E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplina dorëlëshuar: Lushnja e Memaliaj, dy ndeshje pa shikues

Pritej një reagim me "dorë të hekurt" ndaj dhunës së ushtruar në sfidën e javës së fundit Memaliaj-Partizani. Por duket se ato që u reklamuan në shtyp ditët e ndeshjes, e konsideruar si një tjetër rikthim i dhunës në kampionatin shqiptar të futbollit, deri sa kanë mbërritur në formë faktesh në Komisionin e Disiplinës, janë "zbehur" deri në disa hedhje sendesh të forta në fushë dhe kaq. Dhe për këtë arsye, anëtarët e Komisionit të Disiplinës, të mbledhur dje për të shqyrtuar parregullsitë e javës së fundit të kampionatit shqiptar, ku problematikat e regjistruar vinin vetëm nga Kategoria e Parë, ka vendosur të vërë dorën në zemër dhe të bëjë ndëshkime vetëm në dy ndeshje pa tifozë dhe një gjobë 100 mijë lekë për klubin tepelenas. "Memaliaj rikthen dhunën në kampionatin shqiptar. Në takimin ku vendasit, që mbyllin klasifikimin në Kategorinë e Parë, barazuan 1-1 me Partizanin, kanë ndodhur episode që kanë shënuar një tjetër fazë kritike të kampionatit. Presion i jashtëzakonshëm ndaj gjyqtarëve, goditje me gurë e lojtarëve të ekipit mik nga tifozët, madje edhe dhunë e ushtruar nga policia", shkruante shtypi i së dielës për ndeshjen Memaliaj-Partizani 1-1. Dje, Komisioni i Disiplinës ka dhënë këtë vendim: "Klubi i Memaliajit për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës gjatë ndeshjes kundër Partizanit (1-1, java 12) e goditjes së pjesëtarit të stafit të ekipit kundërshtar (drejtorit teknik të Partizanit, Agim Kënga) nga tifozët pas përfundimit të ndeshjes në bazë të Kodit të së Drejtësisë Sportive do të zhvillojë dy ndeshje pa shikues dhe u ndëshkua me 100 mijë lekë gjobë. Një tjetër ndeshje problematike e javës së fundit të Kategorisë së Parë ishte edhe Lushnja-Bylis (0-0, java 12), ku lushnjarët janë ndëshkuar me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe 100 mijë lekë gjobë, për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë gjatë lojës. Disiplinori ndëshkoi me nga 50 mijë lekë gjobë trajnerin e Lushnjës, Artan Bano, dhe atë të Bylisit, Ilir Spahiu. Sulmuesi i Lushnjës, Dorian Bubeqi, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë (9 gola) u pezullua dy ndeshje dhe 30 mijë lekë gjobë.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›