E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëviz për t’mëdhenjtë

Hamdi Salihi synon ta fitojë titullin e kampionit të Austrisë me Rapidin e Vjenës. Sulmuesi shqiptar ka përfunduar në bankinë, por ai thotë se është i gatshëm të japë gjithçka kur t’i jepet rasti. 27 vjeçari e pranon se ka oferta, por insiston se do të largohet nga Austria vetëm për një klub të madh. Nga Express më 29 korrik 2011 në ora 13:21

Hamdi Salihi në Austri krahasohet me legjendën gjermane Gerd Muller. Sulmuesi shqiptar shënon gola pandërprerë, duke u bërë lojtar i rëndësishëm i Rapid Vjenës. Sezonin e fundit ai zhvilloi 52 ndeshje, duke shënuar 28 gola, gjashtë prej tyre në Kupën e Austrisë.

Për këtë u nderua të hënën me një trofe si shënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në këtë kompeticion, në shortin që u hodh për rrethin e parë të sezonit të ardhshëm.

Ndërkohë, 27 vjeçari e ka dhënë një intervistë për magazinën austriake LAOLA1, ku ka folur për situatën e tij aktuale në Hutteldorf, diferencën ndërmjet trajnerëve Peter Pacult dhe Peter Schottel, si dhe përfitimin që do ta ketë Rapidi këtë sezon, pasi nuk merr pjesë në garat evropiane.

Hamdi, sa është i rëndësishëm çmimi i golashënuesit më të mirë të Kupës në një sezon pa fituar trofe?
Salihi: Është një arritje dhe sukses i madh, por më mirë do të ishte që ta fitoja Kupën me Rapidin. Futbolli është sport ekipor. Çka më nevojiten gjashtë gola, nëse ne kemi mbetur duarthatë? Trofeu është një shpërblim i mirë për mua, por këtë sezon dëshiroj të fitoj titull.

Rapid ka shpresa që ta fitojë Bundesligën këtë sezon?
Salihi: Në dy ndeshjet e para gjithçka shkoi perfekt për ne. Jemi numër një me gjashtë pikë, katër gola të shënuara dhe asnjë të pësuar. Por, vetëm tash do ta sprovojmë veten, kur të luajmë me Riedin, Austrinë dhe Salzburgun.

Ke luajtur pak. 27 minuta dhe një gol kundër Admiras. Në ndeshjen e Wiener Neustadt ishit vetëm zëvendësues...
Salihi: Dëshiroj të luaj si çdo lojtar tjetër, natyrisht 90 minuta, pa marrë parasysh nëse ndeshja e fundit shkoi mirë apo keq. Por, unë jam vetëm njëri nga 25 lojtarët e Rapidit. Secili nga ta dëshiron të jetë në formacionin bazë. Vendimin e merr vetëm trajneri.

Jeni gati për të luajtur?
Salihi: Po, sepse po punoj mirë. Ne e kemi edhe trajnerin e duhur. Unë ushtroj çdo ditë, jam i fokusuar dhe nuk dëshiroj ta humb besimin. Kur ta kem rastin, do të jem atje dhe të jap gjithçka, qoftë nëse luaj nga fillimi ose vetëm një minutë. Njëjtë sikur ndaj Admiras, sepse po punoja fort.

Por, ju në dy sezonet e fundit shënonit 17 dhe 18 gola, ndërsa tash uleni në bankinë...
Salihi: Natyrisht, nuk është situatë e lehtë për mua. Mirëpo, një lojtar i mirë është edhe mentalisht i fortë. Jam i gatshëm nëse trajneri ka nevojë për mua. Unë di ta menaxhoj këtë presion.

A e dini arsyen pse trajneri preferon sulmuesit tjerë para teje?
Salihi: Unë nuk jam tip që pyet shumë. Nëse trajneri vendos ashtu, unë nuk do të diskutoj. Trajneri e njeh profilin tim dhe e di se çka mund të bëj unë. Siç e thash, nëse ka nevojë për mua, unë jam aty.

Edhe kur Peter Pacult ishte trajner, të kemi parë shpesh në bankinë. A ka ndonjë ndryshim ndërmjet trajnerit të vjetër dhe atij të ri të Rapidit?
Salihi: Të dy trajnerët janë komplet tipa të ndryshëm. Pacult ishte impulsiv, gjithmonë punonte me presion. Kur lojtarët ishin nën presion, ai e gjente rrugën e suksesshme. Kjo nuk do të thotë se i funksionon çdo trajneri.

Po Peter Schottel?
Salihi: Ai është i qetë, krejt ndryshe në komunikim me ne. Deri tash nuk ka pasur arsye ta ngritë zërin dhe të jetë i zhurmshëm. Ndoshta ai dëshiron që gjithmonë të mbetet i qetë. Por mund të ndryshojë, nëse gjërat nuk shkojnë mirë. Shpresoj që të qëndrojë i qetë.

Ju po thoni se dëshironi ta fitoni titullin këtë sezon me Rapidin. Por, sa jeni i sigurt se do të qëndroni në Hutteldorf?
Salihi: Është koha e afatit kalimtar, për çdo futbollist kjo periudhë është interesante, po ashtu edhe për mua. Kishte interesime nga klube të ndryshme, kam oferta konkrete. Por, ato nuk ishin të mira për mua. Gjithmonë e kam thënë se do ta lë Rapidin vetëm nëse më kërkon një klub i madh dhe nëse oferta e tij i përshtatet Rapidit.

Kemi dëgjuar për interesimin e AEK Athens, Maccabi Haifa e Sochaux. Këto klube nuk hyjnë në kategorinë e top-klubeve?
Salihi: Nëse do më duhej ta ndërroja klubin, keni absolutisht të drejtë. Fansat e Rapidit e kuptojnë se nuk do ta refuzoja ndonjë ofertë të mirë. Derisa ajo nuk arrin, do të rri në Rapid. Ndihem rehat këtu dhe dëshiroj ta jap kontributin tim këtu.

Yasin Pehlivan, Tanju Kayhan e Veli Kavlak janë larguar këtë verë nga klubi për të zbarkuar në Turqi. Keni ndonjë ofertë nga atje?
Salihi: Kam 2-3 oferta nga Turqia. Klubet e atjeshme kanë potencial të madh financiar. Por, për mua nuk do të ishte mirë nëse largohem nga këtu për të shkuar në Turqi. Rastet e Yasin, Tanju e Veli janë ndryshe. Për mua nuk do të ishte një arritje e madhe për të shkuar në Turqi. Ata e njohin gjuhën, mentalitetin dhe ndihen atje si në shtëpinë e tyre.

Keni zhvilluar ndeshje miqësore ndaj Hoffenheimit dhe Valencias. A është i dhimbshëm fakti se nuk do të luani në kupa evropiane këtë sezon?
Salihi: Suksesi më i madh është kur luani ndeshje ndërkombëtare, këto janë momentet më të mira. Kjo është pse dhemb sepse nuk do të luajmë në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Në anën tjetër, kjo ndoshta është më mirë për kampionat. Do të jemi të koncentruar tërësisht në Bundesliga dhe nuk do të kemi ndeshje çdo tri ditë. Kjo do na kushtonte me humbje të energjisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›