E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori 2010, FIFA zbret Francën në vazon e katërt

Franca mbetet jashtë "kokave të serisë", ndërsa Maradona është i paftuar. Këto janë dy lajmet që shërbejnë për të rritur tensionin në prag të shortit për Kupën e Botës 2010, të parashikuar të zhvillohet të premten (4 dhjetor) në orën 19:00. Në vend të kampionëve të botës në edicionin e ‘98-ës, FIFA ka "preferuar" të fusë Holandën. Megjithatë sekretari i përgjithshëm i "qeverisë" së futbollit, Zherom Valke, përjashtoi çdo hipotezë se Franca nuk është mes tetë skuadrave të para të Botërorit prej polemikave për golin e Gallas. Rrjeta e cila kualifikoi "gjelat" e Domenek dhe eliminoi Irlandën e Trapatonit, erdhi pas një aksioni ku Henri e kontrolloi topin me dorë dhe u shoqërua me kontestime të ashpra. "Vendosëm të përdorim renditjen e FIFA-s për muajin tetor (në atë periudhë francezët ishin të nëntit). Këtë e bëmë me synimin për të qenë sa më të drejtë, sepse në atë klasifikim, përfaqësueset e të gjitha shteteve kishin zhvilluar të njëjtin numër ndeshjesh", shpjegoi drejtuesi i FIFA-s. Kjo ka bërë që në vazon e parë, pra atë të ekipeve më të forta të jenë Afrika e Jugut, Brazili, Spanja, Holanda, Italia, Gjermania, Argjentina dhe Anglia. Në vazon e dytë u përfshinë Australia, Japonia, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Hondurasi, Meksika, SHBA-ja dhe Zelanda e Re. Kili, Paraguai, Uruguai, Nigeria, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Gana dhe Algjeria ndodhen në vazon e tretë, ndërsa në vazon e katërt është gjysma e mbetur e skuadrave europiane: Danimarka, Franca, Greqia, Serbia, Portugalia, Sllovenia, Sllovakia dhe Zvicra. Pas shpjegimit për metodën e përdorur rreth përcaktimit të "kokave të serisë", Valke ka nënvijëzuar se "përjashtimi" i Francës nuk ishte penalizimi. "Absolutisht jo! Nuk kemi të bëjmë me një sanksion kundrejt Francës", tha sekretari i përgjithshëm. "Mund t‘ju siguroj se episodi i prekjes së topit me dorë nga Henri, i cili ishte një element vendimtar në golin e francezëve, nuk është marrë aspak në konsideratë gjatë përcaktimit të skuadrave që do të bëjnë pjesë në vazon e parë".

Ndërkohë, Diego Armando Maradona "nuk mund të vijë në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në shortin e grupeve të fazës finale të Kupës së Botës. Rregullat janë të qarta dhe ato ia ndalojnë pjesëmarrjen trajnerit të Argjentinës". Deklarata u bë nga Deni Xhordan, presidenti i Komitetit Organizator të Botërorit. Në këtë mënyrë, ai përgënjeshtroi disa lajme të përhapura në media, se "Pibe de Oro" do të ishte prezent gjatë shortit si komentator televiziv, pavarësisht skualifikimit nga FIFA deri më 15 janar, për shkak të ofendimeve ndaj gazetarëve pas ndeshjes me Uruguain. "Maradona është një personalitet i madh, por ai nuk është mes të ftuarve", shtoi Xhordan, duke theksuar se ndëshkimi ndaj teknikut argjentinas nuk vlen vetëm për ndeshjet, por në çdo aktivitet sportiv. "Maradona nuk mund të marrë pjesë në ndonjë mënyrë, shtoi edhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Valke. Pas spekulimeve rreth kësaj çështjeje, i dërguam një faks federatës argjentinase, duke i konfirmuar se trajneri nuk mund të jetë i pranishëm". Gjithçka duket gati për hedhjen e shortit, ku do të marrin pjesë yje të futbollit, të kinematografisë dhe drejtues të lartë shtetesh. Disa nga shifrat janë: 2000 të ftuar nderi, 1715 gazetarë dhe 200 milionë spektatorë "të mbërthyer" përpara televizorit në të gjithë botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›