Dita e Tokës, Bashkia e Tiranës nis fushatën sensibilizuese për të ruajtur Planetin Tokë
Dita e Tokës shënon fillimin e një fushate të madhe sensibilizuese nga Bashkia e Tiranës, nën sloganin “Kujdesu për Planetin Tokë”, e cila me këtë rast i përgjigjet apelit për të ruajtur Planetin Tokë, duke nënvizuar nevojën e ruajtjes së burimeve natyrore të Tokës e duke i shprehur njëkohësisht mirënjohjen planetit tonë, i cili mbështet të gjitha format e jetës. Për të gjashtin vit radhazi, Bashkia e Tiranës kremtoi dje Ditën e Tokës, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane. Për këtë arsye, Bashkia e kryeqytetit organizoi një ceremoni në lulishten mbrapa Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, ku 100 m/2 sipërfaqe bari me forma gjeometrike të ndryshme u mbollën në këtë hapësirë, nga fëmijët e shkollave nëntëvjeçare të kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama nënvizoi mbështetjen e Ambasadës Amerikane dhe veçanërisht të ambasadorit Ëithers, i pranishëm në këtë aktivitet për të dëshmuar rolin e veçantë dhe vëmendjen që SHBA i kushtojnë promovimit të nismave të tilla, por edhe për ndihmën konkrete të vyer që Ambasada Amerikane ka dhënë gjatë këtyre viteve, në shtimin e përmasës së gjelbër në qytetin tonë. Më 22 prill të vitit 1970, 20 milionë qytetarë amerikanë iu përgjigjën apelit të senatorit amerikan Gaylord Nelson, duke u mobilizuar në një manifestim historik, në mbrojtje të Planetit Tokë.
Projekti
Zona e Kombinatit përfshihet në një studim sociologjik
Zona e Kombinatit në kryeqytet është përfshirë në një studim sociologjik, i cili zhvillohet për herë të parë në vendin tonë. Në kuadrin e 20 vjetorit të prezencës së “Kooperacionit Italian për Zhvillim” në vendin tonë, “COL’OR” dhe “Shoqata e Jezuitëve në Shqipëri” organizuan dje prezantimin e projekt-studimit të parë sociologjik në Shqipëri, për një zonë urbane dhe evoluimin e saj. Studimi ka për qëllim formimin e një jete të organizuar dhe në bashkëpunim mes anëtarëve të komunitetit, duke i përgatitur individët e tij që nga vegjëlia deri në moshën për punë, por në bashkërendim dhe me familjen. E gjithë kjo eksperiencë ka për qëllim që të zhvillohet në gjirin e komunitetit dhe lagjes. Kjo, me qëllim që të përjetohet bashkërisht mes të gjithë individëve kalimi nga një kulturë e vjetër patriarkale e sjellë nga zona të ndryshme të vendit (nga kanë dhe origjinën banorët e komunitetit), duke i përshtatur me një realitet të ri urban dhe modern. Në thelb të kësaj bashkëjetese në komunitet synohet sensibilizimi dhe rritja e ndërgjegjes dhe bashkëpërgjegjësisë qytetare në lagje dhe në qytet.
21 Prill 2010