Botërori, bilanci i kontrasteve
Spanja, Brazili, Argjentina, Gjermania, Holanda... Pas përfundimit edhe të ndeshjeve të një të tetave, kur kanë mbetur ende vetëm tetë ekipe në lojë për të synuar trofeun e Kampionatit Botëror, mediat e ndryshme botërore sportive kanë bërë “skanerin” e 56 ndeshjeve të para, përfshirë fazën e grupeve dhe ato në një të tetave. Tashmë është ora të ngrihet perdja e këtij Botërori historik, i pari i zhvilluar në tokën afrikane. Shumë ekipe kanë bindur, të tjerë kanë zhgënjyer plotësisht, duke qenë shumë larg asaj që ato kanë premtuar për shkak të emrit, historisë dhe formatit. Sigurisht, jemi ende larg epilogut të këtij kampionati, kur kanë mbetur për t’u luajtur çerekfinalet, gjysmëfinalet, finalja e vogël dhe ajo e madhe. Gjithsesi, spektakli i paraqitur është shumë larg që të gjithë prisnin. Italia dhe Franca, dy finalistet e Botërorit të vitit 2006, u larguan me turp nga kampionati i Afrikës së Jugut, madje duke e mbyllur në vendet e fundit në grupet përkatëse (A, C), madje pa asnjë fitore. Me zero pikë e mbylli aventurën Kameruni i Samuel Eto’o-së, pikërisht në kontinentin e tij. Dhe akoma rëndon ky Botëror me daljet e parakohshme të Portugalisë dhe Anglisë, në një të tetat e finaleve. Dy ekipe që kanë gjirin e tyre disa nga yjet e planetit, duke mos i justifikuar aspak. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, mbërriti në tokën afrikanojugor me shumë certifikata në valixhe. Me një bilanc të jashtëzakonshëm e që të gjithë e konsideronin favorite absolute. Bilanci i saj nga viti 2007: 48 ndeshje, në të gjitha kompeticionet së bashku, 43 fitore, 4 barazime dhe... 1 humbje. 113 gola të shënuar, 22 të pësuar. Dhe një seri prej 12 fitoresh rresht, me një demonstrim force përballë Francës (2-0) dhe Polonisë (6-0). Këto fakte e bënin një favorite të padiskutueshme. Por, megjithatë... “La Roja” e nisi debutimin e kampionatit me një surprizë të shëmtuar, me një humbje përballë Zvicrës (0-1). Një rezultat që nuk e priste askush, e që i torturoi spanjollët deri në ndeshjen e fundit të grupeve kundër Kilit. Megjithatë, Spanja i përfundoi ndeshjet si e para e grupit të saj, e duke eliminuar më pas Portugalinë në një të tetat (1-0). Por, Spanja ende nuk e ka gjetur veten, për të krijuar bindjen se ajo të kthehet në vend me trofeun e Kupës së Botës. Brazili fluturoi në grupin e tij dhe ndaj Kilit (3-0) në një tetat e finaleve tregoi se e meriton ta fitojë për herë të gjashtë Kupën e Botës, përpara se ajo të zhvillohet pikërisht në shtëpinë e “Seleçao”-s në vitin 2014. Gjithsesi, loja e tij është ende larg spektaklit të paraardhësve të tij. Kjo “seleçao” është solide dhe tmerrësisht shumë realiste, por ende jo shumë joshëse. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Holandën, që nga ana e saj shkëlqen më shumë prej individëve se sa nga kolektivi i saj. “Tulipanët” fituan tri ndeshjet në grup dhe kundër Sllovakisë (2-1) në një të tetat e finaleve, por në fakt nuk kanë shkëlqyer.
Përfundimisht, vetëm Gjermania dhe Argjentina për momentin kanë dhënë atë që të gjithë prisnin, ose ndoshta dhe më mirë. Dy formacionet kanë paraqitur një lojë më shumë ofensive, duke qenë në kontrast të plotë me futbollin e mërzitshëm të parë në shumë ndeshje. Paraqitje të bukua kanë bërë edhe disa ekipe që askush nuk i priste të ishin në këtë nivel (Shtetet e Bashkuara, Sllovakia, Japonia, Koreja e Jugut, Kili dhe Sllovenia). Mbeten edhe tetë ndeshje në total nga përfundimi i Kampionatit Botëror, për të përmbysur tendencën.
