E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fond edhe për mjedisin, draft i ri për aksidentet në punë

Aksidentet industriale, shpeshherë edhe me pasojë vdekjen, që ndodhin në disa industri, si ajo nxjerrëse dhe përpunuese e naftës; e prodhimit të çimentos; e çelikut, etj., do të trajtohen nëpërmjet një ligji të veçantë, që është hartuar nga Ministria e Mjedisit me asistencën e Bashkimit Europian. Pavarësisht se aksidentet në punë nga substancat e rrezikshme në vendin tonë nuk janë të shumta, ato vazhdojnë të jenë shqetësuese për autoritetet e mjedisit. Propozimet më të fundit që kanë bërë këto autoritete, për shmangien e këtyre aksidenteve janë të përfshira në një draft, i cili do të diskutohet me të gjithë aktorët e interesit. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka kërkuar ndërhyrje emergjente në të gjitha subjektet që përpunojnë çelikun, në veçanti në Elbasan, si dhe në ato të çimentos.“Krijimi i fondit mjedisor është detyrim imediat, jo thjesht për interes të Ministrisë së Mjedisit, por për interes të qytetarëve shqiptarë dhe çështjeve mjedisore. Krijimi i këtij fondi do bënte që padyshim të kishim një këndvështrim më të gjerë në kuptimin sektorial të çështjeve mjedisore, një menaxhim më të drejtë sa i përket burimeve financiare”, - pohoi ministri Mediu, gjatë prezantimit të këtij drafti. Më tej, ministri i Mjedisit u shpreh se duhet sa më shpejt krijimi i fondit për mjedisin, nëse duam të jemi si shtetet europiane në politikat që ato ndjekin për këtë sektor. Në këtë takim ka marrë pjesë dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, i cili u shpreh se ndihma e BE-së shkon në 2 milionë euro, për të përafruar legjislacionin, por edhe për hartimin e politikave, me qëllim shmangien e tragjedive njerëzore, që mund të shkaktojnë substancat e rrezikshme, por hapi i parë, tha Sequi, duhet të vijë nga vetë autoritetet shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›