E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hakmerret" Vjosa, rimerr inertet e nxjerra në brigje

Dalja nga shtrati i lumit Vjosë pak ditë më parë ka shkaktuar dëme jo vetëm në të mbjella dhe banesa, por dhe mjaft firma të shfrytëzimit të inerteve në brigjet e Vjosës kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Tonelata të tëra me inerte të nxjerra dhe të përpunuara nga firmat e ndërtimit janë marrë sërish nga rrjedha e Vjosës, si një "shpagim" natyror. Përgjatë brigjeve të lumit Vjosë, që nga ura e Mifolit në Ferras deri në Kutë të Mallakastrës, janë vendosur më shumë se tetë firma inertesh. Ato shfrytëzojnë brigjet dhe shtratin e lumit prej shumë vitesh. Ndërsa asnjëherë nuk janë inspektuar kriteret e shfrytëzimit që këto firma i bëjnë lumit, duket se ky i fundit ka "marrë hak" vetë. Në përmbytjen e tri ditëve më parë, konfirmohet se katër nga tetë firmat e inerteve kanë pësuar dëme të mëdha. Përfaqësuesi i njërës prej firmave, ajo që po ndërton edhe autostradën Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, është shprehur se dëmi përllogaritet të jetë më shumë se 250 mijë euro.

"E kishim parashikuar edhe më parë një ‘tërbim‘ të tillë të Vjosës, ndërkohë që dëmtimet që i kanë bërë firmat e tjera, padyshim që do të kishin pasoja dhe në biznesin tonë. Dëmi konkretisht tek unë shkon në 250 mijë euro", është shprehur përfaqësuesi i firmës. Ky ka akuzuar se përmbytja e lavatriçeve të inerteve në brigjet e Vjosës është shkaktuar si pasojë e shfrytëzimit pa kriter që i është bërë brigjeve të lumit nga firmat e tjera. Dalja e Vjosës në këtë prag dimri nxori në pah jo vetëm mungesën e marrjes së masave nga autoritetet për të kontrolluar brigjet e saj, por edhe neglizhencën e autoriteteve të kontrollit për të ndaluar shfrytëzimin pa kriter të Vjosës.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›