Kristiano Ronaldo, statistikat e “vrasin”
Një goditje nga thuajse 40 metra dhe të devijuar në dy kohë nga portieri i Spanjës, Iker Kazijas, disa veprime të shpejta, por jo shumë bindëse në krahun e majtë, dy apo tre veprime të bukura teknike. Kristiano Ronaldo u largua nga Kupa e Botës pas humbjes në çerekfinale kundër Spanjës (0-1) dhe një paraqitje shumë larg nga ajo që të gjithë prisnin prej tij, duke zhgënjyer thuajse të gjithë ekspertët dhe adhuruesit e sulmuesit të Portugalisë dhe Realit të Madridit. Në hije në barazimin pa gola kundër Bregut të Fildishtë, një gol, një pas deciziv (për Tiagon) dhe një shtyllë kundër Koresë së Veriut dhe asgjë tjetër për ta vendosur “midis dhëmbëve”. Është e pamundur ta mendosh faktin se shokët e tij të ekipit nuk kanë dashur ta ndihmojnë atë. Qysh kur Karlos Keiroz ka marrë në drejtim përfaqësuesen e Portugalisë pas Euro 2008-s, Kristiano Ronaldos i mungon diçka thelbësore te përfaqësuesja e vendit të tij.
DY GOLA
Vetëm dy gola në 16 ndeshje me Keirozin. Statistikat janë të pamëshirshme: përpara se të shkëlqente përballë koreanëve në “Green Point”, “Topi i artë 2008”, nuk kishte dhënë akoma një pas vendimtar dhe të sillte shijen e vërtetë të një lojtari të madh. Përpara se të përballej me Korenë e Veriut, Portugalia kishte diskutuar njëzet takime nën drejtimin e ish-ndihmësit të Aleks Fergusonit te Mançester Junaitid. Nga këto 20 takime, Kristiano Ronaldo kishte luajtur 12 ndeshje si titullar dhe një si zëvendësues, duke luajtur në shumë sisteme të ndryshme loje (4-3-3, 4-1-4-1 ose 4-2-3-1 në korridoret e majta apo të djathta, si dhe 4-1-3-2 në qendër). Dhe produktiviteti i djaloshit ishte mjeran: një gol të vetëm, një penallti, e shënuar kundër modestëve të Ishujve Faroe (më 11 shkurt 2009), dhe një gol në miqësoren kundër Finlandës (1-0), madje nuk i ka shënuar edhe Shqipërisë në dy ndeshjet kundër vendit tonë (0-0 në Braga, 2-1 në Tiranë). Pas sinjalit pozitiv që dha kundër Koresë së Veriut, ra sërish në dy takimet pasardhëse (Brazil, Spanjë) në një apati të pakuptueshme. Me një total prej dy golash në 16 ndeshje në erën “Kuerioz”, duket se Kristiano Ronaldo dhe trajneri i tij nuk gjendet në të njëjtën gjatësi vale. Një problem përshtatshmëri?
KEIROZ
“Si shpjegohet eliminimi i Portugalisë? Flisni me trajneri”. Ky është shpjegimi që dha Kristiano Ronaldo pas ndeshjes me Spanjën. Jashtëklasi portugez nuk ka gjë tjetër, por toni i tij, sipas gazetës luzitane “A Bola”, ishte më shumë polemik. Ronaldo mbeti shumë gjatë izoluar nga loja dhe u kërkua nga shokët e tij vetëm me topa të gjatë, shpesh komplet të pasaktë. Trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz, tha pas eliminimit nga Spanja (0-1) se zemërimi i lojtarëve të tij duhet të jetë më i përmbajtur. “Nëse do të më duhet të kaloj të gjithë jetën time për të mësuar njerëzit që duhen të përmbajtur nga padrejtësitë, unë do ta bëj”, - deklaroi ai. Kristiano Ronaldo, i pyetur të martën në lidhje me arsyet e dështimit përballë Spanjës, e vuri direkt gishtin te trajneri. “Nuk duhet ta injorojmë faktin, se ne nuk jemi këtu për të qenë shok me lojtarët, nuk duhet të lejojmë kurrë që dikush atje sipër të dalë mbi interesat e ekipit Kombëtar. Portugalia ka nevojë për Ronaldon dhe Ronaldo ka nevojë për përfaqësuesen. Por, nëse kjo fanellë ri shumë e ngushtë për disa trupa, atëherë nuk ka nevojë të jesh atje”.
Kristiano Ronaldo pështyn telekamerën
Polemika në faqet e internetit për gjestin e turpshëm të Kristiano Ronaldo, i cili pas ndeshjes së humbur kundër Spanjës pështyu kundër një telekamera. Sipas të përditshmes spanjolle “As”, që raportoi edhe episodin, bëhet fjalë për një gjest që ka ardhur si pasojë e dëshpërimit nga humbja. Imazhet e asaj që ka ndodhur kanë bërë xhiron e botës në faqet e internetit, duke provokuar edhe shumë kritika.
