E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati, i gatshëm të dëshmojë nëse Prokuroria ia kërkon

Calciopoli Presidenti i Interit mund të dëshmojë versionin e tij në procesin e Napolit

Surpriza: Në Napoli zbret në fushë Masimo Morati. Presidenti i Interit është treguar i gatshëm të shkojë në prokurori për të dhënë llogari për “Calciopoli”-n. Nëse hetuesit do të dëshirojnë ta dëgjojnë si person të informuar mbi faktet edhe jashtë sallës, ai do të pranojë. Kjo do të thotë se do të jetë një dëshmitar në duart e Prokurorisë. Ky është një zhvillim i papritur. Morati ka arritur në këtë përfundim, pasi ka parë se po përfshihet Xhakinto Faketi në përgjimet e fundit. Padroni zikaltër nuk pranon që të hidhet baltë mbi figurën e Xhakintos, që për shumë të pasionuar mbetet simboli i sportivitetit: “Telefonatat e tij me gjyqtarët janë të një natyre krejt të ndryshme në krahasim me përgjimet, të cilat përbëjnë fakte për drejtësinë sportive. Kjo duket në mënyrë evidente, nëse ekzaminohen materialet nga një pozitë neutrale.

Megjithatë pluhuri i ngritur këto ditë nga mbrojtësit e Luçiano Moxhit ka ndikuar në komente dhe reagime që nuk janë pëlqyer nga padroni i zikaltërve. Morati është shumë i qetë mbi faktin, se “Calciopoli” nuk do ta përfshijë Interin, por ndihet shumë i irrituar për trajtimin e rezervuar ndaj një personi të dashur të tij, që nuk jeton më. Në ditët e kaluara kishte bërë publik prishjen e humorit të tij, edhe në lidhje me presidentin e federatës, Abete, i cili kishte përdorur një shprehje (“Ai që nuk mund të mbrohet”), të cilën e ka gjykuar si një pranim të fajit të ish-kampionit të Interit dhe të Kombëtares italiane. Por të premten ka pasur një kontakt mes drejtuesit të federatës dhe familjes së Xhakintos, në përfundim të të cilit janë zbehur dyshimet: Abete kishte për qëllim të mbronte Faketin dhe jo të hidhte hije dyshimi mbi implikimin e mundshëm të tij. Dhe presidenti i “Pirelli”-t, Marko Tronketi Provera, ka ilustruar me një frazë gjendjen shpirtërore të mikut të tij Masimo: “Besoj se gjatë këtyre ditëve nuk ka dalë në pah asgjë. Ka një intervistë të Moratit në vitin 2006, ku thotë qartë se si janë gjërat. Sot ka një përpjekje për ta quajtur atë si një gjë të paligjshme. Nuk ka absolutisht asgjë ilegale, nuk ka asnjë manipulim. çështja po bëhet shumë e rëndë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›