E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi për zhvillimin e Ballkanit bën bilancin në Tiranë

Shqipëria këtë vit është pritëse e forumit vjetor që organizohet nga Fondi Europian për Europën Juglindore (EFSE), i cili ka për qëllim përkrahjen e zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit në Europën Juglindore, si dhe në Rajonin e Europës Lindore. Në këtë kontekst, EFSE ka mandatin të përkrahë dhe shërbejë si katalizator i financimit afatgjatë të ndërmarrjeve mikro dhe atyre të vogla (NMV-ve), si dhe kredive për përmirësimin e kushteve të banimit në rajonin e fokusuar. NMV-të janë baza e ekonomive në vendet e financuara nga EFSE. Ato janë lokomotiva kryesore e rritjes, gjenerimit të të ardhurave si dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Si të tilla, atyre ju nevojitet akses në financimin e dhënë nga sektori financiar. Kështu, EFSE ofron përkrahje, kryesisht duke siguruar fonde për financim përmes bankave partnere lokale dhe institucioneve të specializuara mikrofinanciare. Kjo përkrahje ofrohet mbi të gjitha duke u bazuar në ndikimin e saj zhvillimor. EFSE përmbush mandatin e tij, duke ofruar instrumente inovative financiare, të cilat u përshtaten nevojave të partnerëve të tij, si p.sh.: kredi afatmesme dhe afatgjata në valutë të huaj dhe vendase, kredi të nënrenditura, garanci si dhe pjesëmarrje në kapital. Enti zhvillimor i EFSE-s, i financuar pjesërisht nga EFSE, ofron shërbime për ndërtimin e kapaciteteve në formën e asistencës teknike, konsulencës dhe trajnimeve të ndryshme. Këto u ofrohen institucioneve partnere kreditore, duke përforcuar kështu dhe sektorin financiar vendas. Krahas aktivizimit të rritjes së sektorit privat, përmes përkrahjes së sektorit financiar, ideja në EFSE-n është që të krijohet një kornizë mbi bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, me anë të së cilit vendet e përfshira të rajonit të jenë më afër Bashkimit Europian dhe të përforcojnë koherencën dhe koordinimin më të madh të aktiviteteve të donatorëve në rajon. Fondi është themeluar më 15 dhjetor 2005, si partneriteti i parë publiko-privat i llojit të vet, duke bashkuar katër programe të granteve të shumëfishta, të cilat janë menaxhuar nga KfW Entwicklungsbank (Banka Gjermane për Zhvillim). Katër vendet themeluese të Fondit ishin Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, ndërkohë që Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Maqedonia, Gjeorgjia, Moldavia, Rumania, Bjellorusia si dhe Ukraina i janë bashkuar fondit gjatë pesë viteve të fundit. Kapitali total i Fondit kap shumën prej 756 milionë euro, më 31 mars 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›