E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi amerikan shfaq filmin dokumentar “BESA”



"Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria ndodh të jetë një nga vendet e rralla në Evropë ku paragjykimet dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse shqiptarët janë të ndarë në tre besime"Amb, Herman dhe Bersntein”, 1934. Në një nga mjediset e Kongresit amerikan, më 29 qershor u shfaq filmi dokumentar “Besa”, ku shqiptarët paraqiten si mbrojtës të hebrenjve gjatë periudhës së luftës së dytë botërore, kur këta përndiqeshin e vriteshin nga nazistët. Filmi Besa vazhdon të jetë një projekt i filluar vite më parë nga fotografi amerikan Norman H. Gershman, me titull God's House (Shtëpia e Zotit). Filmi bazohet në të dhëna gojore, dokumenta e intervista me personazh realë, shqiptarë a familje të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fillon me rrëfimin e Rexhep Hoxhës, lindur në Tiranë në vitin 1950. I ati, para se të vdiste i la atij amanet tre libra të shkruan në gjuhën hebraike. Ato ishin të një familjeje hebreje që gjatë luftës ishte strehuar në shtëpinë e familjes Hoxha. Me ndihmën Gershmanit, Rexhepi zbulon historinë e panjohur të aktit të jashtëzakonshëm të atit të tij; Besën e ndërthur me trimëri e sakrificë. Filmi pastaj zgjerohet për të hyrë në thellësi të botës shpirtërore të protagonistëve dhe për t'i shpjeguar publikut të huaj se çfarë është Besa dhe përse shqiptarët mendojnë se ajo është pjesë e veçantë e kulturës së tyre. Edhe regjisori kryesor i filmit Jasson Williams e pranon, se Besa është diçka e veçantë. Ai mendon se tri elementë shërbyen që shqiptarët të vepronin në mbrojtje të hebrenjve; "E para ishte qeveria shqiptare gjatë periudhës së dytë botërore që hapi kufijtë për këta të ikur e të përndjekur; E dyta ishte roli pozitiv i klerikëve myslimanë, katolikë e ortodoksë që u bënin thirrje besimtarëve të ndihmonin e fshihnin hebrenjtë që kërkonin strehim; dhe së treti ishte fjala e dhënë, Besa ajo që i lidhte këta faktorë, duke krijuar të veçantën që mungonte në Evropë në atë periudhë". Filmuar në Shqipëri, Bullgari, Izrael, dhe Shtetet e Bashkuara, filmi përmban rreth njëzet intervista me të mbijetuar dhe të shumë dëshmitarëve të tjerë. Shfaqja e filmit u organizua nga këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan. Drejtori i këtij Këshilli, Avni Mustafa thotë se historia e hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, kurrë nuk mund të thuhet e plotë, edhe nëse për të bëhen filma a shkruhen shumë libra. Fjala “Besë” sikur humbet në përkthim. Por për shqiptarët Besa është ashtu siç e kupton bartësi i saj, populli; "Si myslimanëve të devotshëm ne u dhamë hebrenjve mbrojtjen humanitare. Pse? Sepse kështu urdhëronte miqësia, humanizmi, Besa.” Kështu shprehej në vitet 1990 në muzeun e Holokaustit Yad Vashem në Izrael, vlonjati Sazan Hoxha, i biri i Nuro Hoxhës, që strehoi 4 familje hebraike, duke vënë në rrezik jetën e fëmijëve të vet. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda thotë se populli amerikan është një bashkësi kulturash, racash e besimesh të ndryshme fetare dhe shfaqja e një filmi të tillë ndikon mjaft pozitivisht edhe në marrëdhëniet SHBA - Shqipëri. Dëshmi të mirëqenies së hebrenjve në trojet shqiptare janë të hershme. Para disa viresh në Sarandë u zbuluan gjurmët e një sinagoge të periudhës romake, ndërsa i ashtuquajturi “mesia i fundit Sabbatai Zevi në shek. XVII, gjeti strehim në Ulqin e Berat pas përndjekjes nga Stambolli e Selaniku. Dhe një nga dëshmitë më konkrete është ajo në shënimet e ish ambasadorit amerikan në Shqipëri më 1934, Herman Bersntein, i cili shkruan: "Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria ndodh të jetë një nga vendet e rralla në Evropë ku paragjykimet dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse shqiptarët janë të ndarë në tre besime"

