E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një kontratë para pensionimit

Nga Express më 18 dhjetor 2010 në ora 10:42

Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, ka thënë të premten se kontrata e ardhshme që nënshkruan do të jetë e fundit para pensionimit dhe se domosdoshmërisht nuk do të mbetet me gjigantin gjerman.

“Pas vitit 2012 do të nënshkruaj edhe një kontratë ose të vazhdoj në Bayern, me një ekip kombëtar ose të bëhem drejtor i përgjithshëm në Ajax”, tha Van Gaal gjatë një interviste me të përditshmen sportive gjermane Bild. Ai insistoi se nuk do të joshet nga ndonjë ofertë e mirë financiare.

“Nuk punoj më për para. E bëj për kënaqësi. Kam jetë shumë të mirë. Një grua të dashur, dy fëmijë të bukur dhe kam fituar shumë tituj”, shtoi ai.

Kampioni në fuqi i Bundesligë, Bayern, gjendet në pozitën e gjashtë në tabelë, me 17 pikë më pak se kryesuesi Borussia Dortmund. Skuadra bavareze takohet me Stuttgartin të shtunën me shpresë të përfundojë vitin 2010 me fitore.

Pas pushimit dimëror, ekipit pritet t’i kthehen yjet Arjen Robben, Miroslav Klose dhe Ivica Olic, të cilët kanë munguar në periudhën e fundit për shkak të lëndimeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›