E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohet në shqip "Shkretëtira" e nobelistit Le Clézio

J. M. G. Le Clézio ka lindur në Nisë në 13 prill 1940, nga prindër britanikë me origjinë Maurisiane. Vitet e para të jetës së tij janë të shënuara jo vetëm nga lufta, por edhe nga mungesa e të atit, i cili ishte mjek në Afrikë. Atë e njohu në moshën 7-vjeçare kur shkoi për ta takuar. Ky udhëtim është themelor në jetën e shkrimtarit ashtu si dhe udhëtimet e shpeshta tek Ameridianët në Panama, midis viteve 1970 e 1974. Për romanin e tij të parë, "Proces verbali", Le Clézio, 23 vjeçar, merr çmimin letrar "Renaudot", më 1963. Në vitin 1980 u kurorëzua me Çmimin e Madh të Letërsisë "Paul Morand". Në qershor 2008, Le Clézio mori, për të gjithë veprën e tij, çmimin Stig Dagerman (çmim letrar suedez) me rastin e botimit në suedisht të romanit Raga. Ndërsa në 10 dhjetor të 2008, Le Clézio kurorëzohet me Çmimin Nobel të letërsisë nga Akademia Suedeze duke parë tek ai "shkrimtarin e nisjeve të reja, aventurës poetike dhe ekstazës sensuale, eksploruesin e një njerëzimi përtej qytetërimit në fuqi ", si dhe një "autor të angazhuar ekologjikisht ". Në një intervistë në frëngjisht në radion publike suedeze ai deklaroi: "Është një nder i madh për mua", e vazhdoi duke e falënderuar "me sinqeritet të lartë Akademinë e Nobel-it". Por ai gjithashtu tha se shpërblimi "nuk do të ndryshojë asgjë" në shkrimet e tij. Më 1 janar 2009, Le Clézio u dekorua me titullin Kalorës i Legjionit të Nderit francez. Presidenti meksikan Felipe Kalderon e dekoroi me Shqiponjën Asteke, nderi më i lartë në Meksikë, në vitin 2010 . 

Pas romanit Refren i urisë, botuar nga Shtëpia botuese TOENA në 2010, Le Clézio vjen sërish në shqip me romanin e tij "Shkretëtira". Në veprën tashmë të pasur të Le Clézio, "Shkretëtira" do të shënojë padyshim një pikë kthese. Le Clezio njeh një evoluim të thellë të stilit të tij. Ky stil që deri në atë kohë ishte i paqartë dhe kompleks bëhet tashmë më i qetë dhe i afërt. Shkretëtira simbolizon gjithashtu mirënjohjen e botës letrare dhe të publikut. Shkretëtira është njëkohësisht poezi dhe tragjedi, një roman i mrekullueshëm dhe një triler, një mbretëri dhe një syrgjyn, një eksplorim i të dyja anëve të botës ... Struktura binare e librit tregon qartë këtë postulat të dyfishtë. Dy pjesë: "Lumturia" dhe "Jeta tek skllevërit". Dy vende: Afrika (mbretëria) dhe Marseja (syrgjynosja). Dy periudha: vitet 1909-1912 (masakrimi i njerëzve blu të shkretëtirës nga të krishterët) dhe periudha aktuale (ajo e mjerimit dhe vuajtjeve të emigrantëve). Dy fëmijë: një djalë i ri, Nuri, dhe një vajzë, Lala. Me një strukturë tejet të qartë, pothuajse didaktike, reflektohet dëshira e autorit për t'u angazhuar në udhët e parabolës. Të dy tregimet ndërthuren në roman edhe pse në pamje të parë ngjajnë sikur nuk kanë asgjë të përbashkët, ata janë të lidhur nga diçka ideale. I pari, i treguar nga Nuri, është kronika e shfarosjes, në 1909, të "njerëzve blu" të Saharasë, të Tuaregëve që ecin e ecin pafund në kërkim të ujit, por që këtë herë ata vijnë nga larg për t'u bashkuar me Sheikun Ma al Aïnine e për të luftuar kundër pushtimit kolonial të të krishterëve. Ma al Aïnine organizon këtë rebelim dhe mbledh trupat e tij në Smara, qytetin që ai kishte themeluar e ndërtuar në Sahara . "Ata u shfaqën si nëpër ëndërr në majë të dunës, pothuajse të mbuluar nga mjegulla e rërës që ngrihej nga hapat e tyre. 

