Biznesi dorëzon statuset, bllokohet QKR
Dorëzimi e statuteve po bllokon Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Drejtori i QKR Tomi Kola, tha dje se, dyndja e bizneseve që duan të dorëzojnë statutet i shteron kapacitetet njerëzore dhe elektronike të QKR, çka bën që shumë biznese që vijnë për çështje më urgjente, të mos marrin dot shërbim. Kola thekson se, nuk ka asnjë penalitet për mosdorëzimin në kohë të statutit dhe bizneset mund ta bëjnë këtë në momentin më të parë që do t’i drejtohen QKR për një shërbim tjetër. Si pasojë e ndryshimit të ligjit 9901 për shoqëritë tregtare, që përcakton se bizneset, persona juridik kanë detyrim të paraqesin statutin e ri të tyre pranë zyrave të QKR-së brenda datës 20 maj 2011, u vërejt fluks i shtuar nga bizneset, çka ka krijuar rrezik të bllokimit të sistemit elektronik në sportelet. “Në zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit ka pasur një fluks të tejskajshëm të bizneseve që kërkonin të kryenin detyrimin e tyre ligjor. Ky fluks ka krijuar probleme në administratë, pasi rrezikohet bllokimi i sistemit, për rregullimin e të cilit ka një kosto shumë të lartë”, tha Kola. Kola deklaroi se “të gjithë bizneset që i prek kjo pikë e ligjit, të mos shqetësohen për sa i përket kapjes së afateve, pavarësisht se ky ua ka kaluar dhe afateve të tjerë që mund të vihen, nuk është e nevojshme të vinë enkas në QKR për depozitimin e statutit të ri”. Kola tha, “mosrespektimi i afatit të paracaktuar nuk do të shoqërohet me penalitete, gjoba”. Sipas tij, kështu do të përfitojnë të dy palët, bizneset nuk do të humbasin kohë në radhë, por do të kryenin njëherësh dy veprime, ndërsa QKR nuk rrezikon avari në sistem. Kola tërhoqi vëmendjen e bizneseve që kur të paraqiten në sportelet e QKR-ve, të kenë me vete edhe statusin e tyre. Ai bën gjithashtu thirrje që e njëjta situatë të mos përsëritet për dorëzimin e bilanceve. Afati i fundit është data 31 korrik, por deri tani vetëm 10 kompani kanë dorëzuar bilancin e vitit paraardhës.
Megjithëse patën rreth tre vjet kohë në dispozicion, shumica e bizneseve që janë persona juridikë vetëm pas skadimit të afatit ligjor janë kujtuar ta përmbushin këtë detyrim. Por stafi i QKR dhe sistemi elektronik e kanë të pamundur ta përballojnë fluksin e këtyre ditëve. Kjo detyron QKR të mbyllë dyert para orarit, duke ju mohuar shërbimin shumë qytetarëve dhe subjekteve që vijnë për çështje më të rëndësishme se dorëzimi i statutit.