E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota uron Topin për festën e pavarsisë

Personalitete të larta të politikës botërore e kanë uruar presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi me rastin e 28 Nëntorit, Festës Kombëtare të Pavarësisë. Në urimin e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon ndër të tjera ka shkruar: "Është një kënaqësi e madhe për mua t'ju përcjell Ju, qeverisë dhe popullit shqiptar urimet e mia më të ngrohta me rastin e Ditës së Pavarësisë". "Në përballjen me sfidat globale që po lindin, Kombet e Bashkuara kanë sprovën më të madhe se kurrë në historinë e tyre. Duke punuar me shtetet anëtare, jam i vendosur për arritjen e progresit në çështjet më të rëndësishme të kohës sonë, hap pas hapi, duke pasur rezultate përgjatë rrugës", theksohet ndër tjera në urimin e Ban Ki-moonit. Ndërkaq presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Horst Koehler në letrën e urimit dërguar presidentit shqiptar shkruan: "Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ju shpreh Juve dhe popullit shqiptar, edhe në emër të bashkëatdhetarëve të mi, urimet e mia më të përzemërta". "Në prill të vitit të kaluar, Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe së shpejti do të bëhet anëtare e Aleancës. Kjo ngjarje historike i miraton përparimet në procesin e reformave, të cilat ka shënuar vendi Juaj. Gjermania do të vazhdojë të shoqërojë si partner hapat e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik", shkruan Koehler. Një mesazh urimi ka mbërritur edhe nga presidenti i Federatës Ruse, Dmitri Medvedev, i cili duke uruar presidentin Topi me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Ditës së Flamurit thekson se, është i bindur se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë të mbështetura në traditat historike, do të zhvillohen edhe më tej "për të mirën e popujve tanë, do të ndihmojnë forcimin e paqes dhe stabilitetin në kontinentin evropian". Mesazhe urimi presidenti Topi ka marrë edhe nga presidenti i Turqisë, Abdullah Gul,presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, Papa Benedikti i XVI, presidenti i Polonisë, Leh Kazinski, Madhëria e Saj, Mbretëresha Elisabet II, Perandori i Japonisë, Ahihito, presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Alijev, presidenti i Republikës së Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev, Sulltani i Omanit, Kabos Bin Said, mbreti i Bahreinit, Hamad Bin Isa Al-Khalifa, ndërkohë që të tjera mesazhe urimi vijojnë të mbërrijnë. Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, sonte organizon një pritje. Në këtë manifestim do të jenë të pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›