E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, Gafëe portierit Angliazhgënjen ndaj SHBA

JOHANESBURG- Anglia e Fabio Kapelos ka zhgënjyer totalisht në ndeshjen e parë në këtë Botëror, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka qenë një surprizë e vërtetë sfida e mbrëmshme në Rustenburg, teksa “Luanët” janë treguar më të zbutur sesa duhet përballë një ekipi që vetëm vitet e fundit është rritur në futboll. E ardhur në Kupën e Botës me synimin për ta fituar atë, Anglia tregoi fytyrën e zakonshme në miqësoret e fundit, duke vuajtur shumë dhe duke mos zhvilluar lojën e saj të zakonshme. Por, edhe këtë herë ishte gafa e portierit që ndëshkoi përfaqësuesen britanike. Robert Grin, gardiani i Uest Hem Junajtid, ka rikthyer te tifozët anglezë fantazmat e paraardhësve të tij Skot Karson e Pol Robinson. Anglia ishte duke kryesuar qetësisht deri në minutën e 40-të të takimit, kur një gjuajtje pa pikë pretendimi e Klint Dempsi, përfundoi në rrjetë. Topi ishte në duart e portierit, por ai nuk mundi ta ndalonte, duke ndëshkuar skuadrën e tij. Një moment që natyrisht dëshpëroi Fabio Kapelon në pankinë, i vetëdijshëm se porta është një nga pikat më të dobta të kësaj skuadre. 

Ndeshja
Takimi i mbrëmshëm nisi në mënyrën më të mirë për Anglinë, teksa pas vetëm 4 minutash, Stiven Xherard mposhti portierin Tim Hauard, duke kaluar ishullorët në avantazh. Një gol që krijoi idenë e një fitoreje për të lehtë për skuadrën e Kapelos, por pa shumë bujë, Amerika diti ta zhvendoste lojën. Uejn Runi e Aron Lenon mund të kishin dyfishuar shifrat, por para portës kanë gabuar që të dy. Kur pritej që Anglia të dyfishonte, Dempsi godet nga 30 metra dhe topi i lehtë i rrëshket nga duart Robert Grin dhe përfundon në rrjetë. Në pjesën e dytë, anglezët nuk janë më të zakonshmit, megjithëse krijojnë dy-tre raste, në fillim me Heskin e më pas me Runin. Glen Xhonson ishte ai që pati mundësinë më të mirë, por pak metra larg portës goditi jashtë. Runi tentoi me një goditje nga jashtë zone, por topi sërish nuk shkoi në kuadrat. Amerikanët mund të kishin ndëshkuar çerek ore para fundit, por këtë herë portieri Grin bëri një gjysmë-mrekulli, duke larguar topin, që më pas u përplas në shtyllë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›