Gjuha shqipe dhe akademizmi shqiptar
Një vështrim mbi standardizimin e shqipes dhe dhe pjesën e lënë në harresë
Behar Gjoka
Ndaj problemit të gjuhës shqipe, si ligjërim i folur dhe i shkruar vazhdimisht, kësaj ndërkohe, ka pasur mëtime dhe përpjekje për ta marrë në shqyrtim edhe seriozisht, por edhe thjesht sa për të kaluar radhën, ose edhe më likësht, ende sa për të rrëmbyer flamurin e betejës së fatit të gjuhës shqipe dhe të ligjërimit letrar si ndryeshueshmëri, përveç se kemi edhe një pikësynim zyrtar të qartë dhe të shpallur më së njëherë, papërjashtim të institucioneve të shqyrtimit të gjuhës dhe letërsisë, për ta lënë në hije përfundimisht, tashmë, si një çështje e mbyllur në qilarët e muzeve. Në këto qasje të ngahershme dhe të vona, megjithatë mjaft të shpeshta në vitet e demokracisë, si një debat, specifik dhe mirëfilli shkencor, janë dukur në këtë fushëbeteje të dijes gjuhësore dhe letrare, edhe analistë të gjithëdijshëm, shkrimtarë dhe studiues letrarë të zyrtarshëm dhe të pazyrtarshëm, por edhe jo pak studiues të mirëfilltë të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Debati i pambyllur
Për habinë e të gjithëve, gjuhëtarët që do të duhej të ishin më të çlirët, pra më të hapur për debatin shkencor për gjuhën e folur dhe të shkruar të shqipes së përbashkët (në horizont po duket rrekja e radhës e gjuhëtarëve të Filologjikut), realisht në shumicën e trajtimeve të tyre, aq sa mund të quhen shqyrtime, flasin dhe shkruajnë si me mëgojzë, pra me një pengim të madh, sa thua se po flasin dhe shkruajnë për qoftëlargun, kryekreje, për një temë, gjithnjë sipas tyre, të përfunduar dhe të mbyllur diku nëpër budrumet e pluhurosur shqiptar. Padyshim, që shtrimi për diskutim i problematikës së mprehtë të gjuhës shqipe, në të dy format thelbësore të ekzistimit të saj, pra si gjuhë e folur dhe si gjuhë e shkruar, pa mënjanuar këtu nga shqyrtimi asnjë nga faktorët, shkencor dhe letrar, do të kërkonte veçmas një afrim dhe trajtim plotësisht shkencor: Një trajtim që do të merrte në evidencë dhe analizë, në mënyrë të posaçme problematikën e hapur të shqipes së folur, si një dëshmi e pastër e larmisë, e ndarjeve dhe nëndarjeve, e dialekteve dhe nëndialekteve, e varianteve dhe e versioneve, e të folmeve dhe e situatave të një ndryshimi, që në fakt për shkencëtarin e gjuhës apo të letërsisë, më përtej patriotizmit dhe anti-patriotizmit letrar dhe gjuhësor, më përtej pikësynimeve emocionale, thjesht shënon një fakt dhe prani të diversitetit (ndryshueshmërisë), kulturor, gjuhësor dhe letrar, kurrsesi, jo një shenjë të dallimeve dhe përdallimeve, nuancave dhe ndryshimeve sociale dhe krahinore, siç rreken rëndomë që ta kundrojnë jo pak doktor – profesorë të pagëzimit të përjashtimit gjuhësor dhe të mos hapjes së debatit real dhe dobiprurës për gjuhën dhe letërsinë tonë. Po ashtu, formatimi i shqipes së shkruar, në optikën e qasjeve të gjertanishme, paraqitet edhe ca më i ndërlikuar, ndonëse i debatueshëm; sidomos kjo mbetet referenca më e paqartë e shqyrtimeve gjuhësore dhe jashtëgjuhësore, përjashtimore dhe pranuese, shpalosur dhe ligjëruar gjatë kësaj ndërkohe.
