E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmë qytetesh



Astrit LULUSHI
Vjen në qytet me emër të huaj. Edhe emri i tij eshtë i huaj. Ai është pa emër, pa shtëpi, pa punë; ka ardhur në këtë qytet të gjejë lirinë, të shkruajë. Ai nuk është i lirë, ose më saktë nuk shkruan. Ai endet rrugëve qyteti është labirinth. Të gjitha ditët janë njësoj. Ai shkruan pa i thënë njeri, si ai që ndjehet moralisht përgjegjës për veprimet e veta. Po njësoj, ai nuk shkruan pa i thënë njeri, kur mendon se vullneti i lirë - a thua ka vullnet tjetër – është iluzion, dhe ai nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ato që bën ose jo.
Ai shqetësohet, vuan, mendon përtej kufijve të mendjes, a thua abstraktja mund të kufizohet. Shpesh nuk është as edhe një hap larg dorëzimit. Megjithatë, vazhdon të shkruajë dhe të mos shkruajë. Ndjehet i lodhur të shkruajë papushim. Ndonjëherë nuk është në gjendje të mbarojë atë që ka filluar, dhe i bie shkurt të arrijë për atje ku është nisur. Shkruan shkurt por ngjeshur, si gazra që mban ujin e një ene plot, e që vihet në ballë për të luftuar temperaturën. Dhe mes shkrimeve të tij të dështuara jane të gjitha ato që nuk arriti t’i shkruajë.
Në qytetin nga erdhi, ai shkruante dhe nuk shkruante. Endej rrugëve; qyteti ishte labirinth, si korridor burgjesh a çmendine. Njerëzit flisnin me vete dhe largoheshin me frikë nga njëri-tjetri dhe nga ai. Kur rastësisht i binin para në dorë, ai ia jepte lypsit më të parë. Nuk kishte shtëpi. Nuk ishte as i uritur. Vetëm se hante, dhe pastaj e villte të gjithë. Uria për gjithçka ishte e pashuar, ashtu si nata që hënës i duket e përjetshme. Mallkoi qytetin. Nuk donte të vdiste. Pa arsye të dukshme, një mesnatë vere hidhet në det, pa kthyer kokën duke lënë pas qytetin, nga i cili askush nuk mund të ikte pa marrë plagë a gjurmë që një qytet i tillë, si dhuratë, përjetë lë mbi viktimat e veta.

Thurje e pakryer…
Astrit LULUSHI (SHBA)

“Thurje e pakryer” është tregim psikologjik, rrëfim nga zona midis botës reale dhe asaj imagjinare, ku njeriu ndalet, si në kufi, përpara të panjohurës, por me vështrim prapa. Mendimi i tij stepet, si një makinë që ndryshon marshin, para se të marrë rrugën drejt kryqëzimit të paradokseve për të gjetur zgjidhjen; aty ku perceptimi dhe arsyeja takohen.
Tregimi i Fatmir Terziut është ngjarje shqiptare e kohës sonë, ku gjithëkush përpiqet të shërojë plagët e shkaktuara, nga anonimë sigurisht, sepse të gjithë ankohen se kanë vuajtur. Por personazhet e kapshëm, që krijon autori janë vetëm dy: nënë e bijë, viktima të ostracizmit shoqëror e politik disa dekadash, dhe që tani përpiqen te integrohen. Ka edhe të tjerë si ata që enden natën; shohin, shkelin e lenë gjurmë të thella, por nuk shihen.
“Ai ia la çelësat në tryezë… e iku drejt derës… pa e kthyer kokën… Zhurma e përplasjes së saj krijoi një kërcitje. Pastaj një jehonë pushtoi tërë kubenë e dhomës.” Mund të quhet ndryshe edhe “hija” që lë pas gjurmë, në shpirt.
Çfarë fillon si një një histori dashurie, shndërrohet në një seancë heshtjeje shëruese, e dhimbshme, komunikuese nëne e bijë.
Terziu e fut lexuesin në një botë që duket joreale, ku Amanda ka hyrë pas dashurisë së pafat. “-ǒka ndodhur? -Gjak, mama, gjak...-Ku ke gjak, ku...? -Nga gjoksi, mama, nga… -Po jo, moj bijë, të bëjnë sytë.”
Në këtë dialog të shkurtër, zgjuar, Amanda e ndjen veten si në gjumë. Në mes të ankthit ajo thërret për ndihmë a perpiqet të ikë për të shpëtuar, por pikërisht si në gjumë duke parë një ëndërr të keqe, nuk vrapon dot.
Shtrohet pyetja: në ç’botë jeton ajo? Cila është Amanda e vërtetë? Eshtë ajo që sheh veten me gjakun që i rrjedh në lavaman? Apo është ajo që e ëma sheh, Amandën pa plagë në trup, por vetëm të tronditur a në krizë nevore?
Dhe ndërsa shihte Amandën, diçka e mundonte. Pastaj i ngecën sytë „te lëmshi me të cilin thurte trikon." Proces pa fund është puna e nënës. “Eh, tha me vete, sa punë duhet që të thuret një triko… Po kjo e imja duket një thurje e pakryer.”
E pakryer vërtet. Ashtu si një rreth që, kur rritet pafund, nuk është më rreth por vijë e drejtë.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›