Bota shqiptare në “Florimont”
Moikom ZEQO
Romani “Florimont” i Aimon De Varannesi-it është shkruar në vargje tetërrokëshe, në një frëngjishte të vjetër, plot arkaizma të ndryshme. Nga ana filologjike bie në sy se gjuha e shkruar ka rëndom greqizma, latinizma. Në këtë roman, prej 13.680 vargjesh, ka të shënuara edhe fjalë shqipe, të cilat paraqesin interes.
Në prologun e veprës (vargjet 1-102) autori prezanton figurën e kryepersonazhit. Në qytetin e Durrësit të Albanisë (Shqipërisë) jeton një djalë i ri, i bukur, me veti të larta morale e fuqi të veçantë fizike. Quhet Florimont dhe është i biri i dukës së Durrësit, Mutakas dhe i gruas së tij, Edoria. Ky emër i fundit është emër persian dhe rrjedh nga Edor – Lule (në frëngjisht Florie). Vetë emri i Florimontit është një emër i përbërë nga dy emra: lule e mal dhe do të thotë Lulja e malit. Kemi të bëjmë me një emër metaforë.
Është me interes të vihet në dukje se Florimont, si emër, lidhet me atë të s’ëmës (në përkthimin frëngjisht). Nëna e Florimontit ishte e bija e mbretit persian Fragus. U martua në Durrës me dukën Mutakas, i cili është vendas. Florimonti përshkruhet në moshën e hershme, flitet për edukimin e tij nga një mësues, i cili bëhet babai i dytë, i quajtur Flokar (Floquart), durrsak, tepër i zoti, i ditur, i ndershëm, i fuqishëm. Që në fillim, autori na parapërgatit për nismat e aventurave të ardhshme të Florimontit. Simpatia e autorit është e tëra me këtë figurë, që shtjellohet si një figurë ideale, shembëlltyrë e ndritur e nderit dhe guximit kalorësiak.
Subjekti i romanit është vendosur në shekullin IV para erës sonë, kur jetonte Filipi i Maqedonisë. Në vargjet 129-1672 flitet se Filipi vret një luan e themelon qytetin Filipopol. Ndërkohë, kundër Filipit sulet mbreti i egër Kandiobras, i cili i kërkon atij vajzën. Në këtë lak kohor, Florimonti në Durrës shijon lavdinë dhe nderet e fisnikërisë, ende nuk është ndeshur me të keqen. Një ditë, në pallatin e të atit në vendlindje dëgjon se si gjiganti Gargan (që rronte si despot i egër në Apuli, në një kështjellë jo larg Sipontit) ka dërguar dy bajlozë të tij për t’i kërkuar Mutakas haraçin vjetor. Ky haraç i qe ngarkuar Durrësit si një e drejtë e trashëguar, që Mutakasi e kishte kundërshtuar. Florimontit i ndizet gjaku, nuk pranon t’u nënshtrohet kërkesave të këtij haraçi ofendues për të dhe babanë e tij. Florimonti është njohur ndërkohë me një Zanë – vajzë e mrekullueshme, e cila bëhet mbrojtësja e tij. Zanën e njohu kur ishte te daja i tij, mbreti Medon. U lidh me Zanën e me ndihmën e saj bëri shumë aventura, ku doli fitimtar. Florimonti niset menjëherë në bregun tjetër të Adriatikut, çliron Apulinë nga gjiganti Gargan, duke e shpëtuar edhe Durrësin nga suzereniteti feudal i këtij despoti të urryer.
Më pas historia e Florimontit merr një theks tragjik: ndahet nga Zana e tij mbrojtëse, bie në varfëri të madhe, i zhgënjyer nga falsiteti i bujarisë feudale të viseve italike, pastaj si një “Povre Perdu” (“I Varfëri i Humbur”) futet në shërbimin e princit të Kalabrisë, Risus. Së bashku me këtë princ niset për në Filipopol (vargjet 1685 - 4826). Në këtë qytet Florimonti mëson për pretendimet e mbretit Kandiobras. Ai mëson se ky “mbret i neveritshëm” edhe për Shqipërinë kishte caktuar si haraç të përditshëm për të ngrënë “një njeri të gjallë e një kà”. Florimonti i del në duel dhe e vret mbretin përbindësh Kandiobras. Kjo fitore i gëzoi të gjithë. Vajza e bukur e Filipit dashurohet me Florimontin e martohet me këtë të “Varfër të Humbur”, i cili shpall më në fund se është bir legjitim i dukës së Durrësit të Shqipërisë (vargjet 4827 - 9184). Nga martesa e Florimontit me Ramadanoptan lindi Filipi i Ri, babai i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë që, siç dihet, nga ana e s’ëmës, Olimpisë, qe nga fisi ilir i molosëve (vargjet 9273 - 11526). Në vijim të aventurave famoze, Florimonti shkon e lufton në Kartagjenë, duke çliruar nga burgu i kështjellës Klavegris babanë e tij, Mutakasin, të cilin e ka zënë rob mbreti i vendit. Mbas kësaj fitoreje të re, subjekti përshkruan lindjen e Aleksandrit të Madh, historitë e tij luftarake, lavdinë e madhe si dhe vdekjen në Babiloni (vargjet 11527 - 13603).
