E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana kërkon "balancë" për një vend në Europë

Mesfushori shqiptar, Lorik Cana, i ka bërë thirrje Sandërlendit që të rivalizojë "balancën" e Çelsit, pasi skuadra humbi shansin që të renditej në zonën europiane të klasifikimit në Premiership. Vetëm një javë pas fitores 1-0 me Arsenalin, "macet e zeza" u treguan sërish të brishtë jashtë fushës së tyre, duke humbur me Uiganin. Të dielën, Sandërlendi luan në fushën e Fulhamit dhe kapiteni shqiptar u kërkon shokëve që të frymëzohen nga blutë. "Trajneri i Çelsit, Ançeloti, tha se faktori më i rëndësishëm në një skuadër është balanca dhe jam plotësisht dakord me të", deklaroi Cana. "Është pikërisht në këtë pikë që Sandërlendi vuan në ndeshjet jashtë fushe. Çfarë është balanca? Për mendimin tim duhet të punojmë më shumë. Si në momentet e mira ashtu edhe në momentet e vështira, duhet të punojmë të gjithë së bashku, në fazën sulmuese dhe në atë mbrojtëse. Ata janë një shembull i mirë për t‘u ndjekur. Natyrisht që nuk mund të pretendojmë të jemi në të njëjtin nivel me Çelsin, por duhet të përpiqemi të marrim këtë aspekt të lojës së tyre". Mesfushori kuqezi vazhdoi: "Detyra ime si kapiten është që të vendos eksperiencën dhe mentalitetin në shërbim të Sandërlendit në sfidat jashtë fushe. Kemi një ekip cilësor, lojtarë shumë të mirë dhe ndodhemi në pozita mjaft të mira në klasifikim, por nuk duhet të lejojmë skuadrat që janë lart të shkëputen më shumë".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›