin Lindor. Kjo gjendje shkaktoi në këto javë sulme sporadike raketore të nisura nga Gaza, të cilave Izraeli iu përgjigj me një seri sulmesh ajrore. Përplasja ku izraelitët thonë se kanë vrarë dy palestinezë ka qenë më e përgjakshmja që nga lufta e Gazës, që zgjati tri javë në ndërrimin e viteve 2008-2009 dhe që shkaktoi vdekjen e 1400 palestinezëve, pjesa më e madhe civilë. Ndërkaq ky konflikt ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Kreu i diplomacisë europiane, Catherine Ashton, deklaroi se është shumë e shqetësuar për këto përplasje dhe u bëri apel izraelitëve dhe palestinezëve për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës. “Jam shumë e shqetësuar për lajmet e fundit mbi dhunën në Gaza dhe përreth kufirit me Izraelin. Të gjithë i trembemi humbjeve të jetëve të pafajshme njerëzore”, deklaroi përmes një komunikate Ashton, që kohët e fundit bëri një vizitë në këtë zonë. “I bëj apel të dyja palëve që të ndërpresin dhunën. Këto veprime pengojnë përpjekjet për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme. Rifillimi urgjent i negociatave mbetet thelbësore”, shtoi ajo.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›