7 gjëra që duhet të dini për Argjentinën
Argjentina do të përballet me Gjermaninë në çerekfinalet e Kupës së Botës. Faqet më të mëdha janë pritje të përfundimit të betejës që ndodhi edhe në vitin 2006, me Gjermanët që kaluan në gjysmëfinale nga seria e gjuajtjeve të penalltive. Këtu janë 7 gjëra për Argjentinën.
1
Argjentina ka dalë e dyta në Kampionatin e parë Botëror të vitit 1930, dhe fitoi Botërorin në vitin 1978 dhe 1986. Argjentina përfundoi e dyta edhe në Kupën e Botës së vitit 1990. Gjermania i eliminoi ata në çerekfinalet e vitit 2006, pas barazimit 1-1 dhe kohës shtesë.
2
Argjentina ishte vetëm një minutë larg eliminimit në kualifikuese, por një gol në minutat shtesë në ndeshjen kundër Perusë i dha asaj fitoren pëe të cilën kishte nevojë të përfundonte në vendin e katërt në zonën e Amerikës së Jugut.
3
Argjentina e fitoi Kupën e Botës në vitin 1986 e udhëhequr nga legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona, i cili aktualisht është trajneri i saj. I famshëm është goli i tij me dorë kundër Anglisë, por dhe goli i tij i dytë kundër britanikëve.
4
Argjentina ishte një nga dy ekipet e vetme (tjetra Holanda) që i fitoi të tri ndeshjet në grup, duke shënuar ndaj kundërshtarëve 7 gola e pësuar 1, përpara se shkatërronte Meksikën në raundin e një të tetave. Kjo e ka shndërruar atë në një prej ekipeve favorite.
5
Maradona ka qenë gjithmonë shënjestër e medias për shkak të personaliteti të tij ekscentrik, e sidomos për betejën e tij për luftën kundër drogës e humbjes së peshës. Maradona u gjobit me 22 mijë dollarë nga FIFA për deklarata e tij ndaj gazetarëve. Në foto duke u puthur me Kolin Ferrell.
6
Lionel Mesi është aktualisht “Lojtari më i mirë në botë” dhe fituesi i “Topit të artë” dhe tashmë ai synon të jetë dhe kampion i botës. Mesi është krahasuar shpesh me Diego Armando Maradonë, dhe ky i fundit e konsideron atë pasuesin e tij. Talentet e tjerë argjentinas janë Higuain dhe Tevez.
7
Maradona beson se një mbrojtje të mirë është kyçi për të fituar Kupën e Botës, pasi Argjentina ka vuajtur shpesh në vijën e mbrojtjes. Maradona beson te shprehja: “Mbrojtja më e mirë është sulmi më i mirë”. Argjentina tani i mbulon të dyja repartet me sukses, të lidhura midis tyre nga një Havier Maskerano i fuqishëm.
Pele: “Maradona, trajner me stil jete të bezdisshme”
Dy gjigantët e futbollit botëror nuk kanë kaluar kurrë mirë me njëri-tjetrin. Deklarata dhe kundërdeklarata. Ndonjëherë edhe tej masës dhe etikës. Pele nuk ka asnjë problem me Diego Armando Maradonën, por nuk eviton dot kritikat ndaj tij. “Nuk kam asnjë problem me Maradonën. Vetëm se mendoj se nuk është një trajner i mirë. Ka një stil jete të bezdisshme dhe kjo rrallë është pozitive për një skuadër”.Intervista për të përditshmen gjermane “Tagesspiegel” i ofron mbretit rastin për të folur sërish për trajnerin e Argjentinës duke theksuar se ekipi nuk mund të synojë majën. “Spanjollët mund të mundin Brazilin. Ndoshta edhe Gjermania. Kombëtarja gjermane është më e reja në turne, ndoshta u mungon pak eksperienca për të fituar titullin, por ka një lojë të bukur sulmuese me lojtarë si Ozil e Myler”, është shprehur Pele.
1 Korrik 2010