Rrëfimi autobiografik i Sulejman Lokajt, në 55 vepra artistike

Në 77-vjetorin e tij, aktorit Sulejman Lokaj për herë të parë i është kënduar kënga e ditëlindjes së bashku me një tortë. Ai thotë se kurrë më parë nuk ka festuar ditëlindjen, madje shpesh kishte harruar edhe datën e saj. Mirëpo këtë vit për këtë ishte kujdesur mbesa e tij, Malda Susuri, e cila në vend të ndonjë dhurate materiale kishte vendosur që si surprizë për ditëlindje t’ia organizonte një ekspozitë që shpërfaq 62 vjetët e tij të krijimtarisë. Koleksioni prej mbi 800 punimesh të gjyshit të saj i kishin bërë përshtypje. Ideja për ekspozitë i kishte lindur gjatë një darke, vitin e kaluar, por për të nuk i kishte bërë zë gjyshit. “Krijimtaria artistike” është titulli i ekspozitës së Sulejman Lokajt, të hapur të hënën në mbrëmje në Galerinë “ExpoArt 40”, ku nëpërmjet skicave vizatimeve, pikturave e fotografive, aktori i njohur ka përshkruar rrugëtimin e tij në botën e artit. Por prapa tyre ka një mijë e një rrëfime. “Kurrë nuk kam qenë më i lumtur. Me kaq shumë miq afër, me këtë ekspozitë që deri sonte nuk e kam ditur se do të hapet, nuk ka se si njeriu të jetë më i kënaqur”, shprehet i emocionuar aktori Lokaj, i cili thotë se përmes këtyre punimeve dhe fotografive ai po udhëton në kohët kur ishte maksimalisht i përkushtuar në jetën artistike. Sipas tij, kjo ditëlindje e parë që ai e feston i justifikon të gjitha ato festa të humbura, pasi që kjo natë për aktorin Lokaj është si një përmbushje e asaj që ai e quan “përkushtim ndaj të brendshmes së tij”. E pikërisht ky përkushtim që është loja në teatër e film, e që në ekspozitë paraqitet me shumë fotografi nga rolet e tij të ndryshme, është shkaktari edhe i shumë punimeve të tjera që ai ka bërë. “Të gjithë rolet e mia profesionale si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni kapin numrin 62, ndërsa role në ansamblet amatore kam më se 100. Përveç kësaj, çdo udhëtim timin në vende të ndryshme e kam përcjellë me një punim”, thotë Lokaj. Roli që më së shumti i ka lënë përshtypje është ai në shfaqjen “Karnavalet e Korçës”, e cila ishte cilësuar si shfaqja më e mirë në Teatrin e Shkupit. Artisti Sulejman Lokaj, thotë se së shpejti do të botojë edhe disa libra, të cilat kanë të bëjnë me lashtësinë e shqiptarëve. “E kaluara sado e vrazhdë të jetë, është e bukur dhe me vlerë. Prandaj ajo duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për ne”, thotë Lokaj, duke shprehur se mesazhi i vetëm që do të donte t’ua dhuronte mbesave dhe nipërve të tij është kjo ekspozitë që pasqyron tërë punën e tij. E ndërkohë që përfundon ecjen nëpër galerinë e vetmuar, ai ngjitet shkallëve drejt oborrit, për t’iu bashkangjitur mysafirëve të cilët vazhdonin festën e ditëlindjes së mikut të tyre.

Tradita dhe filmat botërorë bashkohen në “Shqip Film Fest”

Mesi i korrikut është caktuar koha kur do të japë sinjal edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër - “Shqip Film Fest”. Rugova e Peja do të jenë nikoqire të 32 filmave nga vende të ndryshme të botës që janë përzgjedhur për edicionin e parë të këtij festivali. Ai do t’i kushtohet figurës së shquar të artit në Kosovë, të ndjerit Faruk Begolli. Por, nuk është vetëm kjo arsyeja pse Peja është zgjedhur si qyteti në të cilin do të zhvillohet festivali. Drejtori i “Shqip Film Festit”, Naser Rafuna, ka thënë se siç e mban edhe emrin, ky festival ndër të tjera mëton edhe të tregojë vlerat e Kosovës.
“Ne dëshirojmë t’u tregojmë të huajve se si e kemi kulturën ne, e jo të ju tregojmë atyre se si e kanë kulturën ata”, ka thënë Rafuna, teksa ka përmendur edhe detaje të fragmenteve shqip të festivalit. “Edhe ushqimi kemi kërkuar të jetë sipas traditave tona, e jo të ju tregojmë atyre çka hanë ata. Ndërsa mikpritja e mysafirëve do të bëhet me veshje kombëtare”, ka thënë Rafuna. 15 ditë para se festivali të japë filmin e parë në ekran të madh, Rafuna ka thënë se përgatitjet përfundimtare po shkojnë mirë. Më shumë 40 vullnetarë tashmë i janë bashkuar festivalit. Rafuna thotë se “shkurt e shqip” është festival unik. “Është njëqind për qind i punuar nga idetë tona; i veçantë dhe nuk do t’i përngjajë asnjë festivali tjetër”, ka thënë Rafuna për edicionin e parë të festivalit moto e të cilit “Everone has a story” (Secili e ka një rrëfim). Festivali do të ketë kinemanë e vet, përderisa Rugova do të presë mysafirët, dhe do të shënojë hapjen e festivalit më 15 të muajit korrik. Në ditën e gjashtë të festivalit mysafirëve pjesëmarrës do t’u prezantohet Kosova, në një ekskursion në vendet më atraktive të saj. Dita e fundit është caktuar të jetë 20 korriku, kur do të shpallen fituesit. Çmimi për filmin më të mirë, aktorin më të mirë, aktoren më të mirë, çmimin e publikut, si dhe çmimin e karrierës që bart emrin e Faruk Begollit, janë çmimet që do ndahen për më të mirët. Dedikimin e edicionit të parë për profesor Faruk Begollin, Rafuna e ka quajtur nder për figurën e tij. “Njerëzit e mëdhenj po na vdesin e ne nuk po bëjmë asgjë sa po janë gjallë”, ka thënë Rafuna. Vitin tjetër festivali do t’i dedikohet aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, i cili vdiq tragjikisht ditë më parë. “Shqip Film Fest”, ndonëse në edicionin e parë të tij, tashmë ka lidhur bashkëpunim me festivalet simotra në Maltë, Milano dhe Budapest.

1 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›