E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet me OMGJ, mjekët: Ja rreziqet për shëndetin

Ushqimet e modifikuara gjenetikisht, të njohura ndryshe si OMGJ, po kërcënojnë seriozisht shëndetin e njerëzve, sidomos atë të femrave, për shkak të hormoneve që përmbajnë. Mjekët gjinekologë shprehen se një ndër pasojat është ulja e moshës së menstruacioneve te vajzat, tashmë në 12 vjeç. Drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, thotë se injektimi i ushqimeve me hormone ndikon në shëndetin e vajzave. Një tjetër faktor konsiderohet edhe ndryshimi i klimës në kushtet e ngrohjes globale. Por ulja e moshës së menstruacioneve, ndonëse nuk konsiderohet sëmundje, sipas mjekëve, ajo shoqërohet me një sërë risqesh, pasi ato sjellin marrëdhënie të hershme seksuale. Kështu, megjithëse vite më parë në shoqërinë shqiptare nuk konceptohej që një vajzë e klasës VIII të kryente marrëdhënie seksuale, tashmë ato ndodhin edhe më herët, duke filluar që nga klasa VI apo VII. “Kjo sjell ardhjen e pjekurisë seksuale në një moshë fare të vogël. Më pas kemi sjellje të ndryshme seksuale, që nuk janë të përgjegjshme dhe që rrezikojnë të ardhmen e një vajze”, - thotë Mosiu. Sipas saj, një tjetër risk janë edhe kanceri i mitrës dhe i vezoreve. Nga ana tjetër, sa më e hershme të jetë pjekuria seksuale aq më e shpejtë është edhe periudha e menopauzës. Të njëjtin fakt për uljen e moshës së kryerjes së marrëdhënieve seksuale te të rinjtë e bën të ditur edhe Teuta Pipa, mjeke pranë një shkolle të mesme në kryeqytet. Mjekja e shkollës, duke sjellë si shembull edhe rastin e një gjimnazisteje shtatzënë, tregon se është ulur ndjeshëm mosha kur vajzat nisin jetën seksuale. “Gjimnazistët kanë një interes për të marrë njohuri dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale. Vetëm disa ditë më parë patëm rastin e një vajze 16-vjeçare, shtatzënë”, - thotë Pipa. Sipas saj, ndonëse të rinjtë tashmë shkojnë për t’u konsultuar, një rol të rëndësishëm duhet të luajnë dhe familjet e tyre, sikurse edhe lënda e Edukatës seksuale, që është hequr nga arsimi i detyruar. Organizmat e modifikuara gjenetikisht ndryshojnë nga ato natyrale. Pas viteve ‘90, nga ushqimet bio, Shqipëria u ekspozua menjëherë ndaj produkteve ushqimore të modifikuara, për prodhimin e të cilave përdoren hormone, pesticide apo kimikate të ndryshme, të pakontrolluara, të cilat sjellin pasoja në organizmin e njeriut.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›