Përtej zanafillës
Gjuha e shkruar, siç dëshmohet nga dokumentet dhe është e gjithëpranuar nga shkenca e gjuhës dhe historiografia letrare e shqipes zë fill më Formulën e Pagëzimit të Pal Engjullit, dhe me libër të posaçëm, me veprën e Buzukut, pra me Mesharin. Po ashtu, shqipja e shkruar, si gjuhë e liturgjisë, letërsisë, kulturës, shkollës dhe tregtisë, ndonëse me alfabete të ndryshme, por që në vitin 1908, më në fund gjithëpranohet alfabeti latin, që e kemi në përdorim edhe sot e gjithë ditën, është një fakt gjuhësor dhe letrar, përmbi 450 vitesh. Në vitin 1972, siç dihet dhe është stërthënë nga shumë palë, që kanë dhe nuk kanë lidhje me rrafshet shkencore të shtrimit dhe zgjidhjes së këtij problemi të ndërlikuar, nis një situatë tjetër e shqipes së shkruar, pra jo fillesa e shkrimit të gjuhës shqipe. Me këtë çast, pra me vitin 1972, nis ekzistimin e vetë shqipja e standardit, e cila në shumicën e vetë, gjithnjë sipas konceptimeve të gjuhëtarëve, pavarësisht gradës shkencore që bartin mbi supe, ka përfshirë dhe ngërthyer brenda vetes gjithë përvojën e gjuhës shqipe të shkruar, kur në fakt në bazë të saj është vënë toskërishtja dhe jo të dy kryedialektet e gjuhës shqipe, sepse përndryshe nuk kishte gjasa dhe shkaqe serioze që të ndërpritej menjëhershëm ligjërimi i variantit të gegnishtes, si dhe në njëfarë mënyre edhe i arbërishtes. Bashkë me njësimin e anësuar, pra të vënies në themel të standardit vetëm të njërit kryedialekt, por, edhe duke e fshehur këtë fakt, shqipja ka pësuar edhe një bjerrje (humbje), të jo pak fakteve dhe shenjave të gjuhës shqipe të shkruar përpara njësimit të vonë të saj. Po kaq ndërliqshëm, iu qasën fatit të diversitetit të gjuhës shqipe edhe në seminarin mbi Albanologjinë, në vitin 2009, tashmë në një shqyrtim institucional, që zhvillohet për çdo vit, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës; e kësaj here u diskutua edhe mbi problemet e gjuhës shqipe, çka ka ngjarë historikisht aty, dhe sipas ndonjë mentari zelltar të gazetarisë së shkruar, ky seminari na qenkëshe ngritur si vijërojtës i gjuhës së standardit të vonë.
Akademikët e dy anëve
Prezantimi, akademik dhe universitar, me formulimin Shqipja e folur dhe Shqipja e standardit, ta tërheq vëmendjen, për dy situata:
A - Akademia dhe akademikët e Shqipërisë, së paku, siç janë shprehur, ngahera dhe qartësisht në seminare dhe sesione shkencore, në median e shkruar dhe vizive, në tekstet dhe librat e shkruar prej tyre, janë kundra çdo diskutimi ndaj çështjes së shqipes së standardit, pra, asaj që shpesh po quhet edhe si ligjërimi i njësuarishtes, të cilën e shohin si kryearritjen e shkencës gjuhësore shqiptare, dhe nuk hapin asnjërin sy (të shkencëtarit më së paku), për ta parë hendekun dhe shkretëtirën e krijuar, fill dhe në vijim të njësimit të çdo elementi ligjërimor në gjuhën shqipe.
B - Akademia dhe akademikët e Kosovës, përndryshe nga ata të Shqipërisë, ndonëse jo rrallë janë gjendur në situatën e avangardës (pararojës) së shrregullimeve të shkrimit të shqipes, si nivel i standardizuar, në parim dhe me ndonjë sprovë shkrimore, e pranojnë që edhe mund të rihapet debati për problematikën e ndërlikuar të shqipes së folur dhe të shqipes së standardit, por me sa duket edhe për ata, trajtimi pranohet që të kryhet vetëm në nivel retushimi (rregullimi) formal, të disa rregullave, kinse po e risjellin në fokus ligjërimin natyral të shqipes.
