Italia, mjekët të alarmuar për Bufon
Italia është në alarm për portierin Xhanluixhi Bufon, i cili rrezikon të mos luajë më në Afrikën e Jugut. Pas dëmtimit të pësuar të hënën në sfidën me Paraguain, mjeku Enriko Kastelaçi foli rreth gjendjes së numrit 1 të kampionëve të botës në fuqi. Ai shpjegoi se “për momentin nuk mund të thuhet asgjë konkrete rreth periudhës së rikuperimit”. Doktori theksoi se Bufon “ka ndier dhimbje të forta në nervin shiatik të anës së majtë të trupit”. Portieri u është nënshtruar menjëherë seancave mjekësore dhe fizioterapike, ndërsa gjendja e tij fizike do të mbahet vazhdimisht nën kontroll. Menjëherë pas ndeshjes, Bufon ishte shprehur optimist (“mund të kem pësuar një problem muskulor, por besoj se do të jep gati pas disa ditësh”), por kontrollet fillestare nuk ishin kaq qetësuese.
#