Mesi: Jemi armiku ynë më i madh
Lionel Mesi beson se përfaqësuesja e tij është pengesa më e madhe ndërmjet Argjentinës dhe lavdisë në Kupën e Botës 2010. Skuadra e drejtuar nga Diego Armando Maradona e nisi aventurën në Afrikën e Jugut të shtunën, me fitoren 1-0 përballë Nigerisë, rivales kryesore në Grupin B. “Selesion” bëri një paraqitje mbresëlënëse, me lojë të rrjedhshme në fazën sulmuese, ku padyshim që ylli i Barcelonës ishte lojtari më i spikatur. Por nuk munguan as problemet, mbi të gjitha në organizimin taktik në fazën difensive dhe gabimet e shumta përpara portës. Argjentinasit nuk arritën ta shndërronin stilin në substancë dhe i lejuan kundërshtarët që të rrezikonin. Mesi ka deklaruar se bardhekaltrit duhet të kenë frikë vetëm nga vetja e tyre dhe i ka paralajmëruar shokët e skuadrës që të qëndrojnë të impenjuar dhe të mos heqin dorë nga objektivi për të fituar trofeun më të rëndësishëm. “Argjentina duhet të ketë frikë vetëm nga Argjentina”, deklaroi 22-vjeçari. “E them këtë me respektin maksimal për skuadrat e tjera pjesëmarrëse në botëror, por ne kemi cilësi dhe talent në skuadër. Duhet të qëndrojmë të përqendruar në objektivin tonë kryesor dhe të vazhdojmë rrugën e deritanishme: të përkushtohemi në stërvitje dhe të ruajmë unitetin brenda skuadrës. Për të qenë i sinqertë, mendoj se me kualitetin që kemi, nuk duhet t’i trembemi asnjë kundërshtari”.
Në debutimin si trajner në Kupën e Botës, gjatë fitores në Johanesburg, Maradona tërhoqi vëmendjen e mediave. Me festën e tij gjatë golit të Gabriel Hainces, por edhe pas fërshëllimës përfundimtare të sfidës, heroi i triumfit në vitin 1986 shfaqi pasion të jashtëzakonshëm në drejtimin e stolit të përfaqësueses argjentinase. Mesi thekson se “Pibe de Oro” ka ndikuar në mënyrë të dukshme te lojtarët. Ai tha: “Maradona di ta motivojë skuadrën në mënyrë të shkëlqyer dhe të gjithë ne, lojtarët e Argjentinës, e kemi për nder që e kemi si trajner. Ai na qëndron pranë, është njëri prej nesh dhe na ndihmon me eksperiencën e jashtëzakonshme. Skuadra ka ndryshuar pozitivisht, megjithatë mendoj se kemi ende edhe shumë vend për t’u përmirësuar”. Kualifikimi i Argjentinës drejt fazës finale të turneut nuk ka qenë aspak i lehtë. Ata kanë vuajtur në ndeshjet eliminatore në grupin e Amerikës Jugore dhe e siguruan pjesëmarrjen në Afrikën e Jugut vetëm falë një fitoreje në ndeshjen e fundit. Kjo ngriti dyshime se Mesi dhe yjet e tjerë të “seleksionit” do të zhgënjenin, megjithatë sulmuesi i Barcelonës shtoi se skuadra është transformuar që prej startit të botërorit. “Kemi kaluar një periudhë të vështirë, por në krahasim me ndeshjet eliminatore, gjithçka ka ndryshuar. Duke filluar nga përkushtimi dhe sjellja e lojtarëve në fushë. Më parë nuk dukeshim si një skuadër dhe shpesh kemi bërë paraqitje të dobëta. Nuk arrinim t’i fitonim ndeshjet dhe u përballëm me kritika të shumta. Tashmë jemi më të motivuar, po japim maksimumin në stërvitje dhe po marrim frytet e punës sonë. Kjo është një Argjentinë tjetër”, përfundoi 22-vjeçari, i cili është kritikuar shpesh se në Kombëtare nuk luan në të njëjtat nivele si te Barça në La Ligan spanjolle.
#