Koreja frikëson Brazilin, Dunga falënderon Maikonin
Brazili fiton me vështirësi 2-1 kundër një Koreje të Veriut vërtet befasuese. Në fundin e pjesë së parë pamë një Brazil të bllokuar te barazimi 0-0 nga Koreja e Veriut, në një mënyrë që askush nuk e kishte pritur. Paraqitja e “seleçaos” duket se është në të njëjtën linjë me gjithë të mëdhenjtë e tjerë që kanë luajtur deri tani: ka pak ide dhe shumë konfuzion në fushë. Aziatikët janë perfektë dhe sulmojnë pa frikë. Në një “Ellis Park” të mbushur plotë e përplot, Brazili bën debutimin e tij botëror me formacionin: Luis Fabiano sulmuesi i vetëm i mbështetur nga Kaka e Robinjo në krahë. Ata që duhet të filtrojnë në mesfushë janë Gilberto Silva e Felipe Melo, ndërkohë që mbrojtja është e blinduar. Që nga minutat e para reparti difensiv i koreanoveriorëve, i përbërë nga 5 mbrojtës, demonstron efikasitetin kundër sulmuesve konfuzë të Brazilit. Në 15 minutat e para nuk ka thuajse asgjë për t’u shënuar, ose aziatikët u rezistojnë pa vuajtje pesë herë kampionëve të botës, të detyruar të provojnë gjuajtje të pamundura nga jashtë. Për sa i përket Koresë, nuk heziton të dalë në mesfushën kundërshtare me inkursione të shpejta të Jong Tae-Se, i cili më shumë se një herë vë në vështirësi Lusion. Mungon shkëlqimi i mesfushës së amerikanojugorëve, ritmi është shumë i ulët dhe Kaka duket se nuk ka hyrë ende në lojë. Në minutat e fundit të pjesës së parë brazilianët, paksa të befasuar, vuajnë presionin dhe nuk bëjnë ndonjë gjë të rëndësishme, përjashto një gjuajtje të Maikon të grushtuar nga portieri Ry Myong-Guk, i cili ka kaluar një 45 minutësh të qetë. Pjesa e dytë sjell edhe golat për Brazilin. Pas disa tentativash të Elanos dhe Luis Fabianos, vjen goli i Maikon, i cili pas një asisti të Elanos shënon nga një pozicion thuajse i pamundur pranë vijës fundore. I konsideruar si goli më i bukur i botërorit deri tani. Koreja përpiqet, por Brazili shënon sërish. Në minutën e 72 është vetë Elano që realizon. Brazili provon të mbyllë ndeshjen, por nuk është i qartë në sulm. Koreanoveriorët ngushtojnë diferencën në minutën e 89 me Yun Nam Ji. Ky është një gol historik për formacionin aziatik falë një të majte në zonë e lojtarit koreanoverior, i cili nuk i lë asnjë shans portierit Zhulio Sezar. Në pak minutat e mbetura aziatikët besojnë te barazimi dhe e kërkojnë atë me çdo kusht, por gjuajtja e Jong Tang Sea përfundon pak metra jashtë. Gjyqtari vërshëllen dhe i jep fundit ankthit brazilian, të cilët marrin një fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme në grupin e tyre.
#