Erikson: “Në Angli luhet shumë”
“Dështimi i Anglisë? Gjithçka është mungesa e një pauze në dimër”. Ky është opinioni i Sven Goran Erikson. “Nuk mendoj se ka ndonjë gjë të gabuar në futbollin anglez, - tha trajneri suedez, i cili drejtoi Bregun e Fildishtë në Botërorin e Afrikës. – E vetmja gjë prej së cilës jam mundur kur isha trajner, ishte pauza dimërore. Por për shkak të interesave ekonomike nuk ishte kurrë e mundur të ndërhyja. Anglia është i vetmi vend në Europë që nuk ndalon kurrë”.
David Silva te Manchester City
Goditje në merkato nga ana e Manchester City. Klubi anglez bleu mesfushorin e Valencia, David Silva, në shumën e 30 milionë eurove. Spanjolli firmosi për pesë vjet. City fitoi konkurrencën me Celsi, ndërkohë që trajneri Robert Mançini fitoi lojtarin 24-vjeçar të Kombëtares spanjolle, i cili ishte në majën e kërkesave të tij. “Kalova gjashtë vjet të mrekullueshëm te Valencia, por erdhi momenti për një sfidë të re”, - shkruante Silva në faqen e klubit spanjoll.
Elano: Arbitrat nuk i dënojnë të dhunshmit
“Flitet vetëm për golat në pozicion jashtëloje dhe gola fantazmë, por arbitrat që janë këtu në Botëror nuk e dënojnë lojën e dhunshme”. Braziliani Elano flet për rastin në të cilin lojtari nga Bregu i Fildishtë, Tiote, i shkaktoi një dëmtim jo të vogël. “Ka ndonjë lojtar që hyn në fushë vetëm për t’u bërë keq kundërshtarëve, nuk besoj se kjo është e drejtë, - shtoi Elano. “Lojtarët e Bregut të Fildishtë kanë shkuar në shtëpi, unë jam akoma këtu, por rrezikoj të mos luaj më në këtë Botëror. Kundërshtari im nuk u ndëshkua as dhe me karton të verdhë”.
Rajevac: “Gana mund të hyjë në histori”
Kur kanë mbetur dy ditë nga nga çerekfinalja kundër Uruguait, trajneri i Ganës, Milovan Rajevac, është i koshient si ekipi i tij mund të hyjë në histori, duke u bërë formacioni i parë amerikan që merr pjesë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës. “Ne mund të shkruajmë historinë”, -siguroi ai. “Do ta provojmë”. Trajneri serb beson te kualitet që ka grupi i tij. “Ne kemi shumë lojtarë të rinj, por që dëshmojnë besim. Cilësia më e madhe e këtij ekipi është uniteti i tij”. Rajevac e ka marrë Ganën në vitin 2008.
Frings: “Gjermania e eliminon Argjentinën”
Ish-lojtari i Kombëtares gjermane, Torsten Frings, parashikon një fitore të Gjermanisë kundër Argjentinës në çerekfinalet e Kupës së Botës. “Do të na duhet të bëjmë shumë kundër një kundërshtari të tillë, por Gjermania do të dalë fitimtare”, - deklaroi Frings për gazetën gjermane “Kreiszeitung Syke”. Në Botërorin e vitit 2006, “Nationalmannschaft” ia doli të eliminojë “L'Albiceleste” nga gjuajtjet e penalltive (1-1 me lojë, 4-2 me penallti).
KAKAU
Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, bëri të ditur se Kakau nuk do të jetë i sërish i disponueshëm për ndeshjen kundër Argjentinës. Qendërsulmuesi vazhdon të vuajë nga një dëmtim i muskujve të barkut. “Do të bëjmë sërish një test të premten për të vlerësuar gjendjen e tij, por kjo më tepër është një verifikim”, - tha Lëv. Ish-trajneri i Shtutgardit tha se 22 lojtarët e tjerë janë të disponueshëm për sfidën kundër Argjentinës së Lionel Mesit.
LEHMAN
Ish-portieri i Kombëtares gjermane, Jens Lehman, i sapo dorëhequr nga futbolli i luajtur, deklaroi se ai ndihet akoma lojtar për të reflektuar për të ardhmen e tij. “Pas Kupës së Botës do të nisem me pushime, - tha Lehman, që i vari dorezat në gozhdë pas 394 ndeshjeve në Bundesligë me Shtutgardin, ndërkohë që nga karriera ndërkombëtare ishte tërhequr pas finales së Euro-s të humbur kundër Spanjës.
1 Korrik 2010