Të dyja palët, e të dy anëve të kufirit, pavarësisht kohës së shpalljes së mëvetësisë, kuptohet që shumica e akademikëve janë firmëtarë të Kongresit të vitit 1972, çka i pengon jo pak për të lejuar një debat të lirë dhe shkencor përmbi kompleksitetin e gjuhës shqipe, të varianteve të hershme dhe të trajtës së njësuar, që në fakt, teorikisht dhe praktikisht, vetëm sa do të prekte dhe zbulonte shenjat e ndryshueshmërisë së vlertë të gjuhës shqipe, si ligjërim i folur apo i shkruar. Madje, siç paraqitet dhe përflitet zakonisht, po prej akademikëve të hershëm dhe të vonë, sikur këtë shqipen që flasim dhe shkruajmë, ndryshe nga gjuhët e botës, na e paskërkan shpikur gjuhëtarët e pjesës së dytë të shekullit të njëzetë.
Në kërkim të brumit
Gjuhët e tjera, gjithnjë simbas historiografisë, teorive linguistike dhe letrare, njohin për krijues dhe shpikës, folësit e saj, kudo që jetojnë, dhe sidomos shkrimtarët. Dihet, nga studimet gjuhësore dhe letrare, të lashta dhe bashkëkohore, se italishtja u “lind” nga Dante Aligeri, ashtu siç anglishtja u “krijua” prej Shekspirit dhe spanjishtja nga Servantesi, rusishtja prej Pushkinit, gjermanishtja prej Hajnes, e pambarimisht kështu, ka ngjarë me të gjitha gjuhët e tjera të kontinentit. Pra, shqipja nuk ka se si të jetë jashtë kësaj ligjësie, gjuhësore dhe letrare, dhe si përlindës dhe pagëzimtarë të shqipes së folur dhe të shkruar janë shkrimtarët, që zënë fill me Buzukun dhe Matrëngën, për të ardhur deri tek Kadare dhe Camaj. Rrekja e këtij moti të radhës, padyshim edhe të tjera përpjeke pritet që të ndodhin, vjen pas hapjes dhe mbylljes disa herë me radhë të kësaj çështje nga media dhe opinionistët, nga gjenitë e mëhallave dhe kafeneve, nga gjuhëtarët e shumëngjyrësisë, të analistëve shumëngjyrësh, të kësaj çështje thelbësore për ekzistencën dhe funksionimin e kulturës shqiptare dhe të mbarë kombit shqiptar, e cila sidoqë ta rrotullosh diskutimin, kombëtarshëm ose antikombëtarshëm, shkencor apo jashtë-shkencor, europiançe apo kinezçe po deshëm, e ngërthen fati i gjuhës shqipe, në të dyja trajtat thelbësore të ekzistimit, pra, si gjuhë e folur dhe e shkruar.
Tentativa e seminareve
Në formulimin e termave të seminarit të sivjetëm, pra si shqipe e folur dhe shqipe e standardit, ndjehet dhe fanitet, në pamje si me doreza të buta, mbase edhe një rrekje përfundimtare, për ta mbyllur përgjithmonë ndërlikueshmërinë e fatit të gjuhës shqipe, si gjuhë vetëm e standardizuar dhe me shenja të qarta të njësuarishtes. Kjo, ndjesi dhe shqetësimi për trajtime dhe shqyrtime vetëmse të anësuara, pra, kryesisht të përjashtimit të zakonshëm përgjatë këtyre viteve, krijohet veçmas për disa arsye:
Së pari: Çfarë kuptojnë organizatorët e debatit për gjuhën me termin gjuha e folur? Të folurën e Prishtinës dhe Gjakovës, Dibrës dhe Shkodrës, Elabasanit dhe Vlorës, Ulqinit dhe Korçës, Matit dhe Tepelenës, Lushnjës dhe Lipjanit etj. ? Kuptojnë, thjesht procesin e të folmes në diakroni apo në sinkroni?! Pra, duket qartë dhe sheshazi që në formatimin e ligjëratës, padyshim me hire akademike dhe zyrtare, se kemi të bëjmë me një term evaziv dhe kryesisht me një tipologji papërcaktimore.
