"Liria" Një skulpturë kundër informalitetit
Rastësisht, bashkë me shokun tim, shkrimtarin Nasi Lera, kaluam nëpër Kamzë për të vazhduar rrugën më tej. Në qendër të qytezës u ndeshëm me një kompozim skulpturor që na tërhoqi vëmendjen. Aty ku kryqëzohen rrugët pranë bashkisë, mbi një platformë të rrumbullakët pamë të vendosur një kalë prej bronzi që vraponte njësh me djaloshin e ngazëllyer pranë. Qëndruam të habitur, sëpari nga vepra e bukur skulpturore e një autori të panjohur, por edhe prej gjetjes origjinale në këtë nyje qarkullimi që zakonisht, në vende të tjera, është kaluar me një "shatërvan të thatë", apo lule të mbjella veç për ditën e përurimit. Këtu në Kamzë, ku përmblidhen dikur fshatra përreth Tiranës, si Bathorja, Laknasi, Valiasi etj., krahas një progresi dhe gjallërimi infrastrukturor bashkëkohor, vëren gjetje ambicioze kulturore dhe artistike që të befasojnë. E mbaj mend mirë Kamzën. Isha fëmijë kur bashkë me shokun tim, Skënderin, shkonim te dajat e tij në Laknas. Luanim me top në lëndinat e blerta të Institutit Bujqësor apo kur ditëve të diela në aksione shkonim në ndihmë të fshatit. Më vonë, jo rrallë, shoqëroja gruan time Shpresën, shtatzënë, mësuese e anglishtes në Shkollën e Mesme Bujqësore të Kamzës, me autobusin urban ngjeshur. Kamza, qyteza e vogël pranë Tiranës, bënte jetën e saj kulturore e artistike, me njerëz të pasionuar në shkencë, arsim, sport etj., brenda një oazi që tani, me ndryshimet shoqërore në pluralizëm, është kthyer në një zonë pothuajse informale për hir të ndërtimeve të vrullshme pa leje, por që po bëhen përpjekje të suksesshme për ngritjen e një infrastrukture të re e të plotë të këtij vendi shumë të lakmueshëm. Takimi me një vepër arti në qendër të Kamzës ishte një e papritur shumë e këndshme, aq më shumë cilësore, si ajo kur vjen nga veriu i atdheut për në kryeqytet, një skulpturë e karakterit monumental e dekorativ, që të detyron të ndalosh apo qoftë edhe të ndërrosh shpejtësinë e të shohësh një punim të bukur mjeshtëror.
Por, gjetja e motivit dhe zbërthimi artistik kompozicional është ajo që të bën pastaj të "zbresësh nga kali" dhe të kënaqesh me të vërtetë duke e soditur nga afër atë. Asgjë pompoze dhe deklamative, gjestikulative apo pllakateske, thirrëse, politizuese. Mbi një bazament të ulët 90 cm, të rrumbullakët, me perimetër 14 m, është konceptuar dhe vendosur një platformë tjetër më e vogël prej bronzi, me perimetër 4.70 cm, ku vrapon kali me fëmijën. Figura e kalit 2.5 cm, ndërsa e djalit 1.60 cm. Të dyja ato bashkë zhvillohen në një aks kompozicional katër metërsh. E gjitha e konceptuar në një vëllim që zhvillohet natyrshëm dhe lirshëm, që nuk të pengon si dimension dhe zhvillim hapësinor, i pranishëm dhe i pabezdisshëm në një nyje delikate qarkullimi e të ngarkuar, siç është ajo në Kamzë. Autori e quan këtë skulpturë "Liria". Liria në një vrap të lehtë bashkudhëtarësh e miqsh të pandarë, të Mëzit dhe Fëmijës që gëzojnë moshën, i përkëdhelen njëri-tjetrit dhe japin mesazhe tepër humane e mirësie. Përmes një komunikimi në distancë, kali i vogël naziq lodron dhe hov i llastuar pranë fëmijës që prin përpara e komunikon me të përmes shikimit kuptimplotë. Një metaforë e modeluar me ndjesi tepër njerëzore në një qytezë rurale ku dikur rriteshin kuaj-race, kuaj-pune, kuaj-sportivë, hipizmi. Transformuar tani në rrugën e modernizimit, Kamza jonë e bukur e Tiranës. Siluetat e figurave shihen qartë në të dy kahet kryesore të rrugëve, kur shkon apo kthehesh, por ka plot të tilla edhe gjatë rrotullimit në rrethin e platformës ngritur me gurë të gdhendur. Bazamentin prej bronzi e rrethon një pistë gurësh çakëll që kornizojnë veprën. Duke u marrë këto kohë me monumentet ekuestër të Skënderbeut, por edhe ato ngritur nëpër botë, në përpjekje për të njohur më nga afër vlerat e monumenteve të tilla, figura në kalë, më bëri përshtypje edhe ky punim që s‘është i këtij karakteri, por që në marrëdhënie të figurës me kalin ka vlerat e saj të ngrohta e njerëzore, artistikisht me nivel të mirë. Janë tjetër gjë ekuestrat e Verrokios dhe Donatellos në Itali, modele të figurës mbi kalë, të mbretërve, gjeneralëve, prijësve dhe komandantëve ushtarakë vendosur nëpër sheshe në poza imponuese e autoritare, mbi piedestale të