* * *
Bota shqiptare në romanin “Florimont” pikëzohet, së pari, në temën e subjektit, që nis në mjedisin e qytetit kështjellor të Durrësit, me përmendjen e trojeve shqiptare, të vetë emrit etnik të Albanisë – Shqipërisë. Së dyti, në emra tipikë shqiptarë toponimikë e antroponimikë. Një emër i tillë, që ka tërhequr vëmendjen e botës shkencore, është ai i mësuesit dhe i edukatorit të Florimontit, durrsakut Florak. Në tekst shkruhet grafikisht ky emër si Floqart, Flokars, Flocars.
Është meritë e studiuesit Ruzhdi Ushaku, i cili i pari ka vënë në dukje se tek antroponimi Flokar kemi një emër të përbërë nga dy fjalë shqipe: Flokë e ar, domethënë, kuptimi del qartë Flokarti, njeri që ka flokë të artë. Ky antroponim nuk mund të nxirret jashtë kontekstit etnogjeografik të subjektit të legjendës dhe sagës durrsake të romanit në fjalë. Ky kompozim shqip – më i vjetri antroponim kompozit i shqipes, dokumentuar si fjalë e shkruar në shekullin XII – duhet të jetë dëgjuar dhe marrë nga Aimon De Varannes-i në vend, në mjedisin shqiptar.
Një emër ilir-shqiptar është ai i Medonit, dhe sidomos ai i qytetit të Durrësit. Emri i Shqipërisë dhe i Durrësit zihet shumë herë në gojë, jepen përshkrime të viseve shqiptare. S’duhet harruar, përkundrazi, se lufta e heroit durrsak Florimontit kundër kërkesave skllavëruese, tipike feudale, të kujton jo rastësisht motivin e madh të eposit mesjetar shqiptar të këngës monumentale të Gjergj Elez Alisë.
A pasqyron subjekti i romanit diçka nga tradita vendase e poezisë gojore shqiptare e këtij motivi? Kjo duhet studiuar seriozisht. Në një pasazh thuhet se Florimonti kishte dhe plagë të rënda dhe mbi kokë i rrinte Zana mbrojtëse (te Gjergj Elez Alia kemi në fakt motrën), që e ndihmoi të fitonte kundër Garganit, Kandiobrasit e përbindshave të tjerë.
Roli i Zanës së Florimontit është si te subjektet e epikës legjendare shqiptare. Ka mundësi që autori Aimon De Varannes-i të ketë qenë vetë në Durrës e pikërisht nga Durrësi të ketë shkuar në Francë. Gjithashtu, me rëndësi është të shënohet se ky hero i tij mbijeton edhe në vepra të tjera të kohës, përmendet si “Florimont i Durrësit” (lëviz si një personazh i njohur në vepra të autorëve të tjerë mesjetarë).
Fakti që në shekullin XII krijohet një roman me një subjekt e hero kryesor nga Durrësi dhe toka shqiptare, tregon se viset tona, historia jonë, legjendat tona, kultura shqiptare, njiheshin edhe më parë në Europë e pikërisht kjo njohje e hershme ka bërë të mundur që në këtë shekull të arrihej të bëhej një vepër voluminoze për publikun e gjerë europian. Studimet e ardhshme do të hedhin më tepër dritë mbi vlerat e këtij romani, informacionin që sjell ai në botën e kulturës e Shqipërisë në Mesjetë.
