E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota përshëndet marrëveshjen SHBA-Rusi

Zyrtarët më të lartë botërorë kanë përshëndetur pajtimin mes Rusisë dhe SHBA-së, në lidhje me reduktimin e armatimit strategjik bërthamor, marrëveshje kjo e cila do të nënshkruhet më 8 prill në Pragë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki moon, theksoi se marrëveshja paraqet një kthesë të rëndësishme në përpjekjet globale për eliminimin e armëve bërthamore, ka njoftuar OKB-ja.

Ai shprehu shpresën se marrëveshja e re do të ratifikohet pa vonesë, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i shpejtë i saj dhe shtoi se marrëveshja do t’i jep një nxitje Konferencës për revidimin e marrëveshjes për mos-zgjerim bërthamor, e cila do të zhvillohet në maj dhe do të kryesohet nga OKB-ja.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se pret ratifikimin e sinkronizuar të marrëveshjes së re në parlamentet e të dy vendeve, pas nënshkrimit të saj.

“Vendet tona do të fillojnë procesin e ratifikimit menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Me këtë rast duhet të përgatiten edhe disa shtojca, gjë që do të bëhet brenda dy apo tri javëve dhe ky proces nuk është kompetencë e presidentëve”, tha Lavrov, i cili tha se shpreson se procesi i ratifikimit të marrëveshjes do të fillojë në prill.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se marrëveshja e re me Rusinë i tregon vendeve, si Iranit dhe Koresë së Veriut, se mos-zgjerimi i armëve bërthamore është një nga prioritetet kryesore të Moskës dhe Washingtonit.

Në bazë të marrëveshjes së re, Rusia dhe SHBA-ja ruajnë të drejtën për të shqyrtuar kufizimin e mëtutjeshëm të armëve ofensive, në rast se vjen deri te ndryshimi i baraspeshës së forcave kur bëhet fjalë për posedimin e armeve strategjike defensive.

Edhe shefat e forcave të armatosura të SHBA-së dhe Rusisë kanë shprehur kënaqësinë e tyre për shkak të marrëveshjes së arritur mes Obamës dhe Medvedevit.

Shefi i shtatmadhorisë i forcave të armatosura të Rusisë, gjenerali Nikolai Makarov, vlerësoi se marrëveshje e re është në tërësi në përputhje me interesat ruse të sigurisë, ndërsa shefi i Pentagonit, Robert Gates, theksoi se marrëveshja e re nuk do të kufizojë mbrojtjen kundër-ajrore amerikane në Europë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, theksoi se marrëveshja ofron mundësinë që në konferencën e ardhshme të OKB-së të gjitha shtetet të ndërmarrin përpjekje të përbashkëta, për të eliminuar kërcënimin bërthamor, të cilin e paraqesin Koreja e Veriut dhe Irani.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, theksoi se senati do të vlerësojë se a do të ngritë marrëveshja aftësitë mbrojtëse të shteteve perëndimore nga rreziku bërthamor.

Sipas marrëveshjes së re, e cila do të jetë në fuqi 10 vjet, të dy palët duhet të reduktojnë numrin e predhave të stacionuara bërthamore nga 2200 në 1550, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Marrëveshja paraprake mes SHBA-së dhe Rusisë për reduktimin e armëve strategjike bërthamore, e nënshkruar në vitin 1991, skadoi më 5 dhjetor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›