larta e shoqëruar me emblema e relieve, realizuar nga mjeshtër të skulpturës monumentale. Tjetër gjë gjithashtu janë edhe kuajt e mëdhenj dekorativë, në lëvizje, shoqëruar me figura atletësh në fasada apo ura, lidhur ngushtë me arkitekturën e stileve klasike apo baroke etj. Kuajt kanë zbritur nga piedestalet e larta në shërbim të padronëve; ata i shohim nëpër sheshe e kënde në të gjitha format, qysh nga imitimet e tyre nga Shpellat e Laskosë e deri te saldimet e metalta, vetëm apo në marrëdhënie me figura si të barabartë. Kompozimi skulpturor në qendër të Kamzës, për artin tonë të këtyre viteve të tranzicionit, krahas disa punimeve të tjera me vlerë dhe si kundërpeshë e disa keqkuptimeve fatkeqësisht vendosur aty-këtu, është një punim që të bën përshtypje për përgjegjësinë e artistit në realizimin e një skulpture në natyrë, realizimin e një vepre monumentale e dekorative, ku ndjehet modelimi plastik i saktë e realist me tone të vërteta e bindëse, ku forma merr jetë në plane të gjera e thekse të bukura, derdhur mjeshtërisht në fonderinë "Kolnikaj", ku u derdh edhe "Skënderbeu" i Shkupit, vepër e Th.Dhamos. Po kush është ky skulptor që e ka realizuar këtë vepër? Nuk kishte asnjë shenjë të tij në të, prandaj pyeta në telefon mikun tim, skulptorin Thoma Dhamo, pasi diçka më shtynte të mendoja për të apo më shumë për ndonjë nxënës të tij. Ai më tregoi për autorin, Vladimir Llakajn dhe organizoi një takim me të, që do të mbetet një kënaqësi e përbashkët. Me të më shtyu të takohem dhe njihem vepra, puna, fryti i tij. Nuk ka gjë më të bukur kur njihesh me tjetrin, së pari nga respekti për veprën. Kështu më ndodhi edhe mua me këtë skulptor të ri që, në përvojën e jetën time të gjatë, nuk është i pari. Kur u takuam në kafe "Kumi" me Ladin, ishim bashkë me Thomain. Unë i thashë Llakajt, pa u futur ende në bisedë, se pasi nxorën një kampion në ushtri, duke pasur parasysh Gjeneral Veliun, dhe një tjetër sot në humor, Agronin, me siguri do të nxjerrim një të tillë edhe në skulpturë. Qeshëm dhe u futëm drejt e aty ku më interesonte mua. Mora vesh se Vladimir Llakaj kishte lindur në vitin 1967. Kishte kryer liceun artistik "Jakov Xoxa" të Fierit gjatë viteve 1986-1990 dhe menjëherë kishte fituar konkursin dhe filluar akademinë gjatë viteve 1990-1991 në Tiranë, vit kur unë sapo dola në pension. Mirëpo, meqë me ndryshimin e sistemeve u krijuan mundësitë e lëvizjes dhe qarkullimit, ai shkon në Itali, në Bolonjë, ku fiton konkursin artistik e pranohet në Akademinë e Arteve, në degën e Skulpturës (1991-1996). Prej vitit 2003 është pedagog i skulpturës në Akademinë e Arteve të Tiranës. Është pjesëmarrës i shumë ekspozitave vetjake dhe të përbashkëta në Romë, Bolonjë, Firence, Brindizi etj. Është fitues i konkursit të vitit 2006 për heroin e demokracisë - Arben Brocin, pjesëmarrës i disa ekspozitave dhe aktiviteteve artistike. Ladi është shumë modest, i heshtur, por shpërthyes në skulpturë. Vitet në Itali, në akademi kanë "gdhendur" dhe formuar një artist me shprehi të spikatura profesionale, me kulturë dhe dije mjeshtërore. E ngacmova se ku mësoi ta gdhendë kalin. Sigurisht si djalë çapkën nëpër lëndinat e shkëmbinjtë e Tepelenës? Po, më tha. Por e mësova edhe nga skulpturat famoze të mjeshtërve italianë, ku gjeta shumë të fshehta të këtij zanati.
Në Kamëz, Vladimir Llakaj kishte gjetur mbështetjen dhe përkrahjen e kryetarit të bashkisë, Xhelal Mziu, i cili është dashamirës i punës, por edhe i artit e kulturës, që ka si moto të tij zhdukjen e informalitetit dhe ngritjen e infrastrukturës së plotë në Bashkinë e Kamzës, rregullimin e sistemit rrugor, të energjisë elektrike, e ndërtimeve moderne etj., për ta bërë Kamzën një qytet bashkëkohor, sigurisht në dimensionet e veta. Në konkursin e organizuar sipas rregullave, mes pjesëmarrësve kishte fituar boceti i Vladimir Llakajt, cilësuar veçanërisht nga prof.Thoma Dhamo e prof.Hasan Nallbani, si një zgjidhje origjinale e shprehëse. Siç duket, profesorët kanë pasur të drejtë e besim në talentin dhe aftësitë e këtij skulptori që në një mënyrë ka "lindur", si të thuash, në Kamzë, për hir të skulpturës së tij të parë të suksesshme në natyrë. Edhe unë, me këtë shkrim, i uroj të ketë punë të mbarë e të suksesshme.
12 nëntor 2009