E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohet monografia mbi kompleksin e tumave në Apolloni



“Kompleksi i tumave 9, 10 & 11 në nekropolin e Apollonisë”, (“The complex of tumuli 9, 10 & 11 in the necropolis of Apollonia”) është monografia me dy vëllime, e autores italiane Maria Grazia Amore, që është prezantuar ditën e djeshme nga Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare. Ky është një botim krejtësisht i veçantë dhe tashmë ai mund të jetë në duart e publikut shqiptar, përfshi këtu lexues e studiues, për qëllime studimore e si një vlerë kombëtare shqiptare. Promovimi i kësaj monografie është zhvilluar në mjedise të Akademisë së Shkencave, salla “Aleks Buda”, në kryeqytet dhe në të ishin të pranishëm studiues e personalitete të ndryshëm të fushës. Monografia, që është përuruar tashmë është e dyta në serinë shkencore të botimeve të Qendrës Ndërkombëtare të Arkeologjisë Shqiptare, qendër kjo e themeluar gati 10 vite më pare e që kryen aktivitetin e saj si në fushën e gërmimeve arkeologjike si dhe atë të administrimit të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu duhet theksuar se libri është produkt i një pune shumë vjeçare gërmimesh e hulumtimesh në Apolloni, punë kjo e kurorëzuar me botimin prestigjioz të rezultateve.

Albert Verria udhëton me komedinë “Mashtruesi Çe Çe”

Pas një suksesi që kishte në teatrin “Petro Marko” Albert Verria po udhëton me shfaqjen e Prinadellos në Maqedoni. “Mashtruesi Çe Çe”, vepra e njohur e Pirandellos ka udhëtuar në një turne në Maqedoni, në qytetet Tetovë, Gostivar dhe Dibër e Madhe. Aktori dhe regjisori Albert Verria, pas një periudhe heshtjeje, i është rikthyer skenës me komedinë “Mashtruesi Çe Çe”, premiera e së cilës është shfaqur në teatrin “Petro Marko”. Duket se spektatori i shumtë, i cili ka shijuar momentet të bukura dhe argëtuese të komedisë, me aktorët Jorgaq Tushe, Ilirian Aliaj, parodisti Afrim Agalliu si dhe Ivana Metaj i ka dhënë rezultatet e veta. Pas shfaqjes, spektatorët kanë shprehur kënaqësinë që në skenën e Teatrit të Vlorës është vënë një komedi ku regjisori dhe aktori vlonjat, Verria, ka qenë protagonist pas një periudhe të gjatë mungese. Regjisori dhe aktori Albert Verria , së bashku me trupën e ka përcjellë këtë vepër të rëndësishme të Luigi Pirandellos edhe në qytetet e Maqedonisë, ku jetojnë dhe banojnë shqiptarët. Sa i përket autorit të kësaj vepre, regjisori Verria ka cituar një shprehje të regjisorit të njohur italian me origjinë arbëreshe, Antonio Gramshi, i cili thotë se “Pjesët e Pirandellos janë bomba dore, që shpërthejnë në mendjen e spektatorëve dhe shkaktojnë përmbysje ndjenjash dhe mendimesh”.

“Martesë italiane” në Muzeun Kombëtar

Seria “Vështrime italiane” ka shfaqur mbrëmë në orën 18.00 në Muzeun Historik Kombëtar filmin "Matrimonio all'italiana" (Martesë italiane). Ky film i realizuar nga regjisori Vittorio de Sica është filmi i tretë i serisë "Vështrime italiane", që po shfaqen çdo ditë në orën 18.00 në Muzeun Historik Kombëtar. Një film i vitit 1964, një skenar i ndërtuar sipas veprës "Filomena Marturano" të Eduardo de Filippos. Skenari na tregon për historinë e një biznesmeni që për vite me radhë ka patur një lidhje paralele, një grua për dashnore, ndërsa ka vendosur të martohet me një tjetër. Interpretojnë Marcello Mastroianni në rolin e Domenico Soriano-s, Sophia Loren - Filumena ,etj.
“Matrimonio all'italiana” kandidoi për Oscar më 1966 si filmi më i mirë i huaj dhe për aktoren protagoniste.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›