Nën diellin e fjalës
Kur isha shumë i ri, në shumë arrati të përfytyrimit për t‘u rritur me shpejt aso kohe me tentacione, unë si shumë ëndërrimtarë isha kthyer në seleksionues i fshehur i fjalës poetike. Shkruaja në prozë, pjesëza dhe gjëra të veçanta dhe dalëngadalë mbushja xhepat me copa përfytyrimesh dhe copëza vargjesh të shumta, duke rrëmuar sa andej këndej. Rrija natën vonë shtrirë dhe mendoja për botën dhe të panjohurat e saj dhe i vetmi diell që ngrohte trupin tim me të vërtetë ka qenë poezia. Me net dhe net të tëra baresh dhe kafenesh projektoja njollëza analitike të perceptimeve të mia mbi gjërat që më joshnin dhe më tretnin gjumin. Me siguri që nuk do isha i vetëm, por këtë akt të fshehtë e ruaja me një fanatizëm të pashoq vetëm për vete. Qe anija e ëndrrës që më çonte larg dhe dielli i fjalës ngrohte reshturazi dhe më shëronte për shumë gjatë. Qenë pikërisht këto vite ku unë u takova me poezinë e Ricosit, një ngrehinë diellore ku nuk do mund t‘i rezistoje lehtë një dimensioni të madh njerëzor e luftarak dhe solidar. Takimi i rastësishëm me kryetarin e fondacionit grek në Shqipëri, zotin Jorgos Jakumis... më bëri që t‘i rikthehesha një reference kohore që ka të bëjë në formë indirekte edhe me projektin e këtij fondacioni që e organizon në nderim të poetit të madh Janis Ricos. Sapo filluam bisedën për projektin në fjalë, vajta në shtëpi dhe fillova ta rilexoj sërish poezinë dhe poemat e Ricosit dhe u ndjeva në të njëjtën vlagë ethesh si shume vite më parë në pozitën e një fëmije që thith dhe entuziazmohet nga çdo rresht dhe tingull i përkthyer në shqip. "Mëhallët e botës", një libërth që solli tek unë një lidhje të hershme që më riprojektohej në mes një zhbalancimi të kohës, ku nuk humbi peshë për as dhe një sekondë poezia e tij. Kjo rilidhje më bëri të rikuptoj që një poezi e madhe dhe e vërtetë është e pakohë dhe nuk njeh kufi matës. "Epitaf", "Traktori", "Kënga e motrës sime", "Simfonia e pranverës", "Një mazurkë e vjetër nën ritmin e shiut", "Ikonostasi i shenjtorëve anonimë" qenë disa nga kontaktet e para të krijuara nga Ricosi. Një tjetër fakt që e shton dhe pjesëmarrjen time këtu ishte që Janis Ricosi ishte dhe piktor. Duke shfletuar dhe më parë shenjat e tij vizive, kupton që në një krijimtari do mund të shprehesh me të gjitha mënyrat, duke shfokusuar pjesët e zhanreve në forma të ndryshme prekjesh, si ide të drejtpërdrejta dhe si prekje materiesh që mbarsin fillin e një ideje në një formë të ndryshme. Një nga ngjizjet spektakolare të poetit është dhe natyra si një aleate e madhe në botën e pasurimit të fjalës, por po aq e madhe në mundësitë e shumta për të dhënë mesazhe nga brumi i territorit të artistit. Një lumë, një mal, një ngrehinë,një krevat, një mjet utilitar i çfarëdoshëm, një batanije e zezë, një xhezve kafeje apo një llullë e vjetër, një xhaketë e përditshme a një palë këpucë të përveshura, apo një det i paqtë e i pandërprerë përbëjnë në tërësi dhe një fond jetësor për të artikuluar ndjesitë, për t‘u rrekur pas botës së fjalës dhe për të ndërtuar humnera dhimbjeje dhe gëzimi. Pikërisht këto shkaqe të thjeshta dhe të përditshme në analizën e artistit zhvendosen në universin e tij duke i zhbllokuar elementin kohë dhe duke i sublimuar në artikulimet e tij përmes