E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori nuk ndalet

FIFA është e vetëdijshme për kërcënimet e bëra nga organizata terroriste Al-Qaeda, por ka insistuar se rreziku nuk do të parandalojë zhvillimin e garës në Afrikën e Jugut.

Një krah algjerian i Al-Qaedas të premten ka paralajmëruar sulme në ndeshjen e grupit C, mes Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 12 qershor në Rustenberg, duke zgjuar frikë rreth sigurisë afërsisht dy muaj para fillimit të garës.

Por, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, gjatë një konference për shtyp, ka thënë: “Nuk do të thotë se për shkak të një kërcënimi Kampionati botëror nuk do të zhvillohet në Afrikën e Jugut apo ndonjë shtet tjetër”.

Ai shtoi: “Ne kemi liri në botë të festojmë atë që duam. Si organi drejtues i futbollit botëror, ne e dimë se ka kërcënime. Por, nuk do të ndalim zhvillimin e Kampionatit botëror për shkak se kemi marrë një kërcënim”.

Kërcënimet, që ishin publikuar në versionin online të një magazine të lidhur me grupin terrorist, janë duke u marrë seriozisht nga FIFA, që është zotuar të punojë me autoritetet në mbarë botën për të siguruar një Kampionat botëror pa incidente.

“Ne kemi përgatitur të gjitha që i takojnë sigurisë dhe jemi duke shqyrtuar këtë kërcënim në shkallë ministrore dhe me agjencitë e sigurisë në mbarë botën për t’u përkujdesur që asgjë nuk do të ndodhë në Kampionatin botëror. Jo vetëm që jemi duke bashkëpunuar me shtetet pjesëmarrëse, por me të gjithë që mund të na ndihmojnë të parandalimin e sulmeve”, theksoi Valcke.

Ndërsa 61 ditë para fillimit të Kampionatit botëror , FIFA dhe Komiteti Organizativ i garës i kanë bërë thirrje afrikano-jugorëve të blejnë 500 mijë biletat e mbetura. Faza e fundit e shitjes së biletave për 63 ndeshjet, me përjashtim të finales, do të fillojë më 15 prill.

“Faza e fundit e shitjes është shumë e rëndësishme. Nuk duam t’i japim botës pamje të stadiumeve të zbraztë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›