E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet e vetmja kinema e Korçës

E vetmja kinema e qytetit të Korçës ka mbyllur dyert për shkak të falimentimit. Kinema "Millenium Majestik", e ndërtuar dhe e hapur në Korçë rreth 90 vjet më parë, është renditur mes firmave dhe biznese që në tre vitet e fundit nuk kanë mundur të sigurojnë fitime të mjaftueshme për të mbijetuar. Përfaqësuesit e shoqërisë aksionere kanë dorëzuar dokumentacionin dhe kanë shpallur falimentin, edhe pse kohët e fundit ka pasur ankesa të shumta për mosfunksionimin e rregullt të kinemasë së vetme të Korçës. Kjo kinema mund të siguronte klientë vetëm gjatë periudhës së dimrit dhe kryesisht nga grupe nxënësish të shkollave, pasi interesi për filmat ka qenë gjithnjë në ulje. Kriza për kinemanë është ndier që në muajt e verës, kur shitjet e biletave nuk i kalonin 3 në ditë.

Kjo shifër i detyroi pronarët ta mbyllnin kinemanë për ta lënë në funksion vetëm për aktivitete kulturore ose takime elektorale. Frekuentimi i saj gjithnjë në rënie ka detyruar degën e tatim- taksave ta çojë këtë biznes për shpallje falimenti pranë gjykatës, ndërsa vetë përfaqësuesit e shoqërisë aksionere kanë rënë dakord për mbylljen përfundimtare të saj. Administratorët e argumentojnë mbylljen me mungesën e interesimit nga qytetarët për t‘i ndjekur filmat në kinema. Korça, i pari qytet me kinema, tashmë nuk do ta ketë më një të tillë. Edhe pse shënohen 90 vjet që nga shfaqja e filmit të parë, as ky biznes nuk ka mundur t‘i mbijetojë krizës.

J. Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›