E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, dy finalistë për yllin e parë

Kampionati Botëror për herë të parë u zhvillua në një kontinent të ri, në Afrikë, ndërkohë që Europa e Vjetër do të fitojë për herë të parë në historinë e kompeticionit, që nisi udhë në vitin 1930, një trofe jashtë kufijve të saj gjeografikë, pasi të dielën, në finalen e Botërorit të 19-të, më 11 korrik, kur Holanda dhe Spanja të përballen midis tyre, njëra do të jetë kampionia e tetë e botës dhe e pesti ekip europian që fiton një kampionat, pas Italisë (4 herë), Gjermanisë (3 herë), Anglisë (1 herë) dhe Francës (1 herë).

Kurrë e kurorëzuar jashtë tokave të saj, Europa ka qenë e mallkuar në Botën e Re, rregullisht e dominuar nga vendet nga Amerika e Jugut. As dhe në botërorin e parë të zhvilluar në Amerikën e Veriut (SHBA, 1994) dhe as në të parin në Azi (Kore/Japoni 2002), nuk ndryshoi dot diçka. Ky mallkim dukej se do të vazhdonte edhe në Afrikën e Jugut, kur ekipet nga Amerika e Jugut afishuan superioritetin e tyre gjatë fazës së grupeve dhe më pas në një të tetat. Pesë përfaqësuese të tyre (Argjentina, Brazili, Kili, Paraguai, Uruguai) kapërcyen fazën e grupeve, por më pas nisën të lënë puplat një nga një, duke filluar me përplasjen Brazil-Kili. Hierarkia u përmbys komplet në fazën e çerekfinaleve, ku ekipet e shpëtuara nga kontinenti i vjetër imponuan ligjin e realizmit ndaj amerikanojugorëve. Pesë herë kampioni i botës, Brazili, u eliminua nga Holanda dhe Argjentina e Lionel Mesit u gjunjëzua nga ofensiva efikase e Gjermanisë. I vetmi i mbijetuar ishte ai që pritej më pak: Uruguai, që kishte mbërritur në finalet e Afrikës së Jugut, përmes plejofit. Një edicion i shkëlqyer për formacionin “Celeste” që kishte fituar në botërorët e viteve 1930 dhe 1950, por jo një ekip si Kroacia në vitin 1998 dhe Turqia në vitin 2002.

Tashmë ka mbetur vetëm akti i fundit i Botërorit. Finalja. Kush do ta fitojë trofeun? Holanda apo Spanja? Van Marvijk apo Visente Del Boske? Respektivisht në vendet 4 dhe 2 në renditjen e FIFA-s, janë dy ekipet e vetme që i fituan të gjitha ndeshjet kualifikuese për në Botëror. Holanda mbërriti në finale pas bërë qoftë dhe një gabim të vetëm qysh nga fillimi i turneut: 6 ndeshje, 6 fitore, 12 gola të shënuar. Spanja, nga ana e saj, larg të qenit “Furia roja”, e nisi me një humbje 1-0 kundër Zvicrës. Të konsideruar si favoritë të mëdhenj, kampionët në fuqi të Europës realizuan një ecuri italiane, fitore me rezultat të ngushtë, duke shënuar pak gola (7). Fituesi do të vendosë për herë të parë një yll në bluzën e tij dhe do të bashkohet në histori me Uruguain, Brazilin, Italinë, Gjermanin, Anglinë, Argjentinën dhe Francën, e fundit që hyri (në vitin 1998) në një klub shumë të zgjedhur. Dy kombet kanë mundësinë të afirmohen si fuqi botërore, një cilësi që do t’u njihet kur njëra prej tyre do të fitojë trofeun.

Të dyja janë kampione të Europës: Spanja e ka fituar në vitin 1964 (në shtëpi) e më sërish në vitin 2008; Holanda e ka fituar atë në vitin 1988. Spanja ka humbur edhe një Euro-finale në vitin 1984 kundër Francës. Në Kupën e Botës, Spanja kishte shkuar një herë në gjysmëfinale, në vitin 1950. Ajo është kualifikuar rregullisht nga Botërori i vitit 1974, por kurrë nuk ka qenë kaq pranë historisë. Edhe pse organizoi Botërorin e vitit 1982, ajo nuk la gjurmë të mëdha në shtëpi. Spanja ka aktualisht një gjeneratë të jashtëzakonshme lojtarësh të tillë si Ksavi, Iniesta, Kasijas, dhe synon të fitojë Botërorin. Holanda ishte një liliput i futbollit europian, derisa Ajaksi i Amsterdamit dhe Fejenordi i Roterdamit dhe lojtarët e tyre bënë histori në finalet e Kupës së Botës në vitin 1974 dhe 1978. Dy takime të humbura, dy data traumatizuese për një popull që vlerëson se “futbolli total” (të gjithë sulmojnë, të gjithë mbrohen) i praktikuar në ato vite nga “Oranje” meritonte më shumë. Në vitin 1988, ekipi i milanistëve, Gulit, Van Basten dhe Rajkard fitoi më në fund kampionatin e parë europian. Njëzet e dy vjet më pas, një tjetër finale “europiane” do të luhet në Afrikën e Jugut, kësaj herë kundër Spanjës. Kësaj here për t’u shpallur kampione e botës.