dhimbjes, patosit dhe qëndrueshmërisë së tij. Po ky terren bëhet një paletë diellore e zbuluar nga fjala e poetit në një thjeshtësi të ashpër e dramatike, duke na rrëqethur me prurjet direkte të ndërfjalës njerëzore dhe duke përfunduar tek artikulimet vizive të tij, ku gjejnë përshtatmëni të përkorë e narrative në të gjithë rrafshin e shprehjes. Arratia e tij dhe në gjuhën e pikturës është në vetvete një pamjaftueshmëri e të qenit deri në fund i realizuar, përderisa e gjithë krijimtaria e tij ndjehet si një bashkudhëtare e gjatë me lexuesin me ulje-ngritjet deri në eksklamacion, kur ai shpërthen në pragjet njerëzore për t‘iu zgjuar ndërgjegjen dhe për t‘i dalë përpara lexuesit pa teklif, pa gajle, drejt dhe në zemër të tij, për të ndaluar pak e për të rimarrë mesazhin që ai lë. Pikërisht për këtë ndalesë m‘u në qendër të njeriut ai këndon për të, për thjeshtësinë, për të qenit në tonus, gjithnjë në lëvizje, në rrethanat që e thërrasin. Ja pse kur jeton Ricosin ndjen një diell të madh ngrohës jo më si një simbolikë letrare, por si një akt i kryer njerëzor me duhma nxehtësie dhe temperamenti mesdhetar. Si një natyrë e qetë çlodhëse, ku duke e kundruar ndjen aromat e luleve dhe goditjen e ngjyrave që të dehin. Ja pse Ricosi shndrin me poezinë e tij jo më nga rrethana të një poezie në hije, por si një poezi diellore që të ngroh dhe të bashkëshoqëron gjatë. Duke parë vizatimet e tij, vë re menjëherë që ai ka ngut për të prekur valën njerëzore, duke mos e përcjellë atë në një gjurmë të rehatshme të kulturës së shprehjes, por për ta zhvendosur atë në një zall të papërsëritur materiesh dhe shenjash pa fund. Portretet e tij nëpër gurë janë një shenjë tjetër e padurimit për të kryer njësh shenjën vizuale dhe kontekstin e fortë të materies, duke e bashkuar në një tendencë. Ja pse kur artisti duket nuk se ka nevojë për një ngrehinë të rehatshme prehjeje të tij, pasi ai arratiset shpesh dhe në lëvizje, lë shenja në fjalë, shenja në prekje dhe po të qe e kapshme, dhe ulërin në bosh për ta ridëgjuar gjallimin e tij si jehonë. Të shumtë e dëgjojnë poetin dhe pa hapur gojë në një gjest, në një vështrim a marsh lufte, dhe më pas vjen historia, ajo ushtri e ngurtë fjalësh për ta ridëshmuar këtë fakt. Siç bëjmë ne para tij. Një rikthim në shpatullat e historisë. Ngulmoj të gjej një poet, të cilin e ruaja xhepash dhe më ngrohte në dimër në një mënyrë njerëzore dhe për këtë ia vlen ta ripërtypësh sërish një kujtim që të linte pagjumë dhe të bënte të projektoje një agim në errësirë. Sa më shpesh e risjell në kujtesë, po aq mendoj se e ringjall atë për të shpërndarë diell me fjalën e tij. Nuk ka gjë më të vyer se dashuria. Ajo është e gjithëpranishme te poeti, si një energji e pamat, si në urrejtje dhe në dashuri, si në luftë dhe në paqe, si në dritë po aq dhe në terr, si një gjenerator i vyer në realizimin e shpirtit përmes universit të saj: dashurisë. Në nderim të tij, unë kam marrë përsipër që të kryej sipas konceptit tim një borxh të kthyer këtij poeti, duke ndërtuar një ndërhyrje arti, që do kisha dëshirë ta konsumonim së bashku. Qëllimi im është ta rishohim figurën e tij në një dimension të ri, atë të rezonancës si rrethanë arti, apo si një dialog i pandërprerë i një refreni kuptimplotë, "Që ne u lindëm për t‘u takuar".