E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohen pikturat e fshehta të diktaturës

Një album voluminoz përmbledh gjithë veprat e tij të krijuara fshehtas gjatë diktaturës. Grafika, vizatime dhe pikturë në letër janë shprehje e revoltës së piktorit, i quajtur atëkohë dekadent. "Alush Shima-artist i kundërt", përgatitur nga Suzana Varvarica Kuka dhe botuar nga "Toena", është një përzgjedhje mes rreth 5000 krijimesh të viteve 1965-1990. Shima tregon se këto punë ishin një protestë e heshtur e tij ndaj regjimit, ndërsa vëllimi do të pasohet nga dy të tjerë që do të plotësojnë krijimtarinë e tij deri në ditët e sotme.
Vizatime e grafika të panjohura, realizuar gjatë 40 viteve diktaturë, paraqiten para publikut në një album. Çfarë përfaqësojnë për ju këto krijime?
Janë disa vepra që për atë kohë ishin shumë të rrezikshme, por me një kujdes dhe vëmendje të veçantë arritën të ruheshin dhe sot prezantohen për publikun. Pjesa dërrmuese kanë një histori, janë ankthet, frika, tmerri, ajo situatë pasigurie që ekzistonte në atë kohë. Mendoj se epiqendra e të gjithave është diktatori, është pjesa që unë e pëlqej më shumë, sepse ai ka qenë personi që na i solli gjithë ato fatkeqësi dhe detyrimisht meriton të jetë më shumë i pranishëm në atë libër. Unë e kisha të qartë rrezikun që më kanosej nëse këto vepra do të gjendeshin, por njeriu ka edhe kurajo, guxim dhe dëshirë për ta thënë të vërtetën ashtu siç ka qenë. Ka shumë arsye që të shtyjnë ta lësh mënjanë frikën për të pasqyruar atë për të cilën njerëzit kishin nevojë atë kohë. Sigurisht që këto piktura u krijuan në atë kontekst e duhet të ishin shfaqur atëkohë, por kjo ishte e pamundur.
Ju jeni cilësuar si piktor dekadent për atë kohë. Kur filluat ta ndieni rrezikun?
Që prej vitit 1973 unë e mbylla ciklin e ekspozimit të veprave të mia. Nga 6-7 pjesëmarrje, përveç tablosë së një minatori (e vetmja vepër e imja në Galerinë Kombëtare të Arteve), që ma dhanë ta përpunoja para se të paraqitej për publikun, punët e mia nuk u ekspozuan. Unë isha kundër rrymës, pa njeriun e qeshur, optimist, që sheh të ardhmen. Bëra Naim Frashërin që pati pasojat e tij, Margarita Tutulanin, por edhe një "Skënderbe" të madh që u refuzua. E pashë të arsyeshme të tërhiqesha para se të ndodhte e keqja e madhe. Fillova të pikturoja fshehurazi që nga ai vit deri në 1990. Veprat e mia kanë qenë të mbyllura edhe për familjarët, me përjashtim të gruas. Edhe unë vetë, pas ‘90-ës fillova t‘i shihja realisht siç sheh një piktor veprat e veta, sepse bëheshin në darkë dhe po në darkë fshiheshin diku.
Ku i keni ruajtur krijimet tuaja?
Një pjesë në tavanin e shtëpisë, por sipas ngjarjeve që ndodhnin rrotull meje, lëvizja edhe punët. Sot kjo ndoshta duket e pakuptueshme, por atëkohë nëse nuk ishe i kujdesshëm rrezikoje të gjithë fisin.
U deshën gati edhe 20 vjet që këto vepra të publikohen. Pse pritët kaq gjatë?
Të mos harrojmë se vijmë nga një diktaturë e egër dhe ithtarët e asaj diktature, një pjesë e tyre ndoshta janë ende gjallë. Ata nuk pranojnë ta shohin idhullin e tyre ashtu siç e kam bërë unë. Duhej pritur njëfarë kohe sa të qetësoheshin gjërat. Për më tepër veprat e artit nuk kanë kohë reale. Ky është një album që nuk cek persona konkret. Ai flet për diktaturën në sensin universal, mund të shërbejë edhe në Kili, Kongo. Nuk ka figura të ngacmuara në pamjen e tyre fizike apo me ngjasime konkrete, por aludohet dhe kuptohet për kë bëhet fjalë.
Gjithçka është në tone të errëta. Ishte një lloj proteste ndaj asaj kohe?
Mbi të gjitha, si individ kam preferuar lirinë dhe gjithë dufin tim do ta shprehja ndaj atyre që ma kufizonin këtë liri. Detyrimisht pikturat nuk mund të ishin me dritë apo me ngjyra të pastra. Flitej për një periudhë tepër të errët dhe ne e pamë vetë se të gjitha ëndrrat që thuri ai sistem ishin një hiç. Një njeri që e vëzhgonte me kujdes atë mënyrë jetese, do mbante një qëndrim.
Ky album do të pasohet nga dy të tjerë. Çfarë do të përfshihen në to?
Në këtë album janë përfshirë grafikat që nga vitet ‘65 deri në ‘90. Në vëllimin e dytë do të përfshihet krijimtaria ime pas viteve ‘90 e deri në ditët e sotme. Janë kryesisht piktura në vaj (200-300 punime) dhe ekspozita të ndryshme që kam bërë nëpër botë. Më pas do t‘i rikthehem kombinimit të të dyja periudhave për të qenë më i plotë, më në kompleks.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›