Së dyti: Mos vallë e kanë harruar ideatorët e këtij debati me vlera jetike për ekzistencën dhe funksionimin e gjuhës (jo vetëm të gjuhës shqipe, po të çdo gjuhë tjetër të botës), si një sistem, tërësor dhe i përjetshëm, me aspektin e gjuhës së folur dhe të shkruar, për fatin dhe problematikën e gjuhës dhe të letërsisë, sugjerimin e Sosyrit, përmbi paritetin e gjuhës së folur si origjinë dhe vatër e gjuhës së shkruar, por bashkëngjitur me të edhe mbi epërsinë, reale dhe imagjinare, që krijon gjuha e shkruar, krejt me të padrejtë, mbi gjuhën e folur.
Së treti: Si do ta gjykojnë studiuesit e pranishëm, me tituj dhe pa tituj, me libra dhe pa libra, përgjithësisht ndëshkimin e këtyre moteve të standardizuara, pra të një imponimi të dhunshëm të tij, që i ka bërë Shqipja e njësuarishtes, pak së paku dy parimeve thelbësore në formatimin e gjuhës së përbashkët, parimit fonetik, pra e shkrimit siç flitet (padyshim dhe mundësisht në të gjitha krahinat), si dhe atij historik të shkrimit të gjuhës shqipe, e cila zë fill, sipas përfundimeve të shkencëtarëve, të zyrtarshëm dhe të pazyrtarshëm, me Mesharin e Buzukut të vitit 1555.
Së katërti: Mos vallë kompromisi i bërë në vitin e largët 1968, nën hundën e pushtuesve sllavë, po në Prishtinë, natyrisht i kryerë me bekimin e sundimtarëve monistë, do të përsëritet në një mënyrë paksa më të fshehur dhe më të ndërlikuar, ndonëse tashmë siç duket në liri, edhe në vitin 2009? Fill mbas atij takimi, tashmë në 2010, e ka radhën Tirana, më sakët Filologjiku, për të shpallur synimet e veta për këtë çështje që nuk është thjeshtë zyrtare dhe akademike. Apo, kësaj here do të kemi një fillim të ri të qëndrimit ndaj gjuhës shqipe të folur dhe të shkruar, një fillim të ri, që do të shënojë edhe fundin e debatit për këtë çështje?
Triumfi i përjashtimit?
Kongresit i 1972, për pjesëmarrësit dhe për jehonën, e shtrirë në kohë dhe hapësirë, gjuhësore dhe jashtëgjuhësore, letrare dhe jashtëletrare, sidomos për ata që nuk e shohin gjuhën si një prangim prej standardit, më tepër shenjon dhe bart triumfin e politikës përjashtuese të vlerave të dialekteve, varianteve dhe të të folmeve të ndryshme të gjuhës shqipe. Kompromisi i radhës, nëse është dhe do të funksionojë si i tillë, sipas lartsynimeve (të panevojshme për t’u konsideruar kështu, sepse vetëm sa do të vonojnë hapjen e debatit real), do t’i vërë kapakun e mbylljes në muze, fatit të dy varianteve të hershme dhe bashkëkohore, si gjuhë e folur dhe e shkruar, pra gegnishtes dhe arbërishtes. Që prej asaj kohe, pra nga vitmbajtja e Kongresit, me çdo çmim dhe formë, është kryer dhunimi i të folmeve të tjera, padyshim i të folmeve të të gjithë krahinave, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që të unifikohet, por realisht edhe duke e çunifikuar gjuhën shqipe, në disa aspekte të leksikut, fjalëformimit, infinitivit (paskajores) etj. Megjithatë, për shqipen e folur dhe të shkruar, procesi do të mbetet i hapur, për sa kohë do të ketë italo - arbëreshë që flasin dhe shkruajnë arbërishten, për sa kohë do të ketë gegë, së paku mbi Shkumbin e sipër, do të vijojnë të flitet dhe të shkruhet gegnishtja. Në distancën kohore, pra kur e prekim një zhvoshkje dhe tjetërsim të shqipes, së folur dhe