E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori 2010: Spektakli vjen vetëm nga gafat dhe autogolat

Problemet Gjermania ka shkëlqyer, Argjentina dhuroi emocione, por kjo nuk mjafton

Ndoshta ka ndikuar tingulli shurdhues i “Vuvuzela”-ve, që ka nervozuar të pasionuarit e futbollit nga e gjithë bota, ose prej ndryshimeve të papritura të klimës në Afrikën e Jugut. Sido që të jetë, e vërteta është se Botërori 2010 ka dhuruar pak spektakël nga skuadrat që zbritën në fushën e lojës. Më tepër sesa për aksionet apo driblimet është diskutuar për gafat e lojtarëve, gabime që kanë ndikuar në rezultatin e mjaft ndeshjeve. Grin, çaouki, Ager, Kuzmanoviç, lista e “kamikazëve” po rritet dita-ditës. Episodet e pabesueshme nisën me gabimin fëmijëror të portierit të Anglisë, Robert Grin, i cili nuk arriti të neutralizonte një goditje të lehtë të Dempseit. Goli i pësuar prej tij u “dhuroi” barazimin Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndeshjen e parë të Grupit C. Mediat angleze kritikuan trajnerin Fabio Kapelo për vendimin që të aktivizonte “gardianin” e Uest Hemit, i cili njihet për paraqitjet jo shumë bindëse. Në ndeshjen tjetër të të njëjtit grup, u regjistrua një gafë e ngjashme. Në sfidën Algjeri-Slloveni, makthi i përjetuar nga Grin, u përsërit nga çaouki: portieri algjerian pësoi një gol të pabesueshëm nga Koren, kur luheshin dhjetë minutat e fundit të takimit.
Në Grupin E, protagonist negativ është bërë mbrojtësi i Danimarkës, Daniel Ager. Në përballjen me Holandën, lojtari i Liverpulit e ka dërguar topin në rrjetën e tij. Një gabim që ndikoi në rezultatin 2-0 të ndeshjes. Tjetër grup, tjetër çudi. Gana mposhti minimalisht Serbinë, në sfidën e parë të Grupit D, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Gian, në minutat e fundit të kohës së rregullt. Gjyqtari argjentinas, Baldasi, akordoi një 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të pakuptueshme të Kuzmanoviç: porsi një portier, 22-vjeçari e goditi topin me dorë në zonë dhe ndëshkoi skuadrën e tij. Afrika e Jugut 2010 është drejt mbylljes së “raundit” të parë të ndeshjeve në grupe. Ndeshjet nuk kanë qenë kryevepra teknike apo taktike, golat janë me “pikatore”, ndërsa spektakli ka munguar. Vetëm “pokeri” i Gjermanisë ndaj Australisë dhe emocionet e shumta të Argjentinës së Leo Mesit përballë Nigerisë nuk mjaftojnë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›