Presidenti Duka, sot analizë me gjyqtarët e Superiores
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të zhvillojë sot një analizë me gjyqtarët më të mirë të kampionatit. Në praninë e shefit të sektorit të garave, Ilir Shulku, dhe përgjegjësit të arbitrave, Plarent Kotherja, do të shqyrtohet gjithçka që ka ndodhur gjatë fazës së parë të Kategorisë Superiore. Natyrisht që vëmendje e veçantë pritet t‘u kushtohet edhe kontestimeve nga skuadra të ndryshme elitare, të cilat janë penalizuar nga vendimet e "xhaketave të zeza". Vllaznia, Besa e Apolonia kanë akuzuar gjyqtarët se nëpërmjet episodeve të diskutueshme i kanë hequr pikë në ndeshje të caktuara. Arbitrave do t‘u kërkohet më shumë vëmendje, nivel i lartë profesionalizmi, por edhe që të tregohen të aftë për t‘u përballur me presionin. Rasti më i fundit i kontestimeve ka ndodhur në takimin e fundjavës që kaloi, Vllaznia-Besa, sfidë e fituar nga kavajasit me dy gola në kohën shtesë.
e. k.
e. k.