E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boterori i notit vendoset rekord i ri

Pesë medalje të arta u dhanë në ditën e pestë të kampionatit botëror të notit që po zhvillohet në Shangai të Kinës. Dy prej tyre u fituan nga skuadra e shkëlqyer amerikane, ndërsa nga një e morën australianët, kinezët dhe rusët.

Rajan Lohte ishte heroi i ditës, pasi jo vetëm fitoi garën e 200 metrave në stile të përzier për meshkuj, jo vetëm la prapa rivalin e madh, Majkëll Felps, por edhe theu rekordin botëror, i pari rekord në këtë botëror dhe i vetmi deri tani.
Amerikani vendosi kohën 1’54”00 duke mbrojtur titullin e fituar më 2009, ndërsa Felps doli i dyti me 16 të qindat më shumë. Në vend të tretë doli hungarezi Laslo Çeh me kohën 1’57”69.

Në 100 metra stil i lirë po për meshkuj fitoi australiani Xhejms Magnusen me kohën 47”63, duke u bërë i pari notar nga Australias që fiton këtë garë në të gjithë historinë e notit. Pas tij doli kanadezi Hajden dhe në vend të tretë Mejnar i Francës. Rekordmeni botëror, braziliani Sesar Sielo doli vetëm në vend të katërt.

Në këtë garë, Shqipëria u përfaqësua nga notari 21-vjeçar Sidni Hoxha i skuadrës Tirana Delfina Sport. Hoxha dha kohën 51”51, duke zënë vendin e 48-të ndër 105 pjesëmarrës, ndërsa koha e tij është 58 të qindat larg kohës kualifikuese për në Lojrat Olimpike Londër 2012. Hoxha ishte diçka më shumë se 2 sekonda larg kohës së gjysmëfinaleve të këtij botërori.
Së fundi, në 200 metra flutur për femra fitoi kinezja Xhiao Liujang me kohën 2’05”55, duke lënë vetëm 4 të qindat prapa britaniken Elen Gandi, në garën e 50 metrave shpinë po për femra fitoi rusja Anastasia Zueva me kohën 27”79, ndërsa në stafetën 4x200 stil i lirë për femra fitoi skuadra amerikane me kohën 7’46”14.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›