Botërori në dimër, ide e mirë

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka thënë se përkrah idenë e zhvillimit të Kampionatit botëror 2010 në Katar gjatë dimrit. “Sigurisht se përkrahi idenë për të luajtur atje (në Lindjen e Mesme) gjatë dimrit”, tha Blatter në Abu Dhabi, ku është duke përcjellë Kampionatin botëror të klubeve.
“Më së miri është të luhet kur klima është e mirë dhe mendoj për futbollistët, jo vetëm për tifozët, por edhe për pjesëmarrësit kryesorë”, shtoi ai, duke iu referuar klimës së ngrohtë të verës në Katar, ku temperaturat mund të shkojnë në mbi 50 gradë Celsius.
Prej kur Katari fitoi të drejtën e nikoqirit për Kampionatin botëror 2022 më herët këtë muaj, ka pasur sugjerime nga figurat udhëheqëse si presidenti i UEFA-s, Michel Platini, dhe nënkryetari i FIFA-s, Franz Beckenbauer, për ndryshimin e kalendarit më 2022.
“Akterët dhurojnë spektakël dhe kjo është shumë me rëndësi të mbrojmë futbollistët dhe nëse kjo është e mundshme, por duhet të ekzistojë dëshira. Aty ku ka dëshirë gjendet edhe një mënyrë. Është në pyetje kalendari ndërkombëtar, por ka edhe 11 vite e gjysmë që kjo të realizohet”, shtoi Blatter.
Kreu i Federatës Botërore të Futbollit erdhi në Abu Dhabi nga Katari, ku mori pjesë në një ceremoni zyrtare që shënoi kandidaturën e suksesshme të shtetit. Një tjetër çështje që është paraqitur së fundmi është se Katari mund të kërkojë zhvillimin e disa ndeshjeve të Kampionatit botëror 2022 në shtetet fqinje.