të shkruar, edhe për shkak të rrudhjes dhe trysnisë së ushtruar mbi variantet, dialektet, nëndialektet, të folmet e të gjitha trevave, ndonëse syzet e kongresit të dikurshëm e pengojnë qartësimin, duhet të ndalohet, përjashtimi i vlerave të krijuara në të kaluarën dhe në bashkëkohësi, më përtej “rregullores ushtarake”, si konceptim i një norme fikse, ndërkohë që ligjërimi gjuhësor (i folur dhe i shkruar), paraqitet i ndryshueshëm edhe sot e gjithë ditën, qoftë edhe për faktin e një ngurtësimi më të hershëm të praktikës dhe modeleve shkrimore të gjuhës shqipe. Çudia më e madhe, në këtë ligjëratë përmbi problematikën e gjuhës, si e folme dhe si e shkruar lidhet me faktin, se shqiptarët dhe të huajt e të gjitha anëve të kufirit, patjetër edhe ata të diasporës, larg dhe afër, më në fund e kanë kuptuar se në Shqipëri përpara viteve ’90 ka ekzistuar një diktaturë e ashpër, që ka shkatërruar qenien dhe ka futur ndasitë krahinore dhe fetare, që ka zhvilluar luftën e klasave edhe brenda qenies njerëzore, që ka ndarë dhe përçarë shqiptarët, në të përparuar dhe të prapambetur, të ditur dhe të pagdhendur ( edhe në varësi të kriterit gjuhësor, përpos tjerash), që e ktheu fytyrën e shqiptarëve kah socializmi, utopik dhe dështak, që u bë shkaku kryesor i lëvrimit të një letërsie tipike të realizmit socialist (shërbesë dhe parullë e pastër e sistemit), në përgjithësi. Po ashtu, Shqipëria e hegjemonisë moniste, sipërmori edhe aktin e unifikimit gjuhësor (faktikisht në pjesën më madhe të sterilizimit gjuhësor dhe letrar), me qëllimin formal sigurimin e unitetit të kombit dhe të kulturës kombëtare, pra kryesisht dhe vetëm nëpërmjet standardizimit, por në fakt në distancën e mjaftueshme kohore, edhe duke i përzënë disa nga vlerat e krijuara në të kaluarën qoftë në gegnishte, qoftë në arbërishte, e po kaq edhe në toskërishten e Poradecit dhe Kutelit, çka pohohet me krenari nga studiuesit dhe akademikët e zyrtarshëm përmbi njësimin e gjuhës së dy autorëve të fundit dhe, përgjithësisht dhe veçmas sendërtoi më së shumti njësuarishten e fitimtarëve politikë, të cilët edhe pse kanë rënë nga vafti, në rrafshet e kulturës, të gjuhës dhe letërsisë, e kanë lënë litarin jashtë dhe e kontrollojnë për bukuri situatën e ligjërimit gjuhësor, si shqipe e folur, por edhe të ligjërimit letrar, pra si shqipe e shkruar. Kanë lënë jashtë, litarin e mendësisë së përjashtimit dhe të kundërvënies ndaj çfarëdo alternative tjetër, më përtej zyrtaritetit të akademikëve të socilogjikshëm, por mjerisht edhe të atyre të semiotikshëm, të lindur dhe mëkuar prej të parëve, që mjerisht gjëllijnë në simbiozë të ndërsjellë, gati në të gjithë institucionet e shkollimit dhe të shkencës së albanologjisë. Shprehemi rreth kësaj çështje, pra shqipes së folur dhe shqipes së standardit, vetëm e vetëm për faktin e thjeshtë se qëllimisht dhe funksionalisht, në kokat e gjuhëtarëve, akademikë apo jo të tillë, është ngulitur ideja e gabuara (jo pak e mbrapshtë) dhe e pagjasshme që të qëndrojë në këmbë edhe për shumë kohë, e barazimit të gjuhës zyrtare (pra gjuha e standardizuar e komunikimit), me gjuhën e letërsisë, kur dihet se asnjëherë dhe asgjëkund nuk përzihen dhe ngatërrohen kaq ndërliqshëm sa në rastin e gjuhës shqipe.