Revolucioni “portokalli” vs.“futbollit total” spanjoll

Për herë të parë pas 32 vjetësh, Holanda më në fund ka shansin të harrojë dy humbjet fatkeqe në finalet e Kupës së Botës në vitin 1974 dhe 1978. A do të mundet ajo kësaj radhe të fitojë trofeun, kur përballë saj do të ketë ekipin më të mirë në botë? Arsyeja kryesore në këtë Kupë Bote mund të konsiderohet e pa precedentë, jo vetëm për faktin se Holanda do të bëhet për herë të parë kampione e botës (deri tani e kanë fituar shtatë kombe), por se rruga e saj drejt finales ka qenë perfekte, duke fituar të gjitha ndeshjet kualifikuese dhe të gjitha ndeshjet në këtë botëror. Tani përballë do të kenë ekipin më të mirë në planet. Spanjën. Shumë mendojnë se Holanda ka pasur shumë fat në rrugën e saj, pavarësisht se mundi Brazilin, e disa të tjerë pohojnë se ajo ka qenë me fat edhe në disa vendime gjyqtarësh. Po cilat nga ekipet që kanë fituar Kupën e Botës nuk e kanë pasur këtë ndihmë? Nëse “Oranje” do të fitojë Kupën e Botës, ajo do të bëhet i pari ekip “perfekt” në historinë e Kupës së Botës, ajo do të bëhet kombi i parë europian që fiton Kupën e Botës jashtë Europës, Van Marvijk do të shndërrohet në legjendë si i vetmi, që nuk humbi apo barazoi një ndeshje të vetme në Kupën e Botës, Shnajderi do të fitojë “Topin e artë”, Van Bronkhorst do të tërhiqet në mënyrën më prestigjioze të mundshme si kampion i botës, dhe në fund Holanda do të vendosë emrin e saj midis fuqive më të mëdha futbollistike të botës. Mund edhe të ndodhë, që Holanda të humbë, por ajo sërish do të futet në rekordet e Kupës së Botës, si i vetmi komb që ka arritur në tri finale dhe nuk fiton qoftë dhe një trofe të vetëm. Holanda është e modelit “Të gjitha ose asnjë”, dhe ka humbur atëherë kur fitorja i është dashur më shumë se kurrë. Gjithmonë duke përfunduar e dyta. Por, historia kujton gjithmonë vetëm fituesit.

Kush do ta ngrejë trofeun?

Dhe finalja mbërriti. Kjo është ajo që çdo tifoz futbolli ka pritur. 32 ekipe nisën kompeticionin, më 11 qershor dhe vetëm njëra prej tyre do të ngrejë trofeun, më 11 korrik. Kush të do të jetë fituesja: Spanja apo Holanda?

RRUGA E HOLANDËS

Holanda është ekipi më perfekt në këtë edicion të Kupës së Botës, duke fituar gjashtë ndeshje në po aq takime. Ajo mundi Brazilin në çerekfinale dhe eliminoi Uruguain në gjysmëfinale për të kapur për herë të tretë një vend në finale. Holanda është e mirënjohur për stilin e saj të “futbollit total”, por tashmë ajo është më solide, çka i ka sjellë sukses. Arjen Roben dhe Uesli Shnajder janë në tip-formë. Mbrojtja e tyre në zonë vuan nga ndonjë problem, por me një nga sulmet më të mira në futbollin modern, ato mund ta kompensojë. Holanda vuajti shumë pas dy finaleve të humbura në vitin 1974 dhe 1978, dhe tashmë ajo është e uritur të fitojë trofeun e parë të saj.

RRUGA E SPANJËS

Edhe pse ka pasur një nga kampionatet më të mëdhenj të futbollit, Spanja nuk ka qenë e aftë të shkëlqejë në nivelin ndërkombëtar. Por kjo gjeneratë yjesh është e gatshme t’i japë vendit të tij lavdinë e munguar. Spanja është kampionia në fuqi e Europës dhe luan finalen e parë të saj në një Kupë Bote. Spanja e nisi turneun me një humbje kundër Zvicrës, por ajo e mori veten shpejt duke e mbyllur në vendin e parë në grup. Mundi me rezultatin e ngushtë Portugalinë në një tetat, Paraguain në çerekfinale dhe Gjermaninë në gjysmëfinale. Asnjë ekip nuk a ka fituar Kupën e Botës pasi ka humbur ndeshjen e parë të tij në turne, kështu që Spanja ndoshta mund ta thyejë këtë mallkim.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Hene, 12 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›