E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtarët e migrimit kthehen në Tiranë në kuadër të Pranverës Italiane



Nga data 22 deri në 25 prill, në Tiranë do të mbahet salloni italian i librit. Letërsia e migrimit, shkrimtarët shqiptarë që kanë zgjedhur të shkruajnë italisht, por edhe shkrimtarë italianë si Raffaele Nigro, Silvana de Mari, arbëreshi Carmine Abate, do të takohen me lexuesit Gëzim Hajdari, Artur Spanjolli, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Arben Dedja etj., janë vetëm disa nga emrat që kanë zgjedhur italishten si gjuhën e tyre letrare. Shkruajnë prozë e poezi, u janë hapur dyert e shtëpive të njohura botuese e janë vënë në një dialogim artistik me lexuesin italian. Veprat e shumicës prej tyre nuk njihen ende për lexuesin shqiptar. Letërsia e migrimit, e bërë jo vetëm nga shqiptarë, prej 20 vjetësh është kthyer në një fenomen letrar, por edhe gjuhësor për Italinë. Mbi të gjitha nga studiuesit, ata që hartojnë politika-kulturore e arsimore, por edhe nga vetë lexuesi, konsiderohet si një instrument komunikimi mes popujve. Pikërisht në këtë kuadër, vënë edhe në kontekstin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, në Tiranë do të organizohet një sallon libri (nga data 22 deri në 25 prill) dhe tryeza të rrumbullakëta me shkrimtarë shqiptarë italofonë dhe italianë të ftuar për këto aktivitete. Veprimtaritë e përfshira në programin e shumtë të aktiviteteve të organizuara nën moton “Dy popuj, një det, një miqësi”, do të sjellin në Tiranë shkrimtarin italian, Raffaele Nigro, Silvana de Mari, arbëreshin Carmine Abate dhe dy shkrimtarë shqiptarë, si Sokol dhe Valbona Jakova, raporton gazeta Shqip. Në datën 23 prill, me shkrimtarët shqiptarë që kanë zgjedhur të shkruajnë italisht dhe studiues të letërsisë, do të mbahet një takim i titulluar “Letërsia dhe integrimi 1990-2010; letërsia e emigrantëve italofonë mbush 20 vjeç”, moderuar nga shkrimtarja Diana Çuli, ndërkohë që para se këtij takimi t’i bashkohen në mesditë në Galerinë e Arteve edhe shkrimtarët italianë, ata do të kenë më parë një takim me studentët e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin Filologjik, moderuar nga studiuesja Dhurata Shehri. Si pjesë e këtij komunikimi është parashikuar që dy shkrimtarët shqiptarë, Amik Kasoruho dhe Arben Dedja, të kenë takime me studentët e Shkodrës dhe të Korçës. Vito Stigliani, drejtor i zyrës për bashkëpunimin arsimor pranë Ambasadës Italiane, e quan letërsinë e migrimit një fenomen të ri për vendin e tij. “Krahasuar me lexuesit e vendeve të tjera, si për shembull ata francezë, lexuesit tanë nuk janë mësuar, ashtu siç nuk jemi mësuar me këtë prezencë emigrantësh. Por unë si lexues jam krenar të di se Anilda Ibrahimi apo Kasoruho kanë zgjedhur gjuhën time për të shprehur emocionet e tyre, për të shprehur ndjenjat, për të bërë të njohur botën e tyre, por edhe tonën. Fakti që janë publikuar nga shtëpi botuese të rëndësishme, si ‘Enaudi’, është një përcaktues për suksesin në marrëdhënie me publikun”, shprehet Stigliani. Kjo letërsi migrimi nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së studiuesve. Disa e rrokin në kuadër tërësor, disa letërsi me “origjinë shqiptare”. Kjo e fundit është kryesisht e studiuesve arbëreshë, pjesë e disa universiteteve në Itali. Mia Lecomte, e cila do të jetë e pranishme në Tiranë gjatë ditëve të sallonit të librit, është një nga studiueset më të njohura të letërsisë që i është dedikuar këtij fenomeni. “Në kufijtë e vargut” është vepra e saj studimore dedikuar shkrimtarëve të kombësive të ndryshme që kanë zgjedhur italishten për të shkruar. “Këta burra e gra çojnë një limfë të re në vendin ku kanë zgjedhur për të jetuar. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin për të krijuar për brezat e ardhshëm një planet në paqe”, shprehet Vito Stigliani. Këto ditë të librit në Tiranë do të synojnë të përcjellin pikërisht këtë mesazh.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›