Dy standarde
Gjuha e standardit, siç edhe është kodifikuar, pra gjuha zyrtare ka të bëjë me të gjithë aspektet e komunikimit publik, pra me gjuhën e administratës, të shkollës, të radiotelevizioneve, të gazetave, me tërësinë e mjeteve që kumtimin dhe komunikimin e kanë parësor. Megjithatë, hartuesit e standardit, në mënyrë të habitshme i dhanë gjuhës zyrtare (njësuarishtes së fitimtarëve të sundimit monist), pa e shpallur në fillim, edhe tre atribute të zyrtarshme, por jashtëgjuhësore dhe jashtëletrare:
Në radhë të parë: Gjuha e njësuar u shpall si e vetmja gjuhë shqipe letrare, kur në fakt historia e gjuhës dhe letërsisë shqipe, posaçërisht e shkrimit të saj, është krejt ndryshe. Gjuha letrare, pra në kuptimin e gjuhës së letërsisë, është më e hershme, nëse do të pranonim si letërsi tekstet e shkruar përpara vitit 1972. Duke u bazuar në dokumentet gjuhësorë dhe letrarë, gjuha e letërsisë zë fill me Mesharin e Buzukut, por me sa duket leximi fetar dhe antifetar, krahinor dhe provincial, do ta vonojë edhe për disa kohë pranimin e këtij fakti, fillimtar dhe themelvënës të shqipes së shkruar edhe si dëshmi parake letrare. Gjuha e njësuar, pra gjuha e standardit doli, natyrisht pa e shpallur një ide të këtillë, edhe kundër përfundimeve të historiografisë zyrtare, se letërsia (gjuha e letërsisë) nis me De Radën dhe Naim Frashërin.
Në radhë të dytë: Nisur nga përmbysjet e shumta të marrëdhënieve të gjuhës së letërsisë me atë që u shpall si gjuhë letrare, duket sikur gjuha e letërsisë, pra ligjërimi letrar lindet prej gjuhës së njësuar, kur në fakt e vërteta është krejt ndryshe dhe në një marrëdhënie të anasjelltë midis tyre. Është gjuha e letërsisë që nxit, afirmon dhe e shpëndërron në domosdoshmëri unifikimin e gjuhës letrare shqipe.
Në radhë të tretë: Gjuha e letërsisë së dhjetëra shkrimtarëve, sidomos të letërsisë arbëreshe, fill mbas këtij kodifikimi të gjuhës shqipe si gjuhë e standardizuar, kthehen dhe “përkthehen“ në këtë gjuhë të njësuarishtes. Këtij ndëshkimi dhe përhumbje nuk i shpëtuan dot as De Rada, as Serembe, as Gavril Dara etj.
Ka edhe fakte dhe argumente të tjerë, që nxjerrin në pah barazimin e pagjasshëm në të gjitha nivelet e ligjërimit të gjuhës së standardit me gjuhën e letërsisë, por ato që përmendëm më sipër ndihmojnë për të krijuar idenë dhe për të rihapur debatin mbi dallimet dhe diferencat e zakonshme të gjuhës zyrtare dhe të gjuhës së letërsisë. Puna e shqipes, së folur dhe shqipes së standardit, ngatërrohet edhe ca më tepër, kur hapen debate se a është europiane letërsia shqipe? Shtrimi i çështjes kështu dhe jo se a ka vlera letrare letërsia shqipe, tregon qëllimin për të ecur në rruginat e varësisë së leximit të letrares në fondamentin politik dhe sociologjik, rajonal dhe jo letrar dhe estetik. T’i kërkosh letërsisë që të jetë europiane, kur mund të jetë aziatike, afrikane, mongole, amerikane, japoneze, do të thotë ta trajtosh atë që është universale, nëse është letërsi dhe funksionon si e tillë, në varësi të ligjësive letrare, të cilat janë universale, si shenjë e përkohësisë së ndërvarur në kushtet dhe rrethanat politike dhe sociale, rajonale dhe regjionale, do të thotë që ta prangosësh rishtas atë me hallka jashtëletare, jo më pak ngulfatëse se ato të realizmit socialist. E të heshtësh përballë një dhunimi gjuhësor, të ndodhur në vitet e diktaturës, madje edhe vetë Qosja dhe Kadare, duke qenë firmëtarë të atij akti dhunues të gjuhës së letërsisë të gegnishtes dhe arbërishtes, është pak të thuash se kemi hyrë në epokën e bjerrakohës nëpër debate pabukëse. Mjerisht, kjo rrethanë e llafollogjemës së akademikëve, për mungesën e tipareve europiane të letërsisë, si dhe të heshtjes për shartimin dhe mënjanimin e gjysmës së ligjërimit letrar, prej eksperimentit të barazimit të gjuhës standarde edhe me gjuhën e letërsisë, të kujton sugjerimin e Sartrit, teksa shprehej se qentë e gjallë kafshojnë luanët e vdekur. Pra, gjuha e letërsisë, shenja e vetvetishme dhe e vetëmjaftueshme e letrares, nuk ka shans që të standardizohet përjetësisht, sepse kështu do të bjerrej arti dhe estetika, dhe letërsia do të mbërrinte që të përfundonte në parullë dhe anti-parullë, ashtu siç edhe ndodhi për disa dhjetëvjeçare në këtë Shqipërinë tonë.