* * *
Më 1989 kërkova nga një studiuese gjermane të hulumtonte në Universitetin e Getingenit për librin e botuar në këtë qytet, më 1932, nga frankofoni Alfons Hilka për romanin “Florimont”, ku përfshihej tërë teksti në frëngjishten e vjetër, si dhe analiza filologjike, diakronike dhe sinkronike e kësaj vepre tepër të rrallë. Studiuesja (Helga Stein) ma dërgoi gjithë librin të fotokopjuar – që e konsideroj nga gjërat më të çmuara të bibliotekës sime.
Kush është Aimon De Varannes-i?
Prindërit i kishte me origjinë nga krahina e Lionit të Francës. Ka udhëtuar shumë nëpër Ballkan e Kostandinopojë. Më pas u vendos në kështjellën Chatilon, pranë lumit Azurgue, afër Lionit, ku përfundoi edhe romanin nga viti 1188. Romani është një përzierje e habitshme e mitologjisë dhe e historisë.
Dua të tërheq vëmendjen në një fakt jashtëzakonisht interesant për kulturën shqiptare në përgjithësi. Në vitin 1893, mbi 115 vjet më parë, studiuesi J. Psichari ka botuar në revistën autoritative filologjike “Romania”, vëllimi XXII në faqet 158-163, tezën “Le roman de Florimont”: “Romani Forimont: kontribut për historinë e letërsisë – studim për fjalët greke në këtë roman”. Etydi i Psichar-it është dimensionuar në lidhjet filologjike, të glosave greke, që kanë ndikuar dukshëm te vepra e Aimon-it, çka shpjegon lindjen dhe jetën e tij në mjediset greke e ballkanike, si dhe një problem të mirëfilltë shkencor të shkallës së greqizmave në frëngjishten e vjetër, në kontekstin e pjesëmarrjes në kryqëzatat, ku francezët mesjetarë luajtën rol të dukshëm dhe raporteve me greqishten bizantine, më saktë, me vetë shtetin bizantin të kohës. Po Psichar-i na kumton një dëshmi me vlerë historike të dorës së parë, pra kumton se poeti Aimon ka shfrytëzuar për romanin e tij në frëngjisht një “dorëshkrim të vjetër grek, legjendën dhe historinë e Florimontit”, domethënë një tekst më të hershëm, një bazament grek për romanin e tij, që në fakt e ka adaptuar në frëngjisht ose e ka përkthyer në mënyrë krijuese e të lirë.
Ndërsa dorëshkrimin e ka gjetur në një qytet grek, legjendën e Florimontin e ka dëgjuar me veshët e tij dhe e ka mbledhur vetë. Aimon-i është kështu një poet, i cili paraprakisht njeh tekstet e lashta, i shfrytëzon, por edhe, si të thuash, është një mbledhës folklori për legjendën, që lidhet me Durrësin dhe subjektin shqiptar të trimit Florimont.
* * *
Çfarë përfaqëson ky dorëshkrim i rëndësishëm? Pa dyshim që ka qenë më i vjetër sesa shekulli XII. A është një dorëshkrim i greqishtes helenistike, domethënë i periudhës së mesme të shekujve III – IV të erës sonë? Duke u nisur nga e dhëna përmbajtësore e romanit, ngjarjet kanë të bëjnë me historinë e Filipit, babait të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, në shekujt V – IV para erës sonë, kur legjendat për Aleksandrin e Madh bëhen të zakonshme e kanë një lloj ringjalljeje intelektuale e mitike. Meqenëse emri i Shqipëtisë përmendet si “Albania”, ne gjithashtu mund të vëmë në spikamë se ky emër lidhet me shekullin II të erës sonë në hartën e Ptolemeut, gjeografit e eruditit të Aleksandrisë, me emrin e qytetit ilir të Albanopolit në këtë hartë antike. Dihet që mbas antikitetit të vonë (shekulli VI i erës sonë), krishtërimi i fetarizon dhe subjektet, dhe temat, dhe emrat e nuk i pranon legjendat pagane të mirëfillta. Duke patur parasysh se tema e romanit “Florimont” nuk ka një zotërim e një konvertim të plotë të krishtërimit në subjekt dhe në frymën e veprimit të aventurës, mund të shtojmë se dorëshkrimi paraprak në greqisht i ka takuar periudhës së antikitetit të vonë. Pra, është tepër i lashtë për subjektin e mesjetarizuar e të kthyer në një epos kalorësiak. J. Psichar-i shënon, gjithashtu, se poeti Aimon emrin Florimont e ka përkthyer nga emri Eleneos. Fjala “Eleneos” mbetet e errët në kuptimin e sotëm, në kuptimin leksikor është mjaft e rrallë. Në dorëshkrimin e vjetër të shfrytëzuar nga Aimon-i, po edhe në një dorëshkrim tjetër të shkruar në prozë në frëngjishten mesjetare (shih Alfons Hilka “Florimont” në Getingen, 1932, faqe CXLII) flitet për legjendën shqiptare, për gjyshin dhe babain e Florimontit, të cilët (sipas dorëshkrimit) nga një mal i lartë me emrin Eleneos, shikonin “la terre d’Albanie” (tokën e Shqipërisë).