Dalëngadalë zbritën në drejtim të luginës, duke ndjekur një pistë pothuajse të padukshme. Në krye të karvanit qëndronin burrat të mbështjellë me palltot e tyre të leshta dhe fytyrat e fshehura prapa maskave prej pëlhure ngjyrë blu". I udhëhequr nga sheiku, populli i njerëzve blu marshon drejt veriut për t'u përleshur me forcat koloniale, por, pas një endjeje të gjatë, luftëtarët nomade asgjësohen në Agadir nga mitralozat e kolonelit Mangin, në vitin 1911. Të mundur, ata që mbijetuan u detyruan të mohonin atë çka ishte kuptimi i ekzistencës së tyre, dhe u larguan në drejtim të shkretëtirës së bashku me Nurin. Në tregimin e dytë që zhvillohet në kohët tona, Lala Haua, një jetime me prejardhje nga luftëtarët blu të shkretëtirës, për të cilët i flet shumë halla e saj Aama dhe peshkatari i vjetër Naman, jeton në ferrin e lagjeve të varfra të ndërtuara me dërrasa dhe llamarinë. Lala mbart thellë në vetvete kujtimin e njerëzve nomadë, dhe ndjen në zemrën dhe trupin e saj madhështinë e shkretëtirës, e cila i flet e i thërret tek shëtit nëpër dunat e pllajën me gurë së bashku me Hartanin, bariun memec. Por ajo gjithashtu ëndërron, si çdo vajzë moderne, mbi bukurinë e qyteteve të largëta ë perëndimit, Madridin, Parisin, Marsejën, dhe mbi magjinë e revistave me letër me shkëlqim. Një ditë, kur një burrë i pasur shfaqet në qytetin me dërrasa dhe llamarinë për t'u martuar me të, Lala vendos të largohet përmes shkretëtirës së bashku me Hartanin. Por arratisja e Lalës drejt shkretëtirës merr fund kur atë e shpëtojnë nga vdekja njerëzit e kryqit të kuq, ndërkohë që Hartani kishte vazhduar udhëtimin e tij. Shtatzënë, Lala shkon në Marsejë për t'u bashkuar me Aamën. Pas lumturisë fëmijërore të një jetese mes gjërave të thjeshta, ajo i nënshtrohet, në një tjetër lagje të varfër, mjerimit të qytetit evropian dhe urisë. Një fotograf vëren bukurinë e fytyrës së saj, dhe e shndërron atë në një modele revistash. Por ajo dëgjon thirrjen e vazhdueshme të shkretëtirës, kështu që vendos të kthehet në vendin e saj, që të lindë, e vetme, në agim, mes detit dhe shkretëtirës, e varur nga krahët në një pemë të fuqishme fiku, duke ripërtërirë instinktivisht gjestet e paraardhësve të saj... 

Por mund të themi se siç kuptohet qartë dhe nga titulli, personazhi kryesor i këtij romani është vetë shkretëtira. Ky vend, që vlon nga nxehtësia, është gjithashtu një fat dhe një mënyrë jetese. Në të vërtetë, shkretëtira është filli orientues i tërë librit, ajo është në mendimet e të gjithë personazheve, ajo është për ta një shtytje drejt lëvizjes, luftës, i bën ata të ëndërrojnë apo u jep jetë. Qoftë kur flitet për endjen e dëshpëruar të "njerëzve blu" apo për ëndërrimet e Lalës në kufijtë e pllajës me gurë, faqet më të bukura të librit janë padyshim ato ku ndjehet prania monotone e shkretëtirës, e cila e mrekullon kaq shumë Le Clézion. Në këtë vend, liria e njerëzve shkrihet me pafundësinë e peizazhit e mbi të gjitha i shpëton fjalës së njeriut e cila pothuajse mungon në këtë roman, duke u zëvendësuar nga elementet natyrorë, nga këngët dhe muzika e festave, nga evokimi legjendar i të parëve. Jean - Marie Le Clézio transmeton një mesazh madhështor dhe njëkohësisht të tmerrshëm: "Nuk kishte asnjë fund për lirinë, ajo ishte aq e madhe sa hapësira e vetë tokës, e bukur dhe mizore si drita, e ëmbël si sytë e ujit".
Shkretëtira korri një sukses të menjëhershëm. Ky roman u konsiderua, pas "Proces verbalit" si një tjetër libër kult i shkrimtarit, duke afruar sërish audiencën e tij të parë, e cila e kishte braktisur disi. Por Shkretëtira i solli gjithashtu dhe një publik më të ri, për të cilin "Proces verbali" nuk ishte një frymëzim mitik. Për këtë libër, Le Clézio ishte shkrimtari i parë që u kurorëzua në vitin 1980 me Çmimin e Madh të Letërsisë Paul Morand, të dhënë nga Akademia Franceze. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›