Gjuha që nuk vdes
Si ngjarje dhe akt, tashmë pakkujt i intereson Kongresi i vitit 1972, me përjashtim të doktorë-profesorëve që morën titujt si shpërblim për këtë akt, as ndonjë marrëzi për të organizuara kongrese të tjera për të zëvendësuar shqipen e standardit me ndonjë standard tjetër, qoftë edhe i gegnishtes apo i arbërishtes, por gjuha e letërsisë është në vëmendje dhe interes të publikut dhe të albanologëve, vendasë dhe të huaj, gjuha e letërsisë si art, e cila nëse bart edhe ngjyresat dhe figurativitetin e gjuhës së folur, pa përjashtuar asnjë krahinë, sado periferike qoftë, ka gjasa të shenjojë vlera letrare të larmishme. Tekstet e Camajt dhe të ndonjë autori tjetër, që i shkuan përkundër zyrtaritetit të gjuhës dhe të letërsisë, e shpëtuan gjuhën dhe letërsinë shqipe nga sterilizimi dhe përtharja e plotë si ngjyrë dhe shprehësi, si shenjë dhe magji letrare. Por, në kushtet kur gjendemi, pra vetëm të pengimit për disa variante dhe të folme të shqipes, dy-tre akte, sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të marrin fund:
- Redaktimi gjuhësor, nëpër shtëpitë botuese (madje edhe me ligje absurde mbi pengimin e ngjyresave të të folmeve përtej njësuarishtes, pra i teksteve të shkruara në gegnisht dhe arbërisht), i librave me poezi, në prozë dhe dramë, përmes një standardi që ka të bëjë më tepër me komunikimin publik (pra me atributin e gjuhës zyrtare) dhe jo me gjuhën e letërsisë.
- “Përkthimi”, absurd dhe i pagjashëm, i veprave të autorëve arbëreshë dhe gegë, sipas normës gjuhësore të standardit, sepse përgjithësisht dhe veçmas letrarja buron, gjithnjë sipas ligjësive të artit të fjalës, prej diversitetit kulturor dhe gjuhësor, pra edhe prej çunifikimit të rregullave të ditura, si dhe në shpikjen e rregullave të reja, gjithnjë në funksion të letrares dhe maturimit të saj me shenja estetike.
- Kthimi në gjuhën e njësuar të standardit të poezisë së Mjedës, De Radës, Serembes, Fishtës, Migjenit, Camajt, por, edhe i prozës së Pashkut etj., si detyrë e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare, pavarësisht se janë publike ose private, të larta apo të mesme.
Vetëm sesione...
Mbetemi në pritje të kumtesave, të përfundimeve, pra të sesionit shkencor të Filologjikut, që nuk besoj se do të na habisin aq shumë, sepse rishtas do të prekim vetëmse vijimin e dhunimit të gegnishtes dhe arbërishtes, si dhe të përjashtimit të zakonshëm nga panteonin i letrave shqipe të shkrimtarëve të saj, qysh me Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Reshpen, Pashkun etj. , ose më liksht ende të përkthimit të habitshëm (përshtatjes), në gjuhën e standardit të De Radës, Darës, Serembes etj. , si dhe të vënies dorë në njësimin edhe të gjuhës së Konicës, Poradecit dhe Paskos, çka do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse ruajtje e piketave të vlerave gjuhësore dhe letrare të shpallura nën diktatin e sundimit diktatorial, pra, duke mbetur larg dekomunistizimit të gjuhës dhe letërsisë edhe në shekullin e njëzet e një.
21 Prill 2010