Në këtë dorëshkrim, mali i Eleneos kthehet në frëngjishten e vjetër në ekuivalencën “montaigne flourie” (mal i lulëzuar). Këtë aspekt e ka kapur edhe Alfons Hilka dhe mendon se emri Eleneos në greqisht do të thotë të njëjtën gjë. Këtu e ka bazën konceptuale dhe krijimi i antroponimit Florimont. Po me një nuancë të re kuptimore nga oronimi Eleneos. Florimont zbërthehet në ekuacionin Flor de mont, në kuptimin “Lulja e malit”, ose “Lulmal”, në aspektin e rëndomtë të përgjithshëm, që në këtë rast është personalizuar si emër i përveçëm.
Nuk mund të përcaktojmë sot se ku ndodhet ky mal, në ç’pikë gjeografike, poshtë Jugut të Shqipërisë. Historianët antikë, që nga Homeri, përmendin malet e kultizuar, madje dhe një mal të tillë pranë Dodonës së thesprotëve të Pirros së Madh. Ruzhdi Ushaku mendon se përkthimi në shqip i antroponimit Florimont si Lulja e malit është më afër së vërtetës, sesa përkthimi si Lulja e botës, se fjala frënge mont, monde, ka edhe kuptimin e përgjithësuar të botës. Nga subjekti i romanit shohim qartë se gjeografia e veprimeve janë hapësirat maqedonike të Filipit e të Aleksandrit, hapësirat e Durrësit e të Italisë së Jugut. Kurse hapësirat e Greqisë ishullore dhe të mirëfillta gati nuk përmenden. Pra, hapësira vepruese e legjendës dhe artit të romanit janë vise që lidhen me Shqipërinë antike e mesjetare, në raportet e shqiptarëve me fqinjët.
Ndërsa shkruaja këtë shënim, më ra në dorë një artikull i F. Novatis “Nouvelles recherches sur le Roman de Florimont”, botuar më 1891 në “Revue des langes romanes”, serie 4, t.V. Nga ky studim mësojmë se Aimon De Varannes e ka kompozuar poemën romaneske e epike në bregun e lumit Azergues, në ishullin Barbe, ku janë dhe gërmadhat e kështjellës Varannese. Mbas vitit 1188, ka gjasa që poeti të ketë vdekur. Botimi integral i varianteve (që kanë ndryshime) do të ishte një nismë shkencore e rëndësishme për të kuptuar më mirë këtë vepër. Interesante është gjithashtu të thuhet se personazhi, më saktë kryeheroi i romanit, princi shqiptar i Durrësit Florimont, nga romani i Aimon-it parapëlqehet dhe bëhet i tillë edhe në romane kalorësiake e krijime poetike të autorëve të tjerë. Pra lëviz në subjekte të tjera, është një personazh i shumëfishtë i aventurave të reja. Kjo dukuri letrare është e pashembullt dhe tregon influencën e veprës prej pionieri të Varannes-it.
Është thënë në shkencën historike se emri i Shqipërisë mesjetare del për herën e parë në librat e kronistëve bizantinë, si Mihail Ataliati dhe Ana Komnena, në shekuj XI – XII, në formën Alvanoi, Alvania. Dorëshkrimi grek i vjetër, i shfrytëzuar nga poeti Aimon, na jep të drejtën që të kërkojmë një kufi shumë më të hershëm të emrit të “tokës së Shqipërisë” (Albanisë), sesa shekulli XI e XII. Mjerisht, kërkimet në arkivat e huaja kanë mbetur pezull dhe studiuesit shqiptarë e të huajë të Mesjetës së hershme nuk kanë bërë kërkimet adekuate. Jemi të sigurt se dorëshkrime të vjetra ruajnë shumë enigma shqiptare të mrekullueshme për të ardhmen.
11 Maj 2009