Lëv: Gjermania e re është gati për "luftë"
BERLIN-Një kombëtare e re e Gjermanisë do të kërkojë sot në mbrëmje fitoren përballë Australisë, në ndeshjen e grupit D të Botërorit 2010. Pa Mikael Balak të dëmtuar, ka shumë pikëpyetje në lidhje me paraqitjen e tre herë kampionëve të botës, teksa në fushë do të jetë një nga skuadrat më të reja në historinë e përfaqësueses gjermane. "Të gjithë të rinjtë tanë kanë shumë dëshirë për të treguar se çfarë mund të bëjnë, - deklaroi Joakim Lëv. - Duam të shënojmë shumë gola, pasi në turne janë golat ata që i fitojnë ndeshjet". "Përsa u përket përgatitjeve, kemi bërë gjithçka që mundemi dhe nuk kemi çfarë të bëjmë më. Jam i qetë dhe gjithë besim për skuadrën time", tha trajneri gjerman. Në krahun tjetër "Kangurët" pritet të rreshtohen më shumë në mbrojtje, ndërsa shpresojnë shumë te lideri i tyre Tim Kehill. Australia mbetet një skuadër modeste në Kupën e Botës, teksa është hera e tretë që ata janë në Kupën e Botës. Megjithatë, futbolli është plot me surpriza dhe Joakim Lëv e di mirë këtë, pavarësisht se dy ditë më parë u shpreh se do të përpiqej që t'i poshtëronte rivalët. Për menaxherin e ekipit Oliver Bierhof, është koha që brezi i ri i Gjermanisë të marrë frenat e ekipit kombëtar në dorë. "Tani ka ardhur momenti i së vërtetës, - u shpreh ai. - Tani ne mund të tregojmë se çfarë forme kemi. Ndeshja e parë është gjithnjë e rëndësishme dhe ka shumë risk brenda për skuadrën tonë të re", deklaroi më tej Bierhof. Në letër megjithatë Gjermania është favorite absolute. Kapiteni Filip Lahm thotë se skuadra e re e Lëv ka stof të mjaftueshëm për të mposhtur "Kangurët" dhe forma e futbollistëve është vërtetë e mirë. "Nga të gjitha skuadrat që kam luajtur deri tani, kjo është ajo që ka më shumë cilësi", u shpreh Lahm.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)