Botërori 2010, Dungajep lamtumirën:Ishte komplet faji im
TIRANE- Pas humbjes me Holandën, trajneri Karlos Dunga ka marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë, duke i dhënë praktikisht lamtumirën pankinës verdhjeshile, pasi i skadon kontrata. "Jemi të gjithë të poshtëruar dhe po provojmë një zhgënjim, - tha Dunga. - është i gjithi faji im. Vetëm të futeshe në dhomat e zhveshjes e kuptoje këtë poshtërim dhe zhgënjim që po flas. Në pjesën e parë ishim shumë mirë, ndërsa në të dytën nuk patëm vazhdimësi. Nuk ruajtëm përqendrimin dhe u nervozuam, ndërsa Holanda u rrit. Disa gabime në Botëror kushtojnë shumë, pasi vendoset me detaje. Lojtarët në pjesën e parë më thanë se holandezët po bënin presion tek arbitri, por për këtë duhet të jesh në fushë", tha ai. Ndërkohë, tepër i kënaqur kolegu i tij Bert Van Marvijk. Në fund të ndeshjes ai pranoi se nisja e skuadrës së tij ishte e shëmtuar, por më pas gjithçka ndryshoi. "Në 20 minutat e para nuk isha i lumtur, madje mund të ishim eliminuar, sepse Brazili pati disa raste. U thashë lojtarëve në pushim se duhet të bënim lojën tonë dhe ia dolëm mbanë. Më në fund thyem një tabu me Brazilin, arritëm ta eliminonim. Felipe Melo? Me gjestin që bëri duhet t'i vijë turp, ai nuk është futbollist brazilian". Ndërkohë, Van Persi shprehet: "Kishte vite që nuk e thyenim Brazilin. Në pjesën e dytë luajtëm të gjithë së bashku, pas udhëzimeve të marra nga trajneri. Në pushim të ndeshjes vendosëm të bënim lojën tonë. Shnajder? Me të kam raporte të mira, është një futbollist i madh dhe një djalosh zbavitës".
(Altin Latifi/BalkanWeb)
(Altin Latifi/BalkanWeb)