E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, si do të dalin rezultatet për katër provimet

SHKRUAN: Jonida Tashi 07-06-2011 11:55

Testet e 41 mijë maturantëve që i janë nënshtruar më 1 qershor provimit të Gjuhë-Letërsisë, pas korrigjimit në 6 qendrat e vlerësimit, do të dorëzohen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP), për t’iu nënshtruar procesit të bashkërendimit të rezultateve, që kryhet në bashkëpunim me APRIAL-in. Sipas procedurës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit, pas grumbullimit të këtyre testeve dhe rezultateve, do të nisë procesi i identifikimit ndërmjet kandidatit dhe pikëve të vlerësimit që ai ka marrë, të cilat do të ekuivalentohen në notë. Procesi i quajtur “Matching” (që është përputhja ose bashkërendimi) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, do të kryhet për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Për këtë, testet e maturantëve, pasi fillon provimi sekretohen, pra pajisen me një barkod, i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë, mësuesit (asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të barkodit nuk njihen me identitetin e maturantëve dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. “Çdo test i plotësuar i një maturanti ka si element dallues vetëm një barkod. Gjatë hedhjes së pikëve të fituara për çdo pyetje, krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Këtë proces e realizon APRIAL. Ndërkohë AKP, në bazë të të dhënave që disponon nga mjediset ku janë zhvilluar provimet, krijon një listë, ku çdo barkodi i bashkëngjitet emri i maturantit. Të dy këto procese realizohen në mënyrë të pavarur. Procesi i hedhjes së të dhënave përfundon kur nuk ka mbetur qoftë dhe një test i paverifikuar, janë eliminuar të gjitha gabimet e mundshme dhe të dy institucionet kanë materialet përkatëse të përfunduara”, - shpjegojnë specialistët e arsimit që merren me këtë proces. Në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë, që quhet “Cutoff”. Pas kësaj, pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Ndërkaq, me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve ç’kodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri, vijat e barkodit me anën e një aparati kthehen në shifra. Ky proces kryhet nga dy institucione: AKP dhe APRIAL, njëri përmban barkodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetri barkodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Në përfundim të këtij procesi, anëtarët e komisionit “Matching” marrin rezultatet, të bashkërenduara me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD) vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve dhe më pas bëhet edhe printimi i rezultateve. Kjo metodologji përdoret për të katër provimet që japin maturantët dhe në përfundim secili maturant në bazën e të dhënave ka katër rezultatet e tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›